COVID-19 transformon tërësisht organizimin e edicionit të sivjetëm të ‘Dokufestit’ 

Edicioni i sivjetëm i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “Dokufest” do të jetë ndryshme nga edicionet e kaluara. Nuk do të ketë shfaqje të filmave në kinema, as aktivitete rekreative e mbrëmje muzikore, sikurse edicionet e kaluara.  

Gjithë festivali do të mbahet online dhe mbi 150 filmat e këtij edicioni do të transmetohen në formë digjitale, në platformën e cila do të krijohet nga “Dokufesti”, në kuadër të webfaqes, dokufest.com. 

Edicioni i 19-të i “Dokufestit” këtë vit mbahet nga data 7, deri më 25 gusht 2020 në Prizren. 

Për shkak të masave të fundit të qeverisë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit COVID-19 dhe ndalimit të qarkullimit nga ora 21:00 edhe në Prizren, organizatorët e “Dokufestit” janë detyruar të anulojnë aktivitetet qoftë edhe në ambiente të hapura dhe gjithë festivalin ta mbajnë në formë digjitale. 

Shumica e filmave që do të shfaqen në kuadër të “Dokufestit” do të jenë me pagesë, e cila do të bëhet online, sipas udhëzimeve që do të plasohen në webfaqen e festivalit.

  

Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e “Dokufestit” ka thënë për Kallxo.com se edicioni i sivjetëm do të mbahet online. 

 Sipas saj, këtë edicion do të jenë mbi 150 filma në disa kategori që do të shfaqen online. 

Ajo ka thënë se shfaqja e filmave do të bëhet përmes platformës e cila do të krijohet nga “Dokofesti” dhe hyrja në platformë do të mundësohet përmes webfaqes së festivalit. 

“Në webfaqen, dokufest.com do të jetë një buton, ku shkruan shikoni filmat online, i cili mundëson lidhjen me platformën për shikimin e filmave. Filmat do të jenë me pagesë. Çmimi i një sloti me kohëzgjatje 1 orë e 30 minuta, do të jetë 2 euro. Edhe pagesa bëhet online dhe udhëzimet për të bërë pagesën do të jenë në web, përmes butonit për shikimin e filmave, dhe pasi të jepni të dhënat, shikuesve u shkon në email fatura e pagesës”, ka thënë drejtoresha Llulla. 

Ajo ka thënë se të gjithë filmat e programit të sivejtëm të “Dokufetit” do të dalin online që nga fillimi deri në fund të festivalit do të jenë të qasshëm. 

Drejtoresha Llulla ka thënë se do të ketë edhe oferta më të lira për shikuesit për të parë filmat.  

Ndërsa, Veton Nurkollari, drejtor artistik i “Dokufestit” ka thënë për Kallxo.com se për shkak të coronavirusit janë detyruar të zvogëlojnë një pjesë të programit. 

Ai ka thënë se në kuadër të “Dokufetstit” do të shfaqen diku 150 filma në 8 kategori garuese. 

“Sivjet kemi shtuar një kategori garuese në krahasim me vitet e kaluara, një lloj në mes të filmit dokumentar dhe gazetarisë hulumtuese, që kanë të bëjnë më shumë me gazetari hulumtuese, afera, etj.  Do të jenë mbi 150 filma për këtë vit shumica në kategorinë garuese, dhe një program të vogël për filma për fëmijë”, ka thënë Nurkollari. 

Nurkollari ka thënë se përzgjedhja e programit të sivjetëm të “Dokufestit” ka qenë mjaft sfiduese për shkak të COVID-19, por që me kohë janë përgatitur për skenarin për mbajtjen online të një pjese të festivalit. 

“Edhe pse festivali mbahet online një aspekt pozitiv është se ne do të dalim jashtë Prizrenin dhe do të jemi prezent jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, në një pjesë të Malit të Zi dhe Maqedonisë. Jemi duke hulumtuar mundësitë që të jemi prezent edhe në pjesët tjetra në Ballkanit. Pra, mundësia për të parë filmat është shumë e madhe”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë se edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet online, dhe qasja do t’i mundësohet çdo kujt që ka qasje në internet. 

Nurkollari ka thënë se përveç filmave me pagesë, do të ketë edhe filma që do të mund të shihen pa pagesë. 

 “Filmat për fëmijë dhe filmat nga gara e filmave kombëtar të kinesatëve shqiptare dhe të diasporës do të jenë pa pagesë, por do të kemi së pak edhe një apo dy programe pa pagesë, që tashmë jeni duke i finalizuar. Natyrisht do të ketë edhe një punëtori të vogla dhe biseda për çështje të ndryshme, si për të drejtat e njeriut, ambientin dhe disa filmbërsë që do të flasin për industrinë e filmit. Planifikojmë një masterklas me një emër të njohur në skenë e filmit evropian”, ka thënë Nurkollari. 

Edicioni i sivjetëm i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “Dokufest” mbahet nga 7 deri më 25 gusht 2020 në Prizren. Këtë edicion “Dokufesti” do të mbahet tërësish online për shkak të COVID-19 dhe pas masave shtrënguese që janë marrë nga qeveria për të luftuar pandeminë.