Debati rreth rrezikut të fëmijëve nga interneti nuk i 'tërheqë' ministrat e deputetët

Në pikën e fundit të seancës së sotme u debatua në lidhje me sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit në Kosovë të cilin e kishte inicuar deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.

Për shkak të mungesës së ministrave dhe numrit të vogël të deputetëve të pranishëm në seancë deputetja Haxhiu propozoi që ky debat të tërhiqet për seancën tjetër por kjo u kundërshtua nga kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti.

Në fjalën e saj deputetja Teuta Haxhiu u thirr në disa hulumtime që janë realizuar nga organizata të ndryshme për përdorimin e internetit nga fëmijët.

“Më të preferuarat janë rrjetet sociale, ka mangësi të monitorimit nga prindërit dhe mësuesit. Është e vështirë për të rriturit që të monitorojnë fëmijët e tyre për shkak të përdorimit privatisht të internetit në telefonat e mençur, në dhomat e tyre apo edhe së bashku me shokët. Përdorim i internetit nga fëmijët në Kosovë është shumë i personalizuar”, theksoi Haxhiu.

Iniciuesja e debatit theksoi se ekziston rreziku që fëmijët të mund të takojnë dikë në internet që mund të abuzojë me ta ballë për ballë.

“Fëmijët kanë informacione personale në profilet e tyre në rrjetet sociale që i bën objektiv të personave të panjohur. 44 për qind e fëmijëve kanë deklaruar se kanë takuar një apo dy të panjohur që e kanë njohur përmes internetit”, ka përfunduar ajo.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci theksoi se tani fëmijët dhe të rinjtë nuk janë vetëm përdorues por edhe protagonistë të internetit.

“Ne duhet të marrim masa që fëmijët tanë t’i sigurojmë në internet. Rreziqet kryesore që janë evidentuar edhe nga fëmijët janë ato që lidhen me përmbajtjen, sjelljen dhe kontaktet. Rezultatet e hulumtimeve tregojnë që janë rritur rezultatet e dhunës online. Akoma mbetet sfiduese mbrojtja e mangët që ofron korniza ligjore për sigurinë e fëmijëve në internet. Edhe pse në Kosovë ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve nga krimet kibernetike por mungon legjislacioni sekondar”, ka thënë deputetja Nagavci.

Ajo më tej ka shtuar se me urgjencë duhet të rritet vetëdijesimi i prindërve se si duhet t’i bllokojnë web faqet që kanë përmbajtje të dëmshme për fëmijët.

“Me gjithë vullnetin e mirë nuk mund të thuhet që shkollat janë të përgatitura për t’i ndërtuar kapacitetet e fëmijëve për sigurinë në internet. Qeveria duhet të inkurajojë dhe financojë trajnime për mësuesit dhe prindërit”, theksoi deputetja Nagavci.

Nagavci në fund tha se MAShT duhet të mbështesë bashkëpunimin mes prindërve, mësuesve e shoqërisë civile për krijimin e kushteve më të favorshme për përdorimin e internetit nga ana e fëmijëve.

Deputetja nga PDK, Flora Brovina numëroi dëmet që i shkakton përdorimi i internetit në mënyrë të pakontrolluar në shëndetin e fëmijëve.

“Nuk u diskutua për shëndetin e fëmijëve, qasja në internet dhe përdorimi i tepërt i telefonave të mençur që nga mosha 2 vjeçare, si ndikon në shëndetin e fëmijëve dhe si ndikon në psikologjinë e fëmijëve. Përdorimi i këtyre mjeteve është sinjal se fëmijët kanë mangësi të shoqërimit me fëmijët e tjerë, shfaqin varësi emocionale e cila do të shfaqet më vonë në moshën e adoleshencës. Dëmtimet e tjera që ndodhin janë edhe të natyrës mjekësore, dëmtimi të pamurit, dëmtimi i qëndrimit të boshtit të kurrizit, të gjymtyrëve, largimi i fëmijëve nga libri”, ka thënë Brovina.

Ajo më tej ka shtuar se derisa se flasim për dy kategori të fëmijëve, ku disa jetojnë në varfëri të skajshme të cilët e mendojnë ushqimin dhe kategorinë tjetër të fëmijëve të cilët mendojnë për telefonat e mençur sikur t’i kenë lodra.

“Mjetet elektronike dhe interneti ndikojnë edhe pozitivisht por nëse nuk kontrollohen dhe nuk përdoren në mënyrë të kontrolluar dëmi i shkaktuar në shëndet janë të pakthyeshme”, ka përfunduar Brovina.

Deputetja tjetër nga PDK, Ganimete Musliu potencoi se debatet e rëndësisë të tillë mos të vendosen në rend të ditës vetëm sa për t’u kaluar.

“Ne kemi folë vetmevete  për tri ditë pa u ndalë e nuk kemi marrë asnjë vendim, madje tash nuk ka as edhe transmetim live, përmes këtij debati përveç që është dashtë të nxjerrim rekomandime është dashtë të bartim edhe një mesazh”, ka theksuar Musliu.

Ajo bëri apel te prindërit për kujdes të shtuar në përdorimin e internetit.

“Fëmijët janë të rrezikuar, nuk mund të kërkojmë nga shteti kur ka prindër që në postimet në rrjetet sociale hyjnë e komentojnë në gjuhën më banale e pastaj e sheh që shokë të përbashkët janë fëmijët e tyre të cilët mund t’i lexojnë ato komente e ta marrin të njëjtë rrugë, po bëj apel që prindërit duhet të kenë kujdes të shtuar në përdorimin e internetit”, ka përfunduar Musliu.

Në fund të seancës deputetja që e ka inicuar këtë debat, Teuta Haxhiu lexoi rekomandimet e propozuara për të cilat tha se do të harmonizohen dhe do të votohen në seancën e ardhshme.

“Institucionet përgjegjëse MAShT, DKA-të dhe shkollat të organizojnë trajnime vetëdijesuese për mësuesit, të organizohen trajnime obligative për mësuesit për TIK, udhëzuesit për përdorim të sigurt të internetit, hartimi i rregulloreve në nivel të shkollës, plani zhvillimor i shkollës të plotësohet me masa konkrete nga keqshfrytëzimi i internetit, të mbahen debate nëpër media për përdorimin e sigurt të internetit, monitorimi i fëmijëve nga prindërit, të parandalohet me ligj çështja e shantazhit në rrjetet sociale, ndalimi i përdorimit të telefonave të mençur për shkollat fillore”, lexoi me radhë rekomandimet Haxhiu.