'Çnjohja' e Kosovës - A e ekziston diçka e tillë

Serbia thotë se bindja e shteteve për shfuqizimin e njohjes së Kosovës është një “projekt shtetëror”, që zhvillohet paralelisht me negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që kanë për qëllim zgjidhjen e marrëdhënieve mes të dy vendeve, raporton Balkan Insight.

Deri tani, Beogradi thotë se dhjetëra shtete kanë bërë një gjë të tillë. Ato janë vende të vogla që nuk kanë pushtet të madh gjeopolitik; disa madje thonë se e kanë vënë njohjen e ish provincës serbe ‘në pritje’ për të pritur bisedat e BE-së, derisa të tjerat nuk kanë pasur lidhje zyrtare diplomatike me Prishtinën.

Serbia thotë se ngadalë por sigurtë po e kthen baticën, duke e zvogëluar numrin e vendeve që e kanë njohur Kosovën, sipas tyre nën 100 vende nëpër botë.

Sidoqoftë, ekspertë ligjor vënë në dyshim ndikimin real dhe madje bazën ligjore për një kërkesë të tillë.

Në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës vazhdojnë të figurojnë 116 vende në listën e njohjeve.

“Tërheqja e njohjes nuk ekziston në ligjin ndërkombëtar”, tha Enver Hasani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Njohja e një vendi është veprim i pakthyeshëm i natyrës politike. Do sillte pasoja juridike, të cilat nuk mund të fshihen me një akt të mëvonshëm i cili synon një ‘çnjohje’ të njëjtit vend”, thotë Hasani.

Njohja mund ta ndihmojë një vend të fitojë elementet e shtetësisë, tha Milos Hrnjaz nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, por tërheqja e njohjes është e kontestueshme.

“Në teori, nëse njohja është ‘de juro’ është e pakthyeshme; vetëm njohja ‘de facto’ është e kthyeshme”, tha Hrnjaz për BIRN.

“Në rastin e tërheqjes së njohjes (dhe kjo konsiderohet si koncept kontravers në ligjin ndërkombëtar), shteti në fakt do të tërheq pasojat juridike që ka shkaktuar njohja”, thotë ai.

Tërheqja dërgon në fundin e marrëdhënieve diplomatike

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, gati një dekadë pas sulmeve ajrore të NATO-së që larguan forcat serbe të akuzuara për vrasje dhe pastrim etnik të popullsisë civile shqiptare gjatë një lufte brutale kundër kryengritjes.

Me një popullsi 90% shqiptarë, Kosova ishte njohur menjëherë nga vendet e mëdha dhe të fuqishme perëndimore duke pasuar edhe me disa vende tjera vitet në vijim. Serbia, në anën tjetër tha se nuk do ta pranonin kurrë njohjen e Kosovës dhe për këtë ka përkrahjen e Rusisë, e cila ka të drejtë vote në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

BIRN kërkoi komente edhe nga ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, por asnjëri nuk u përgjigj.

Me përjashtim të Bosnjës dhe Hercegovinës, të gjitha ish republikat jugosllave e kanë njohur Kosovën. Poashtu edhe 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së. Ende Spanja, Greqia, Qipro, Romania dhe Sllovakia nuk e kanë njohur. As Kina nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Në vitin 2013, ishulli Afrikan Sao Tome dhe Principe deklaroi se ka tërhequr njohjen e Kosovës. Të tjerat kanë ndjekur këtë që nga viti 2017.

Në fund të Janarit, teksa po i drejtohej komitetit për punë të jashtme në parlamentin serb, Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq, tha se 17 vende kanë tërhequr njohjen ose janë duke i ridefinuar pozicionet e tyre për Kosovën: Ghana, Burundi, Lesotho, Sao Tome, Surinami, Liberia, Guinea e re, Dominika, Grenada, Guinea- Bissau, Unioni i Komoros, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau, Togo, Republika e Afrikës qendrore dhe Nauru.

Enver Hasani, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, tha se, në fakt, një vend që thotë se i ka tërhequr njohjet “Nuk është tërheqje por prishje e marrëdhënieve diplomatike me atë vend”.

“Kjo do të thotë se kur një vend prish marrëdhëniet diplomatike, atëherë të gjitha misionet dhe konsullatat diplomatike mbyllen dhe qytetarët e vendeve respektive nuk do jenë në gjendje të udhëtojnë me të njëjtin dokument që i është njohur deri dje”, tha ai për BIRN.

“Këto vende që kanë deklaruar të ashtuquajturën çnjohje të Kosovës kanë qenë vende që nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike të themeluara me Kosovën. Kjo do të thotë se nuk kanë pasur çfarë të mbyllin sepse nuk kanë ekzistuar misione diplomatike të tyre në Kosovë”, tha ai.

Hrnjaz nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd tha se “Në disa raste numri i njohjeve mund të jetë i rëndësishëm, si shembull në rastet kur ekziston një ndarje e mprehtë mes shteteve para-ekzistuese, nëse një entitet përmbush ose jo kërkesat e lartpërmendura për shtetësi dhe nëse ai duhet të bëhet shtet apo jo”.

Taktike por jo strategjike

Fushata serbe ka nxitur shumë polemika

Në qershor 2019, kur Daçiq deklaroi se Republika e Afrikës Qendrore ka tërhequr njohjen. Kosova i quajti këto deklarata si “fake news”, dhe më pas e akuzoi Serbinë se kishte paguar 340,000 mijë dollarë për këtë vendim.

Duke cituar portalin e lajmeve Corbeau të Afrikës, mediat në Kosovë raportuan se ministri i jashtëm Sylvie Baipo Temon kishte marrë paratë nga një ‘këshilltar’ i Daçiqit gjatë një takimi në Francë.

Autoritetet e Kosovës e emëruan këshilltarin si Vladimir Cizelj. Cizelj nuk është zyrtarisht i punësuar nga Ministria e Jashtme serbe, por ka lidhje me Daçiqin. ‘Instituti Vlatacom’ me qendër në Beograd, i cili prodhon pajisje sigurie dhe ku Cizelj është drejtor, i tha Radios Europa e Lirë se nuk kishte kaluar aspak kohë në Francë në vitin 2019.

Pyetjet ishin ngritur prapë në dhjetor 2019, kur deputetja nga opozita Marinika Tepic e akuzoi Daçiqin se po kërkonte para nga biznesmenët serb për t`i paguar vendet për tërheqje të njohjes së Kosovës. Daçiq mohoi këto akuza, duke u shprehur se kjo fushatë ishte një “projekt shtetëror” dhe se ‘gjithçka shkon përmes institucioneve’.

Hrnjaz tha se fushata e Serbisë është më shumë taktike sesa strategji

“Me fjalë të tjera, qëllimi duket se nuk është të qëndrojmë fort në pozicionin se Kosova nuk është shtet dhe të bëhet gjithçka për të mos u bërë një i tillë, por që tërheqja e njohjes është një nga kartat që duhet të shërbejnë në negociatat e ardhshme për statusin e saj”, tha ai BIRN.

“Qëllimi është të tregohet se shtetësia e Kosovës nuk është diçka e përfunduar, por diçka për të cilën duhet të negociohet, se ka ende arsye që disa prej kërkesave të Serbisë duhet të përmbushen”, tha ai.

Në anën tjetër, Enver Hasani, megjithatë, tha që efekti i vetëm për t`i dëmtuar më tej raportet midis Kosovës dhe Serbisë, ishte hakmarrja nga Prishtina në nëntor 2018 në formën e një tarife 100% për mallrat serbe, e cila ndaloi  bisedat e udhëhequra nga BE-ja.

“Ky ka qenë i vetmi efekt për këto lobime të politikave serbe për tërheqje të njohjeve të Kosovës nga disa vende. Asgjë më shumë”, tha ai.

I dërguari special nga SHBA për bisedime, Richard Grenell, tha se dy vendet duhet të qetësojnë tensionet.

Gjatë vizitës në Beograd më 23 Janar 2020 Grenell vuri në pah lidhjen mes tarifës dhe fushatës për tërheqje të njohjeve.

“Unë u thash në Kosovë se duhet të heqin taksën, por në të njëjtën kohë do insistojë që Serbia të ndalë fushatën ë tërheqjes së njohjeve të Kosovës”, tha Grenell gjatë vizitës së tij në Beograd.

“Duhet të ndodhë në të njëjtën kohë, dhe të jem i sinqertë, unë mendoj se do ndodhë së shpejti”, tha Grenell.