Coronavirusi, qendrat mjekësore në komuna të pa furnizuara

Personelet mjekësore nëpër disa komuna të Kosovës nuk janë të pajisur mjaftueshëm me material mbrojtës për t’i bërë ballë pandemisë së COVID-19.

KALLXO.com ka kontaktuar me disa drejtorë komunalë të shëndetësisë, të cilët kanë thënë se janë duke u ballafaquar me mungesë të mjeteve mbrojtëse për personelin mjekësor, mungesë të medikamenteve nga lista esenciale e disa mungesa të tjera.

Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, ka thënë për KALLXO.com se gjendja momentalisht është stabile dhe janë në bashkëpunim me institucionet relevante.

“Për momentin kemi. I kemi marrë të gjitha masat sipas vendimeve të qeverisë. Jemi në kontakt të vazhdueshme me MSH , spitalin rajonal, IKSHP dhe të gjitha dikasteret e sigurisë. Gjendja është stabile momentalisht”, ka thënë Shehu.

Gjendja nuk është e njëjtë në komunën e Rahovecit. Sipas drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Samir Mustafa, personeli shëndetësor kanë mungesë të mjeteve mbrojtëse si dhe medikamenteve.

Mustafa po ashtu është ankuar edhe për mos bashkëpunim nga niveli qendror.

“Kemi mungesë të mjeteve mbrojtëse dhe higjienike, mungesë dorëzave e maskave për personel. Sa i përket personelit kemi mjekë e infermierë të mjaftueshëm, në rast nevoje kemi mjek vullnetarë që janë paraqitur. Me medikamente kemi mungesë të barnave esenciale, furnizime nga ministria nuk kemi marrë. Ministria na jep vetëm rekomandime e asgjë tjetër  s’na ofron, vetëm disa maska dhe dorëza dhe pak material higjienik që nuk janë të mjaftueshme për personelin”, ka thënë Mustafa.

E në kryeqytet, sipas drejtorit të shëndetësisë, Bujar Gashi, personeli mjekësor ka probleme vetëm me rrobat një njëpërdorimshe sepse sipas tij, ato i kanë pranuar në sasi minimale.

“Aktualisht kemi masa mbrojtëse për punëtorët shëndetësor si dorëza, maska dhe dezinfektues një sasi solide, problem paraqet veshja (uniforma komplete) sasi minimale. Në Komunën e Prishtinës janë 16 Qendra të Mjekësisë Familjare dhe 15 Ambulanca të Mjekësisë Familjare me gjithsej 840 punëtor, llogariteni shpenzimin e mjeteve mbrojtëse brenda ditës. Probleme me numrin e personelit kemi pas edhe në gjendje normale. Ndërsa nuk kemi probleme me medikamente esenciale”, ka thënë Gashi për KALLXO.com

Drejtori i Shëndetësisë në Gjakovë, Ferdinand Kolaj ka thënë për KALLXO.com se kanë mungesa të materialeve, por që kanë bërë zgjidhje me një kompani, e cila , ka shpërndarë rreth 2000 maska për personelin shëndetësor.

“Ka personel të mjaftueshëm shëndetësor, ndërsa ata kanë nevojë për mjete mbrojtëse ende, moemntalish kemi bërë zgjidhje për maska nga një kompani që po i qep, i kemi shpërndarë 2000 maska në të gjitha QMF edhe në dy pikat kufitare që drejtoria për shëndetësi po i menaxhon, rrobat një përdorimshe po kujdesemi që të mos i shpenzojmë pa nevojë, me medikamente jemi të furnizuar 30-40%, i kemi bërë disa kërkesa në Ministri të Shëndetësisë tash ta shohim, por as ata nuk kanë faj se nuk ka edhe atje”, ka thënë Kolaj.

Por maskat që po përdoren në Gjakovë duket se nuk janë konform standardeve. Ministria e Shëndetësisë deklaroj se maskat e prodhuara në Gjakovë nuk janë të certifikuara dhe nuk mund të përdoren në institucione shëndetësore.

Pejë stafi blenë mjete me paratë vetanake 

Petrit Loci, drejtor i shëndetësisë në Pejë ka thënë se janë duke u përballur me mungesa sepse nuk janë furnizuar mjaftueshëm. Sipas Locit, personeli mjekësor janë duke u kujdesur vetë e po ashtu edhe me donatorë të ndryshëm.

“Nuk mund të pohoj që jemi mjaftueshëm të furnizuar me mjete mbrojtëse, disa prej stafit shëndetësor po kujdesen me mjete vetanake e disa edhe përmes donatorëve. Rrobat njëpërdorimshe i kemi siguruar disa prej Ministrisë së Shëndetësisë dhe po presim të furnizohemi përsëri se ashtu na kanë thënë. Ne kemi personel të mjaftueshëm shëndetësor dhe sfida jonë është vetëm pajisja me mjete mbrojtëse, medikamentet esenciale nuk janë në numër të mjaftueshëm, por po presim furnizimin nga ministria”, ka thënë Loci.

Kryetari i komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq ka thënë për KALLXO.com se janë furnizuar mirë dhe kanë mjaftueshëm mjete mbrojtëse.

“Me mjete mbrojtëse jemi furnizuar mirë. Po për fat të mire staf kemi mjaftueshme edhe për momentin edhe ne si komunë po dërgojmë ekip mjekësore në kufi me Shqipërinë. Për medikamente kemi, por ka nevojë ende, ne si komunë kemi shpallur tender për furnizim me  medikamente”, ka thënë ai.

Edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Suharekë, Sala Bytyqi ka thënë se nuk kanë mjaftueshëm as barna dhe as mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor.

“Ne kemi material mbrojtës vetëm edhe gjatë vikendit, nëse furnizohemi me mjete gjatë vikendit do të ishte shumë mirë, kemi staf të mjaftueshëm shëndetësor, por nuk kemi medikamente sepse nuk jemi furnizuar qe një kohë”, ka treguar Bytyqi për KALLXO.com.

E në komunën e Vitisë, e cila ka raste të konfirmuara me virusin COVID-19, situate është stabile sipas drejtorit të shëndetësisë, Basri Aliu.

Aliu për KALLXO.com ka thënë se tashmë po qëndrojnë mire me furnizim pasi kanë pranuar mjete nga Ministria e Shëndetësisë dhe donatorët.

“Momentalisht jemi mirë, kemi pranuar një sasi nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga donatorët, aktualisht jemi me minus 8 mjekë për shkak se janë në vet karantinë, por I kemi tre mjek vullnetarë, nuk kemi pasur rast të ri dhe po e menaxhojmë mirë situatën”, ka thënë Aliu.

Vitia dhe Klina ishin ankuar në ditët e para të pandemisë për mungesa në furnizime si dorëza dhe maska.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorët e shëndetësisë në komunat e tjera, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje përmes një konference për media ka njoftuar se ka filluar shpërndarja e kontigjentit të furnizimeve pas blerjeve.

“Ka filluar shpërndarja e kontingjentit të parë të furnizimeve pas përfundimit të procedurave prej 400 mijë eurove të ndara më herët nga Qeveria, me prioritet komunat ku janë ndaluar hyrje-daljet si Vitia, Klina, Malisheva dhe Malisheva. Kjo do të vazhdoj edhe në komunat e tjera, ku ka nevojë dhe mungesa të materialeve mbrojtëse”, ka thënë ministri Vitia.

Gjithashtu, KALLXO.com ka raportuar se Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 88 mijë eurove për pajisje me 11 mijë veshje mbrojtëse të madhësive të ndryshme për mbrojte nga coronavirusi, 25 mijë e 500 maska respiratore në vlerë prej 203,745 mijë eurove, 6 mijë mburoja për fytyrë në vlerë prej 28,320 mijë eurove, 1 mijë syze mbrojtëse në vlerë prej 2,500 mijë eurove,10 mijë çarçafë për një përdorim në vlerë prej 28,500 mijë eurove.

Në një tender të ndarë në 10 lote, Ministria e Shëndetësisë ka blerë syze mbrojtëse, çarçafë për një përdorim, mburoja për fytyrë, maska respiratore, veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë L, veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XL dhe veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XXL.

Ndërsa nuk ka blerë sasinë e planifikuar prej 5,209 dezinfektuesve për duar së bashku me dispanzer si dhe nuk ka blerë sasinë e planifikuar prej 150 termometrave infra të kuq për ballë.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar se sipas të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se për dy ditë në Kosovë kanë hyrë 4 mijë e 669 litra dezinfektues të duarve nga Turqia.

Në Kosovë, nga 13 marsi deri më sot janë shënuar 22 persona të prekur me coronavirus.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 20 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 246,181 raste të COVID-19 me 10,049 raste të vdekjes. Numri më madhi rasteve raportohet nga Kina (80.967), Italia (41.035), Irani (18.407), përderisa në BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar gjithsej 111.573 raste të COVID-19: Itali (41.035), Spanjë (18.077), Gjermani (15.320), Francë (10.995), Mbretëri të Bashkuar (3.269), Holandë (2.460), Austria (2.196), Belgjikë (1,795),Greqi (464), Turqi (359), Serbi (118), Kroaci (110), Shqipëri (64), Maqedoni e veriut (50).

Deri me 20 mars 2020 nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar 5.025 raste të vdekjes: Itali (3,405), Spanjë (831), Francë (372), Mbretëri të Bashkuar (144), Gjermani (44), Belgjikë (21), Poloni (5), Greqi (6), Danimarkë (46, Norvegji (7) Austri (6), Luksemburg (4), Turqi (4), Bullgari (3), Irlandë (3), Shqipëri (2) dhe Hungari (1).

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).