Çfarë u Realizua nga Strategjia Milionëshe për Arsim?

Sistemi i Arsimit në Kosovë nuk ka pasur progres substancial siç ishte parapraë në Planin Strategjik për Arsimin në Kosovë.

Në shumicën e fushave të cilat u përcaktuan në strategjinë 5 vjeçare të arsimit PSAK ka ngecje të vazhdueshme, sipas raportit të monitorimit nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në bashkëpunim me Agjencinë për  Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK), Balkan Sunflowers Kosova (BSFK), Akademinë e Trajnimeve dhe Asistencës Teknike (ATTA) dhe Stichting SPARK.

Sipas këtij raporti, për zbatimin e kësaj strategjie në vitin 2017 janë dashur 9 milionë euro ndëraq 7 objektivat përfshinë Pjesëmarrjen dhe Gjithëpërfshirjen, Menaxhimin e Sistemit Arsimor, Sigurimin e Cilësisë, Zhvillimin e Mësimdhënësve, Mësimdhënëia dhe të Nxënit, Arsimi dhe Aftësimi Profesional, Arsimi për të Rritur dhe Arsimi i Lartë.

E gjithë strategjia e miratuar nga Qeveria e Kosovës ka të paraparë buxhetin prej 176.9 milionë euro me një boshllëk të konstatuar prej 89.6 milionë euro.

Në 6 nga 11 të gjeturat e këtij raporti përshkruhet një ngecje në arritjen e objektivave dhe kjo shpesh për shkak të mungesës së organizimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Raporti përshkruan se pothuajse në të gjitha kategoritë të gjithëpërfshirjes në arsim ka trend të rritjes përveq në përfshirjen e komuniteteve dhe fëmijëve me nevoja të veçanta.

Lidhur me menaxhimin e sistemit arsimor është vlerësuar se ‘aktivitetet e orientuara kah ndërtimi i kapaciteteve në nivelin qendror dhe komunal nuk janë zhvilluar sipas planifikimit dhe kanë pasur efekte të kufizuara’.

Konsiderohet si ngecje edhe mos miratimi i Ligjit për Inspektoratin e Arsimit, i finalizuar në vitin 2016.

Në këtë raport thuhet se administrimi i testeve kombëtare mbetet pikë e dobët e zbatimit efektiv të tyre.

Mos fillimi i procesit të vlerësimit të mësimdhënëve dhe problemet me pagat konsiderohet si mospërmbushje e strategjisë PSAK për 2017.

Gjendja nuk është e mirë edhe në zbatimin e Kurrikulës së Re, në arsimin për të rritur si dhe në Arsimin e Lartë, sipas këtij raporti.

“Megjithëse ka përmirësime në zbatimin e kritereve për zgjedhjen e stafit akademik, nuk ka pasur veprime konkrete për adresimin e shkeljeve flagrante të integritetit akademik nga ana e ndonjë institucioni të arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet në raport.

Megjithatë është konstatuar se ‘shkalla bruto e regjistrimit në arsimin e lartë është 84.23 përqind që e rradhit Kosovën në vendin e tetë në botë, ndërsa i tejkalon të gjitha vendet evropiane përveq Greqisë, Spanjës, Bjellorusisë dhe Finlandës’.

Rreziku nga Ndalesa e Fondeve Ndërkombëtare për Arsim

Prezantimi i Raportit të Monitorimit të PSAK-ut pati mysafirë përveq Ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi edhe Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natliya Apostolova.

Në gjetjet e këtij raporti nuk pati vërejtje Ministri Bytyqi i cili ka marrë postin për më shumë se gjashtë muaj.

Arsyetimi i tij lidhur me progresin e vogël në të mirën e sistemit arsimor ishte prioritetet e qeverisë të cilës i përket.

“Kini parasysh se unë jam një ministër i Arsimit ku Qeveria e Kosovës dhe politika në Kosovë nuk e ka prioritet arsimin. I ka shumë më prioritet temat e tjera politike sesa temën e arsimit”, tha ai të hënën.

Megjithatë ai tregoi gatishmëri për punë më të madhe në përfshirjen e komuniteteve në arsim.

“Ne jemi të zotuar si ministri që gjysmën e këtij viti duhet ta mbyllim infrastrukturën ligjore për pjesëmarrjen e komuniteteve në shkolla dhe duhet t’i krijojmë kushtet sa më parë. Konsideroj që ka një gatishmëri të madhe edhe të partnerëve që të na ndihmojnë”, deklaroi ministri.

Ky arsyetim megjithatë nuk e zbehu zhgënjimin e Apostolova-s nga rezultatet e cila përmendi edhe rrezikun e ndërprerjes së fondeve të BE-së për arsim.

“Po punojmë së bashku në bërjen e një plani të veprimit, që i përfshin veprimet më urgjente që duhet të ndërmerren. Dështimi për të dëshmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në përgjithësi s’do të na linte mundësi tjetër përveç rikonsiderimin e mbështetjes financiare të BE-së. E mendoj se kjo duhet të bëhet shumë e qartë se nëse në të vërtetë nuk ka reforma që ne duam të presim rregullat e procedurat e BE-së nuk na lejojnë të shpërndajmë fonde”, tha ajo

Rekomandimet për Hapat e Ardhshëm

Sipas raportit të përbashkët të organizatave MASHT ka një varg metodash që duhet përdorur për përmirësimin e gjendjes aktuale për të shkuar po ashtu në vijë me strategjinë PSAK.

Në rekomandimet e raportit përfshihen ndërtimin e mekanizmave për kordinimin e zbatimit të strategjive, kujdes i veçantë për arsimin parashkollor në përfshirjen edhe të komuniteteve.

Njëra ndër thekset e rekomandimeve është edhe minimizimi i punësimeve politike në arsimin parauniversitar.

“MASHT duhet të aprovojë kritere dhe procedura unike dhe të qarta për punësimin e Drejtorëve dhe mësimdhënësve në arsimin parauniversitar, në mënyrë që të minimizohet mundësia e punësimeve jo meritore dhe politike në sistemin e arsimit”, thuhet në raport.

Po ashtu, testi PISA u konsiderua si një çështje për të cilën duhet të punohet në thellësi dhe jo sipërfaqëisht.

“Përkundër rezultatit jo të kënaqshëm të testit PISA, përpjekjet e MASHT dhe të gjithë faktorëve tjerë relevantë duhet të orientohen në përmirësimin thelbësor të gjendjes në sistemin e arsimit, e jo në përmirësimin mekanik të rezultateve të testit.

Masa radikale u kërkuan ndaj personave që kompremetojnë mbarëvajtjen e testit të Arritshmërisë dhe atij të Maturës.

“Administrimi i testit të arritshmërisë dhe Provimit Shtetëror të Maturës duhet të bëhet në atë mënyrë që të sigurohet besueshmëria e rezultateve, qoftë edhe duke marrë masa radikale ndaj shkelësve të rregullave të testit, përfshirë edhe administratorët”, është njëri nga rekomandimet.

Sa i përket stafit arsimor, rekomandohet se ‘për të motivuar mësimdhënësit për punë më të mirë, duhet të funksionalizohet urgjentisht sistemi për licensimin e mësimdhënësve, ndërsa pagat të lidhen me nivelin e licensës’.

Të tjerat kanë të bëjnë edhe me eliminimin e papunësisë strukturore për shkak të mospërshtatjes së drejtimeve shkollore me tregun e punës.

Njëra ndër rekomandimet përfshin edhe pavarësinë e Agjencisë së Kosovës për  Akreditim nga politika, e cila rishtazi u përjashtua nga organizata EQAR për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie nga Ministri Bytyqi.