Disiplinimi i dështuar i gjyqtarëve përmes “përkëdheljes” nga KGJK

Asnjë gjyqtar nuk është larguar nga puna për shkak të shkeljeve disiplinore nga koha kur Këshillit Gjyqësor i është besuar ndjekja disiplinore e gjyqtarëve ndonëse ankesa ndaj tyre kishte më bollëk.

Ligjvënësi këtij institucioni i ka dhënë të drejtën që vetë t’i zhvillojë procedurat disiplinore dhe t’i propozojë për shkarkim nga detyra gjyqtarët të cilët kryejnë shkelje të rënda disiplinore. Kjo e drejtë është përcaktuar në nenin 7, pikën 1.5 të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mirëpo përkundër mundësive të mëdha ligjore, disiplinimi në institucionin kryesor të drejtësisë deri më tani ka dështuar.

Disiplinimi në KGJK karakterizohet me masa të buta disiplinore, shumica e të cilave paraqiten si vërejtjeje publike dhe jopublike, përderisa të rralla janë rastet kur ndonjë gjyqtari i ulët paga apo degradohet në pozitë, pavarësisht shkeljeve të rënda në të cilat disa nga ta deri më tani ishin përfshirë.

Se sa “përkëdhelëse” janë ndëshkimet e Këshillit Gjyqësor me gjyqtar e tregon më së miri vendimi i fundit i nxjerrë për gjyqtarin nga Kaçaniku, Riza Livoreka.

Në janar të këtij viti, në emisionin “KALLXO Përnime“ ishin publikuar video-incizimet në të cilat gjyqtari Livoreka dëgjohej tek “paralajmëronte” familjen Malsiu se në rast se nuk arrinte marrëveshje do ta humbte pronën.

Përpos që takimi me familjen Malsiu ishte bërë pa praninë e palës tjetër që ishte në procedurë, mënyra se si zyrtari i thirrur për të vënë drejtësi e “paralajmëronte” familjen Malsiu me lidhje marrëveshje ose humbje prone përbën alarm për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe sigurinë juridike në vend.

Marrëveshja në mes të palëve për pronën e cila ishte në gjykim e sipër nuk kishte ndodhur dhe pikërisht ashtu siç ishte paralajmëruar nga gjyqtari Livoreka në takimin e filmuar edhe kishte ndodhur.

Familja Malsiu me vendimin e gjyqtarit Riza Livoreka e humbi pronën, dhe atë përmes një aktgjykimi i cili bazohej në ligje të shfuqizuara të cilat ishin nxjerrë qysh në kohën e ish-Jugosllavisë përderisa ligjet të cilat janë në fuqi e ndalonin një gjë të tillë për rastet sikur ai i familjes Malsiu.

Menjëherë pas emisionit, Zyra Ligjore e KALLXO.com kishte kërkuar nga kryetari i Gjykatës së Ferizajt që në iniciohej procedura disiplinore dhe gjyqtari të hetohej për të paktën gjashtë shkelje disiplinore dhe atë:

– Mosrespektim të parimit të pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore;

– Mostrajtim të barabartë të palëve në procedurë;

– Bërje me dije e vendimeve gjyqësore para nxjerrjes së aktgjykimit;

– Mosraportim i rasteve të përjashtimit të mundshëm për shkak se vajza e gjyqtarit ishte praktikante tek avokatja e palës paditëse;

– Përfshirje në takime ex-parte, takim me njërën palë pa praninë e palës tjetër dhe,

– Përfshirje në sjellje të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit;

Ndonëse kërkesa ishte parashtruar për hetim disiplinor në drejtim të gjashtë shkeljeve disiplinore, KGJK e gjeti fajtor gjykatësin Riza Livoreka vetëm për dy shkelje disiplinore. Atë të dëmtimit të imazhit të gjyqësorit dhe të takimit pa praninë e palës tjetër, përderisa nuk dihet nëse janë trajtuar shkeljet e tjera të cilat janë kërkuar të analizohen nga KALLXO.com.

Me rrogë më të ulët për 10 muajt e ardhshëm, gjyqtari i cili dëgjohet duke thënë: “O unë me ty jam tu folë veç që e njoh Rakipin moti se s’kisha fol hiç, unë ta bij vendimin s’e ki respektu të drejtën e parablerjes pesë pare si jap”, është ulur përsëri në karrigen e gjyqtarit pasi KGJK përmes vendimit të fundit ia besoi edhe një herë ndarjen e drejtësisë.

Andaj shtrohet pyetja se çfarë tjetër duhet të bëhet nga një gjyqtar që të largohet nga sistemi i drejtësisë për shkelje disiplinore?

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga KGJK për të parë nëse janë vlerësuar shkeljet e tjera disiplinore, të cilat ishin kërkuar të vlerësoheshin mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Masa disiplinore ndaj gjyqtarit nga Kaçaniku u mor pas aprovimit të marrëveshjes së lidhur në mes të tij dhe panelit hetimor. Përpos kësaj marrëveshjeje pikë e rendit të ditës në takimin e fundit të KGJK-së ishte edhe miratimi i një tjetër marrëveshjeje, asaj të panelit hetimor me gjyqtaren Florije Zatriqi.

Burime të KALLXO.com brenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës kishin bërë të ditur se edhe Florije Zatriqi, gjykatësja që kishte dënuar me 8 muaj burgim rastin e dhunimit të 14-vjeçares, kishte arritur marrëveshje me panelin hetimor që të rikthehej në vendin e punës. Mirëpo marrëveshja e saj me panelin hetimor u bë publike një natë para mbledhjes së KGJK-së, ndërsa të nesërmen e njëjta nuk u aprovua.

Skandal tjetër të sistemin e drejtësisë ishte përfshirja e ish-anëtarit të KGJK-së Driton Muharremi në incizimet e publikuara nga portali Shqip.com ku bisedohej për ushtrim ndikimi  me një person i cili po përballej me procedura hetimore.

Për këtë rast KGJK kishte nxjerrë vendim me të cilin e kishte ulur në pozitë gjyqtarin Muharremi. Ky i fundit pasi ishte degraduar kishte vendosur të japë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit.

Për masa të lehta disiplinore Këshilli Gjyqësor i Kosovës është kritikuar vazhdimisht nga organizata të shumta vendore e ndërkombëtare.

Kritika e fundit që iu dha këtij institucioni për mungesën e ndëshkimeve adekuate ishte nga raporti i Departamentit amerikan të Shtetit.

Ky raport konsideron se masat e shqiptuara deri më tani nga KGJK janë të pamjaftueshme dhe nuk i parandalojnë sjelljet e këqija nga gjyqtarët në të ardhmen.

“Këshilli Gjyqësor lëshoi vërejtje jopublike me shkrim ose ulje pagash për katër gjyqtarë, edhe pse këto sanksione u konsideruan të pamjaftueshme që të parandalojnë sjelljen e keqe në të ardhmen”, thuhet në raportin e DASH-it.

Në ndërkohë, vetë të dhënat e publikuara nga institucionet e sistemit të drejtësisë për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve tregojnë për një qasje tejet të butë të sistemit kundër zyrtarëve të saj.

Numër i ankesave të refuzuara të cilat janë paraqitur kundër gjyqtarëve dhe prokuroreve pa nisur hetime nga panelet e këshillave është jashtëzakonisht i lartë krahasuar me rastet që janë iniciuar hetime.

Sipas të dhënave të KGJK-së gjatë vitit 2021 janë pranuar 121 ankesa kundër gjyqtarëve ku mbi 90% e tyre janë hedhur poshtë qysh në fazën e parë, pra pa kaluar fare në panelet hetimore të KGJK-së. Ndërsa nga këto ankesave në shkelje kanë rezultuar vetëm 9 raste ku për to janë shqiptuar 7 vërejtje publike ose jopublike, një ndëshkim me pagë dhe një degradim në pozitë.