Dilemat për procedurat e zgjedhjes së presidentit, me 2/3 e deputetëve prezent apo me 2/3 e deputetëve pjesëmarrës votues

Ushtruesja e Detyrës e Presidentes, Vjosa Osmani, para se të hynte në garë për zgjedhjet e 14 shkurtit, kishte bërë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për pozitën e presidentit.

Osmani përmes një konference për medie më 14 janar e kishte konfirmuar se do të garoj për këtë pozitë.

“Do të jem unë ajo që do ta kërkoj legjitimitetin për presidente të vendit, do të garojmë për këtë”, kishte thënë Vjosa Osmani.

Garës për president në zgjedhjet e 14 shkurtit i kishte hyrë edhe Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në gusht të vitit 2020 në një mbledhje të strukturave të larta të saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur kandidaturën Haradinaj, për president të Kosovës.

Por, pas rezultateve zgjedhore, Haradinaj, sikur ka bërë tërheqje nga kjo pozitë me arsyetimin se nuk i kanë fituar 2/3 e votave.

“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën për qeveri. Aleanca nuk i ka 2/3 për zgjedhjen e presidentit”, tha Haradinaj.

Për t’u zgjedhur presidente e vendit, sipas Kushtetues së Kosovës dhe sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar në detaje dhe qartazi se si duhet të rrjedh procedura për zgjedhjen e presidentit.

Eugen Cakolli nga KDI, i ka sqaruar këto procedura për KALLXO.com.

Cakolli tha se fillimisht duhet të konfirmohen të paktën dy kandidatura për pozitën e presidentit të cilët duhet të marrin pjesë në raundin e parë të votimit.

“Në raundin e parë të votimit duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputet në votim. Nuk llogaritet vetëm prezenca fizike por edhe duhet që deputetët të votojnë për, kundër, abstenim apo edhe ta bëjnë të pa vlefshme votën e tyre. Në rast se i kemi të paktën 2/3 e votave të deputetëve 80 sosh që janë në kutinë e votimit atë herë raundi llogaritet si i vlefshëm dhe fillohet të shihet se a ka arritur ndonjëri kandidat ta ketë këtë numër të votave 80 vota për, që duhen për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ai.

Nëse në raundin e parë nuk arrin asnjëri kandidat t’i siguroj 80 vota për, duhet të vijohet me raundin e dytë me dy kandidatët më të votuar.

Sipas Cakollit, nëse nuk arrihet që të bëhen 80 vota për, kundër, abstenim ose të pa vlefshme, nuk mund të procedohet në raundin e dytë.

Për raundin e dytë sipas tij vlen i njëjti parim, të paktën 80 deputet duhet të votojnë.

“Nëse në raundin e parë nuk janë 80 vota atë herë nuk mund të kalohet në raundin e dytë llogaritet se raundi është i pavlefshëm dhe nuk mund të procedohet tutje. Në rast se edhe në raundin e dytë asnjëri deputet nuk i siguron 80 vota për, nga të paktën 80 deputet që janë të pranishëm dhe votojnë atë herë shkohet me raundin e tretë të votimit”, shtoi ai.

E në raundin e tretë vlejnë procedura të ndryshme sipas Cakollit, përkatësisht numër më i vogël i deputetëve.

“Në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 përcaktohet që në raundin e tretë nuk nevojiten më 80 deputet të pranishëm dhe që votojnë por nevojitet që të jenë të pranishëm dhe të votojnë të paktën 61 deputet dhe që për tu zgjedhur president kandidati duhet t’i ketë votat e të paktën 61 deputetëve për, nga numri i përgjithshëm 120 sosh sa janë në Kuvend”, tha ai.

Subjektet e mëdha opozitare nuk e mbështesin Osmanin në garën e saj për presidente

Më 22 mars, të hënën në orën 10:00 Kryesia e Kuvendit ka vendosur të mbajë seancën konstituive.

Këtë e kishte konfirmuar Arbërie Nagavci, anëtare e Kryesisë së legjislaturës së kaluar, duke thënë se të gjithë në Kryesi të Kuvendit janë pajtuar.

“Në mbledhje të Kryesisë kishim përgatitje për seancën konstituive të legjislaturës së tetë. U vendos që seanca konstituive të mbahet me datë 22 mars e hënë, nuk pati kundërshtime dhe seanca do të mbahet në ora 10:00”, tha para mediave të martën Arbërie Nagavci.

Ndërkaq, gjatë takimit që zhvilloi Lideri i LVV-së Albin Kurti dhe U.D e Presidentes Vjosa Osmani me komunitetet, më 16 mars, u zbulua që java tjetër do të jetë vendimtare për formimin e tri institucioneve.

Rasim Demiri nga koalicioni VAKAT, ka thënë se brenda javës së ardhshme, presin që të bëhen tri votime, konstituimi i Kuvendit, votimi i qeverisë dhe votimi i presidentit.

Tri subjektet më të mëdha opozitare gjatë kësaj jave janë deklaruar se nuk do ta mbështesin në garën e saj për Presidente, Vjosa Osmanin.

Subjekti më i madh opozitar Partia Demokratike e Kosovës, në këshillin e saj drejtues kishte marr vendim për mos mbështetjen e Osmanit për presidente të vendit.

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, kishte deklaruar se kjo parti nuk e mbështet Vjosa Osmanin për presidente.

“Këshilli Drejtues i PDK-së në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Vjosa Osmani për të qenë presidente e vendit. Këtë vendim e mbështet edhe Kryesia edhe grupi parlamentar i PDK-së”, u shpreh Hoxhaj në konferencë për media.

Madje Hoxhaj, pas takimit që kishte me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe Ushtruesen e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, ka kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe.

“A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?”, tha ai.

E subjekti që pësoi rënie të mëdha në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës, përkundër që janë shprehur se nuk do të pengojnë në formimin e institucioneve, ata nuk do ta mbështesin një president partiak.

Kryetari i sapo zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke folur për zgjedhjen e presidentit, është shprehur se si subjekt politik nuk do të kontribuojnë në pengimin e formimit të institucioneve.

“Ne nuk jemi të interesuar të krijojmë destabilitet në vend”, tha ai në një emision televiziv.

Ndërsa në një intervistë tjetër për media, Abduxhiku ka kërkuar siguri që presidenti të jetë jo partiak.

“Ne synojmë të ndërtojmë institucione, të japim stabilitet politik në vend, synojmë të shmangim zgjedhjeve sepse këta qytetarë janë të lodhur me zgjedhje. Çfarë kërkojmë, është garanca që pozita e presidentit të jetë demokratike e pavarur dhe jo partiake”, ka thënë ai.

Abdixhiku tha se nuk duan të kenë një president i cili njëkohësisht ka ushtruar edhe funksione partiake.

“Ne kemi pasur një president partiak, që ka vazhduar të ushtrojë funksione partiake si Thaçi dhe ne nuk duam të ngrehim paralele që të kemi prapë një president partiak. Presidenti i Kosovës duhet të ketë neutralitet duhet të ketë rol unifikues”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, pas takimit me Kurtin dhe Osmanin kishte thënë se funksioni i tyre është i rëndësishëm si opozitë, për shkak se po synohet koncentrimi i pushtetit në një parti.

Sa i përket pozitës së presidentit, Haradinaj tha t’i jetë kërkuar konstruktivitet Aleancës për partneritet pozitë opozitë.

“Aleanca ka përvojë në opozitarizëm, dikur opozitën e kemi bërë bashkë. I tregova zotit Kurti që nuk do të kthehemi në ato metodat tona të vjetra të opozitarizmit që i kemi pas së bashku se edhe unë jam plak tash s’muj mo. Por do të jemi opozitë me ju kujtuar juve funksionin e demokracisë pozitë opozitë. Do të jemi opozitë”, tha Haradinaj.

Eugen Cakolli nga KDI tha për KALLXO.com se nëse partitë politike nuk arrijnë dakordim për zgjedhjen e presidentit atë herë duhet të dakordohen për datën e zgjedhjeve.

Sipas tij gjykata i ka obliguar që deputetët të jenë në sallë dhe të votojnë.

“Dështimi për të zgjedh presidentin deri në 5 maj nënkupton që Kosova do të mbetet pa president do të kemi një qeveri në detyrë nëse zgjedhjet qeveria Kurti dhe pa një kuvend funksional me qenë se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij dilemë do të mbetet çështja se kush do t’i thirr zgjedhjet të dekretoj datën e zgjedhjeve sepse pas 5 majit nuk do të kemi as Ushtrues Detyre të Presidentit.