Dekonspirohet konkursi për çmimet kombëtare për teatrin

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ende nuk i ka bërë publike fituesit e çmimeve kombëtare për teatrin për 2019, dhepse këtë është dashur ta bëjë më 27 mars 2020.

Sipas rregullores për ndarjen e çmimeve kombëtare, emrat e fituesve zbardhen në Ditën Botërore të Teatrit, më 27 mars.

Përveç pandemisë, mos publikimin e fituesve, zyrtarë të MKRS e arsyetojnë duke thënë se juria profesionale ende nuk e ka kryer punën.

Por, juria profesionale (komisioni përzgjedhës) e caktuar për përzgjedhjen e fituesve në përbërje të Sahadete Beqirit, Agim Selimit, Jeton Ahmetaj dhe Marigona Bekteshi dhe pa praninë e anëtarit tjetër Fatos Berisha më 05.08.2020 ka mbajtur një takim dhe propozimet i ka përcjellë MKRS-së.

Kallxo.com ka siguruar letrën që anëtarja e komisionit, Sahadete Beqiri ia ka dërguar MKRS ku e informon mbi punën dhe vendimin e jurisë për fituesit.

“Bazuar në vendimin nr.98/2020 të datës 30.07.2020 për emërimin e anëtarëve të komisionit për ndarjen e çmimeve vjetore për teatër, duke e marrë përsipër komunikimin dhe takimin e të gjithë anëtarëve të komisionit me që emri im figuron i pari në renditje (e jo në cilësinë e kryetares sepse në vendim nuk është përcaktuar kryesuesi), ju njoftoj se me datën 05.08.2020 është mbajtur takimi i parë (dhe i vetëm gjer tani) me pjesëmarrjen e 4 anëtarëve: S. Beqiri, A. Selimi, J. Ahmetaj dhe M. Bekteshi”, thuhet në letrën e drejtuar drejtoreshës së Departamentit të Kulturës, Jehona Shytit.

Juria kishte kërkuar edhe informacione nga MKRS se si do të veprohen më tej dhe pas mungesës së Berishës.

“Pas vlerësimeve dhe nënshkrimeve nga komisioni e në mënyrë që të përmbyllet procesi u dakorduam që të kontaktoj edhe me z.F. Berisha, gjë që edhe e kam bërë , nga i cili kam marrë përgjigjen se do të lajmërohet kur të kthehet në Kosovë. Dua që të ju informoj se gjer më tani nuk jam kontaktuar nga z.Berisha dhe se kompetencat e mia nuk përkojnë me angazhimin konstant të thirrjes së anëtarëve të komisionit dhe se kjo çështje duhet të koordinohet edhe nga MKRS-ja , si përgjegjëse e zbatimit të vendimit të vet. Me qenë se raporti përfundimtar i komisionit nuk mund të përpilohet pa vlerësimin dhe nënshkrimin e të gjithë (5) anëtarëve të komisionit, për hirë të transparencës dhe shqetësimeve të disa anëtarëve të komisionit (të cilët më drejtohen mua e jo institucionit që I ka emëruar) ju lus që të na informoni: A keni ndonjë informatë rreth ardhjes së anëtarit të fundit; A ka mbet komisioni (vendimi) i njëjtë apo ka ndryshuar në ndërkohë; Si të procedojmë me vazhdimin – përfundimin  procesit të vlerësimit”, thuhet në letrën e dërguar nga Beqiri në ministri.

Por, pas takimit të 05.08.2020 juria nuk është mbledhur më.

Pas interesimit të Kallxo.com për mos publikimin e çmimeve për teatrin dhe publikimit të një statusi në Facebook të ish- kostumografes së Teatrit Kombëtar, Samka Ferri, e cila pretendon se i dinte emrat e personave të përzgjedhur si fitues të çmimeve për teatrin, MKRS ka mbledhur të premten pas dite tre anëtarët e komisionit, pasi dy të tjerët, Jeton Ahmetaj dhe Fatos Berisha ishin jashtë shtetit, për të diskutuar për çmimet.

As zyra e ministres Vlora Dumoshi, e as drejtoresha e Departamenti të Kulturës nuk ia janë përgjigjur interesimit të Kallxo.com lidhur me ndonjë vendim të mundshëm, pas takimit.

Agim Selimi, anëtar i komisionit, e ka konfirmuar për Kallxo.com mbajtjen e takimit.

Duke mos dashur të komentojë shumë rreth takimit Selimi ka thënë se drejtuesve të MKRS-së ia kanë bërë të ditur qëndrimin se shumicë së komisionit.

“Ne i prezantuam ato që i kemi bërë si juri, dhe kërkuam që konkursi të mbyllet si duhet”, ka thënë Selimi.

Kallxo.com ka kontaktuar me regjisorin Fatos Berisha, anëtarin e jurisë, i cili kishe munguar në takimin e 05.08.2020.

Përmes postës elektronike, Berisha ka thënë për Kallxo.com se ka qenë i ftuar në një takim, por nuk ka mundur të marrë pjesë pasi ishte jashtë shtetit.

“Më është thënë se do të mbahet edhe një takim tjetër, në të cilin do të merren vendimet. Ai takim i dytë, sa kam unë informata, nuk është mbajtur”, tha ai për Kallxo.com.

Sipas rregullores për ndarjen e çmimeve vjetore për teatrin çdo vit ndahen 5 çmime: Çmimi Kombëtar për Vepër jetësore; Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, për regjinë më të mirë, aktorin/aktoren më të mirë dhe Çmimi për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar.

Çmimet kanë kundërvlerë monetare. Fituesit të çmimit për Vepër Jetësore i ndahen 5 mijë euro, kurse fituesve tjerë nga 2,500 euro.