Ilustrim

Cilat janë kapacitetet e Kosovës për prodhimin e energjisë diellore?

Në raportin, i cili ishte arsyeja që Banka Botërore të tërhiqet nga mbështetja e idesë për termocentralin ‘Kosova e re’, janë renditur disa nga opsionet për furnizim me energji elektrike të cilat kanë kosto më të ulët.

Njëra ndër këto opsione është edhe prodhimi i energjisë elektrike përmes energjisë diellore.

Raporti i Bankës Botërore parashikon se deri në vitin 2020 do të ndërtohen kapacitete të energjisë diellore deri në 30 MW.

Në raport thuhet se një projekt i vogël është autorizuar dhe tri projekte të tjera me kapacitet prej 9 MW kanë marrë autorizimin final.

Poashtu, Banka Botërore në raportin e saj ka potencuar se ka interesim të madh nga investitorët privat për prodhimin e energjisë elektrike përmes paneleve diellore (PV) dhe me bateri për ruajtjen e energjisë dhe (BESS).

Në raport është theksuar se një investitor privat ka propozuar një projekt te Qeveria e Kosovës për të ndërtuar 150 MW të energjisë diellore te minierat e linjitit.

Në tetor të vitit 2018, në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim publikisht kishte deklaruar që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

Organizata partnere e Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Ekonomi të Energjisë dhe Analiza Financiare (IEEFA), publikoi përmbledhjen ekzekutive të raportit të Bankës Botërore për opsionet e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

Rezultatet e këtij raporti, të cilat asnjëherë nuk u bënë publike, ishin arsyeja që Banka Botërore të tërhiqet nga mbështetja e idesë për një termocentral të ri në Kosovë.

Në mënyrë më të detajuar, Banka Botërore atëherë shikoi tre skenarë në mënyrë që të rendiste opsione të ndryshme të furnizimit të Kosovës me energji elektrike me kosto më të vogël.

Sipas Bankës Botërore, energjia e ripërtërtishme dhe efiçienca janë opsionet me kosto më të ulët të energjisë elektrike.

“Kosova mund të përmbushë nevojat e saj të ardhshme për energji elektrike të paktën me kosto më të ulët duke zhvilluar burimet e saj të ripërtëritshme të energjisë, duke investuar në efiçiencën e energjisë dhe duke pastruar gjenerimin ekzistues të energjisë nga qymyri”, ka shkruar Gerard Wynn, Konsulent për financimin e energjisë në IEEFA.

Pse nuk e përkrahu Banka Botërore ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’?