Ilustrim

Dhjetëra programe të UP-së rrezikohen në mungesë të stafit akademik

Një pjesë e madhe e programeve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” varen nga bashkëpunëtorët e jashtëm, pasi kanë mungesë të profesorëve të rregullt. Madje, gjendja në shumë prej programeve është duke u përkeqësuar, pasi nga viti në vit ka rënie të numrit të profesorëve të rregullt dhe kështu këto programe rrezikojnë që në të ardhmen të mos akreditohen pikërisht në mungesë të stafit të rregullt akademik. Gjendje më e rëndë sa i përket stafit të rregullt akademik është në Fakultetin e Arteve, Fakultetin e Inxhinierisë  Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Ndërkohë që të parrezikuara nuk mbesin as programet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Se këto njësi akademike kanë probleme me numrin e vogël të profesorëve të rregullt është konfirmuar edhe nga Rektorati i UP-së. Ndërsa, dekanët e disa prej njësive akademike thonë se nëse nuk shtohet numri i profesorëve në ato fakultete ka rrezik që shumë programe të mos akreditohen.

Aktualisht Universiteti i Prishtinës ka 143 programe studimore, prej tyre 65 në studimet baçelor, 57 në studimet master, 17 në studimet e doktoratës dhe 4 programe në studimet e integruara. Në këto programe, ky universitet ka rreth 42,000 studentë dhe 900 anëtarë të stafit akademik të rregullt, ose 1 mësimdhënës për 47 studentë. Por ka fakultete ku ky përpjestim është edhe më i pavolitshëm dhe shkon deri në një mësimdhënës për 140 studentë. Ndërkohë, 31 tetori ishte data e fundit kur UP-ja si dhe institucionet tjera të Arsimit të Lartë do të duhej të bënin deklarimin e stafit akademik.

Sipas njohësve të çështjeve të arsimit në Kosovë, deri te mungesa e stafit të rregullt akademik ka ardhur si pasojë e hapjes së shumë programeve të reja, si dhe mosnxjerrjes së kuadrove të reja akademike, ndërkohë që shumë profesorë kanë dalë në pension e shumë të tjerë do të dalin në vitet në vijim.

Fakulteti i Arteve nga 34 programe sa kishte dikur pritet të bie në 12

Dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi ka thënë për “Zërin” se nga 79 profesorë të rregullt sa i kishte ky fakultet në vitin e kaluar akademik tani ka rënë në rreth 70. “Përafërsisht janë rreth 70 profesorë të rregullt, kurse nevojat janë më të mëdha. Te ne mënyra e mësimit është edhe individuale, për shembull violina, piano e të tjera kanë orë individuale, kështu që në këtë aspekt ne kemi numër të madh të profesorëve, por që nuk është i bollshëm”, është shprehur Selimi.

Më tej, Dekani i Fakultetit të Arteve ka bërë të ditur se që nga viti 2013 nuk kanë marrë profesorë të rregullt, ndërkohë që vazhdimisht ka pasur profesorë që kanë dalë në pension. Ai ka thënë se pret që në konkursin që është hapur së fundi të pranohen disa profesorë të rinj.

Selimi poashtu ka thënë se në vitin 2016 numri i programeve ka qenë 34, ndërsa deri në vitin 2020 pritet që të bëhet fuzionimi i disa programeve dhe numri të bie në 12 sosh.

“Ne kemi pasur shumë programe, dikund 34 programe në vitin 2016 kur edhe jemi akredituar.  Jemi munduar t’i fuzionojmë programet dhe kemi mbërri në 17 dhe besoj që me akreditimin e ri që bëhet më 2020 (pasi deri atëherë jemi të akredituar) duhet të kalojmë dikund në 12 programe dhe t’i ndajmë këto nënprofile. Jemi duke shkuar drejt zvogëlimit pasi për akreditim duhet numër i madh i pedagogëve”, është shpehur Selimi.

Sipas tij, në këtë fakultet përveç pensionimit, nuk ka pasur ndonjë rast që profesorët të jenë larguar për arsye tjera. Selimi gjithashtu ka thënë se disa drejtime në Fakultetin e Arteve nuk do të mund të akreditohen në të ardhmen nëse nuk pranohen profesorë të rinj.

Inxhinieria Mekanike pret profesorët për programin e doktoraturës

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala ka thënë se aktualisht stafi i rregullt akademik në këtë fakultet arrin në 39 (29 profesorë dhe 10 asistentë). Ky numër, sipas tij, është minimal, ndërkohë që ka bërë të ditur se në shtatorin e vitit të ardhshëm edhe dy profesorë dalin në pension.

Shala shpreson se në konkursin e ardhshëm që do të hapet në kuadër të Universitetit të Prishtinës, këtij fakulteti do t’i mundësohet që të marrë staf të ri.

“Aktualisht i kemi të mbuluara programet me bartës, pra jemi në atë minimunin e lejuar, mirëpo nga 30 shtatori i vitit të ardhëm na largohen dy profesorë pasi dalin në pension, por presim që në konkursin e ardhshëm do të na mundësohet që t’i marrim edhe dy profesorë tjerë”, ka deklaruar Shala.

Sipas tij, problemi i stafit akademik në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të zgjidhej nëse do të akreditohej programi i doktoraturës. Megjithatë, ai thotë se për akreditimin e këtij programi u duhen edhe tre profesorë.

“Tash e një kohë po përpiqemi t’i kemi tre profesorë të lirë për studimet e doktoraturës, por aktualisht nuk po mundemi, pasi po na duhen në programet tjera. Pra nga shtatori i vitit të ardhshëm si fakultet do të jemi minus pesë profesorë, dy për këto programet aktuale dhe tre na duhen për programin e doktoraturës”, ka theksuar Shala.

Ai poashtu ka bërë të ditur se në konkursin e fundit në këtë vit kanë marrë një profesor, meqenëse paraprakisht një profesor tjetër e ka lënë detyrën pasi ka vendosur që të largohet nga Kosova për të jetuar në një shtet tjetër.

“Në konkursin e fundit e kemi marrë një, pasi na është larguar një profesor tjetër, i cili ishte pranuar para dy vitesh, por ka vendosur që të shkojë sërish jashtë vendit”, ka përfunduar dekani Shala.

Fakultetit të Ndërtimtarisë pas dy vitesh i pensionohen disa profesorë

Aktualisht numër të mjaftueshëm të stafit të rregullt akademik ka edhe Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, megjithatë pas dy vitesh disa profesorë të këtij fakulteti do ta arrijnë moshën e pensionimit. Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitetkturës, Abdullah Zejnullahu, ka thënë se aktualisht nuk ka rrezik që të mbyllet ndonjë program i këtij fakulteti.

“Aktualisht nuk ka rrezik për mbyllje të ndonjë programi, megjithëse kemi nevojë për më shumë staf. Përafërsisht numri i profesorëve është i njëjtë me vitin e kaluar. Edhe dy vite nuk kemi ndonjë profesor që del në pension, ndërkohë që ne po shkojmë duke plotësuar numrin”, ka potencuar Zejnullahu.

Dekani i FNA-së ka bërë të ditur se në konkursin e fundit ky fakultet ka marrë 4 profesorë të rinj, poashtu ai ka thënë se ka pasur edhe avancime të profesorëve tjerë. “Gjithsesi shpresojmë që edhe në të ardhmen do të na japin mundësi të marrim staf të ri, pasi kemi nevojë për më shumë staf akademik”, ka deklaruar Zejnullahu.

Rektorati: Po punojmë për ngritjen e stafit akademik

Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se aktualisht ky universitet ka të akredituara dhe në implementim 143 programe studimore, prej tyre 65 në studimet baçelor, 57 në studimet master, 17 në studimet e doktoratës dhe 4 programe në studimet e integruara.

Rektorati vlerëson se tani për tani, numri i stafit akademik, respektivisht atyre me gradën shkencore doktor shkence, është i mjaftueshëm për të mbuluar kërkesën sipas Udhëzimit Administrativ të Agjencisë se Kosovës për Akreditim, një doktor i shkencave për 60 ECTS kredi.

Poashtu, në përgjigjen e Rektoratit thuhet se për të avancuar cilësinë dhe punën me studentë, Universiteti i Prishtinës punon në ngritjen sa më të madhe të stafit akademik si nga aspekti cilësor ashtu edhe sasior.

Sipas Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, në disa njësi akademike numri i stafit akademik të angazhuar është më i madh sesa numri i stafit të rregullt.

“Disa njësi akademike qëndrojnë më dobët se të tjerat, si për shembull: Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, e të tjerë”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UP-së, ku poashtu theksohet gjendja jo e mirë në Fakultetin e Arteve.

Konkurset e fundit të hapura për pranim të stafit të ri akademik vlerësohen si mundësi për zbutjen e këtyre mungesave. Ndërkohë që shifrat e sakta të numrit të profesorëve të rregullt dhe të atyre të angazhuar do të dihen pas përmbylljes së konkurseve që janë hapur në shumë programe në UP.

“Në ditët në vijim do të jemi në gjendje t’ju japim informata më të sakta, sepse aktualisht është në proces konkursi për staf akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të dhënat mund të ndryshojnë”, thuhet më tej në përgjigjen e Rektoratit të UP-së.

31 tetori, afati i fundit për deklarim të stafit

Në Agjencinë e Akreditimit thonë se bazuar në Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës, këto institucione janë të obliguara që të bëjnë deklarimin e stafit akademik jo më vonë se data 31 tetor.

Sipas këtij Udhëzimi Administrativ “për çdo 60 ECTS kredi të programit të studimit, institucioni duhet të ketë të paktën një (1) staf me marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD nga fusha e programit të studimeve”.

“Pas procesit të deklarimit të stafit akademik, Zyra e AKA-së bënë verifikimin e gjendjes së dokumentacionit të dorëzuar nga stafi akademik si dhe konstaton mungesat e stafit akademik, të cilat i paraqet pastaj Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ndërsa vlerësimi i fushës së studimeve të bartësve të programeve të studimit, bëhet nga KSHC me rastin e shqyrtimit të aplikacionit të dorëzuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë (për aplikim formal) ose nga ekspertët ndërkombëtar të akreditimit, me rastin e vlerësimit të programit të studimit”, ka sqaruar Vjollca Krasniqi nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Ndërsa muaj më parë Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka marrë vendim për tërheqjen e akreditimit të disa programeve të studimit si rezultat i mungesës së stafit akademik apo mosrespektimit të kërkesave tjera ligjore për stafin akademik të parapara me Udhëzimin Administrativ.

Krasniqi ka bërë të ditur se këtë vit Agjenica e Kosovë për Akreditim procesin e deklarimit të stafit akademik dhe aplikimit për akreditim do ta realizojë përmes sistemit online/elektronik “E-Akreditimi”. Procesi i deklarimit të stafit akademik për vitin 2018/19 nuk ka përfunduar akoma.

“AKA pas përmbylljes së procesit të deklarimit të stafit akademik dhe verifikimit të tyre do të njoftojë IAL-të dhe opinionit publik lidhur me gjendjen e stafit akademik si dhe me vendimet e KSHC-së lidhur mbi programet e studimit të IAL-ve bazuar në gjendjen e stafit akademik”, ka thënë Krasniqi.

Pupovci: Mesatarja në UP, 1 mësimdhënës për 47 studentë

Njohësi i çështjeve të arsimit Dukagjin Pupovci ka thënë se kushti formal i Agjencisë së Kosovës për Akreditim për 3 doktorë të shkencave për një program mbase edhe plotësohet, por sipas tij ende qëndron konstatimi se Universiteti i Prishtinës nuk ka staf akademik të mjaftueshëm.

“Sipas të dhënave zyrtare, UP ka rreth 42,000 studentë dhe 900 anëtarë të stafit akademik të rregullt, do me thënë 1 mësimdhënës për 47 studentë. Ka fakultete ku ky përpjestim është akoma më i pavolitshëm dhe shkon një mësimdhënës për 140 studentë”, ka deklaruar Pupovci duke thënë se ky problem mund të zgjidhet përmes zvogëlimit të numrit të studentëve ose rritjes së numrit të stafit akademik të rregullt. Por sipas tij, për kushtet e Kosovës, përpjestimi duhet të jetë diku 1 mësimdhënës për 20-25 studentë, ndërsa në disiplina të caktuara numri i studentëve duhet të jetë edhe më i vogël.

“Ndërkaq, nëse duam krahasim me vende të tjera, duhet ta dimë se universitetet e mira kanë 1 staf akademik për më pak se 10 studentë”, ka shtuar Pupovci.

Sipas tij ka rrezik që disa programe në Universitetin e Prishtinës të mbyllen pikërisht për shkak të mungesës së stafit akademik të rregullt. “Tanimë janë mbyllur disa programe që shkollojnë kuadro për energjetikë në fakultetet teknike, pikërisht për mungesë kuadri, edhe atë pas 40 vjet funksionimi”, ka theksuar profesori Pupovci.

Më tej, ai ka thënë se deri vonë, për akreditimin e një programi ka mjaftuar të prezantohet CV-të e 3 doktorëve të shkencave në marrëdhënie të plotë pune, por tani Agjencia e Kosovës për Akreditim kërkon që ata të jenë të profilit përkatës. Kështu, sipas Pupovcit, kjo mund të sjellë deri te mbyllja e një numri të programeve, jo vetëm në UP, por edhe në institucionet tjera të arsimit të lartë, pasi në Kosovë ka shumë programe që funksionojnë duke shpërfillur këtë kërkesë.

Ndërsa duke folur për shkaqet që kanë sjellë deri të kjo mungesë e stafit të rregullt akademik në UP, profesori Dukagjin Pupovci ka thënë se nuk ka pasur shumë profesorë që janë larguar nga ky universitet, me përjashtim të atyre që janë pensionuar. Përkundrazi, sipas tij, ka pasur një dyndje drejt UP-së të njerëzve që janë larg çdo standardi akademik dhe sot, thotë Pupovci, të tillë ka në të gjitha fakultetet.

“Mendoj se mungesa e kuadrit është shkaktuar nga hapja e pakontrolluar e programeve studimore, edhe në ato raste kur nuk ka ekzistuar as minimumi i kushteve kadrovike. Kështu është krijuar numër i madh i orëve që nuk mund të mbulohen me kuadër të rregullt, bile edhe programe për të cilat nuk gjen njerëz të kualifikuar në Kosovë. Dhe këtu fillon improvizimi: ose duhet të anagzhosh kuadër të pakualifikuar ose njerëzit tejngarkohen me orë mësimi. Në të dy rastet dëmtohet cilësia”, ka vlerësuar Pupovci.

Kurse, Gramos Buçinca hulumtues në Organiatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka thënë se si bashkëpunëtorë të jashtëm kontraktohet dhe stafi i rregullt në Universitetin e Prishtinës, të cilët sipas tij duke u angazhuar si bashkëpunëtorë në lëndët tjera përfitojnë materialisht.

“Kjo ndodh për shkak të menaxhimit të dobët të burimeve njerëzore, mos hapjes (ngrirjes) së pozitave të reja për profesor deri sa t’i plotësojnë kriteret personat e caktuar dhe për shkak të mungesës së strategjisë për futjen e kuadrove të reja kompetente në universitet”, ka theksuar Buçinca.

Ai poashtu ka thënë se nëse kësaj i shtohet edhe numrin e madh i profesorëve që nuk i justifikojnë titujt, kemi një situatë ku në njërën anë studenti dëmtohet për shkak të mungesës së cilësisë dhe në anën tjetër keqshpenzohet paraja e taksapagueseve.

 

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.