Ekipi negociator i Kosoves foto KALLXO.com

Çfarë pritet nga takimi i nesërm i ekipit negociator dhe BE-së?

Grupi i ekipit negociator i formuar nga Qeveria e Kosovës – votuar nga Kuvendi i Kosovës, ditën e martë do të zhvillojë takimin e parë me Shërbimin e Jashtëm Evropian (EEAS) në Bruksel, pa prezencën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Takimin e nesërm mes përfaqësuesve të BE-së dhe delegacionit të Kosovës, e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, Maja Kocijançiq, duke thënë se në këtë takim do të shkëmbehen qëndrimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Njëri ndër kryesuesit e ekipit negociator, Fatmir Limaj ditë më parë kishte thënë për KALLXO.com se ky takim do të ketë karakter konsultativ.

Kurse, kryesuesi tjetër i këtij delegacioni, Shpend Ahmeti më 3 janar të këtij viti, kishte thënë për RTV21 se shkuarja në Bruksel, ka për qëllim dakordimin e hapave të radhës drejt arritjes së marrëveshjes finale mes Serbisë dhe Kosovës.

Analistët: Takimi i nesërm i ekipit negociator, hap pozitiv

Në anën tjetër, analistët politik në vend vlerësojnë se kjo ftesë e BE-së për të takuar delegacionin shtetëror të Kosovës në Bruksel, është një hap pozitiv, duke shtuar se duhet të jetë gjithçka transparente.

Jeta Krasniqi nga KDI tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ekipi negociator në këtë takim paraqet Kosovën të koordinuar në dialog.

“Unë e vlerësoj si pozitiv këtë takim të delegacionit shtetëror të Kosovës dhe zonjës Mogerhini dhe pjesëtarë të tjerë të BE-së, të cilët janë lehtësues në procesin e dialogut dhe ajo çka është e rëndësishme për ne si Kosovë, është që ne do të shkojmë të koordinuar në këtë proces”, tha ajo.

Krasniqi që është Menaxhere e Projekteve të rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen e qeverisë për dialogun Kosovë-Serbi, po ashtu tha se është e nevojshme që edhe partitë opozitare të jenë pjesë e dialogut.

“Ne si shtet duhet të koordinohemi mes veti, si delegacioni shtetërorë së bashku me Kuvendin, partitë opozitare dhe presidenti në mënyrë që të arrijmë deri tek qëndrimi i shtetit të Kosovës në këto bisedime dhe të mos kemi diskrepanca që jemi duke parë aktualisht”, tha ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ajo shtoi se llogaridhënia dhe transparenca duhet të jenë çështjet kyçe në fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të “mos kemi përsëritje të skenarëve të kaluara”.

Kurse, analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri tha për Gazetën Jeta në Kosovë se në këtë takim BE do të njihet me pikëpamjet e Kosovës dhe ekipit të saj.

“Do të jetë një takim njoftues dhe Bashkimi Evropian do të njihet me ekipin negociator, i cili është propozuar nga Qeveria dhe është zgjedhur në Kuvendin e Kosovës dhe do të zhvillojnë pikëpamjet e Kosovës dhe të ekipit, po ashtu këto takime do të kenë karakter që synojnë të ndihmojnë Kosovën dhe është takim i parë informues dhe do të shifen tek pas kësaj si do të jenë rezultatet”, tha Tahiri.

Ndërsa, që nga krijimi i ekipit negociator të Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e kishin përkrahur këtë ekip si dhe nuk kanë pranuar që të jenë pjesë e saj.

Ekipi negociator është propozuar nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që kompetencat e dialogut Kosovë-Serbi të mos i takojnë vetëm presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky ekip u votua në Kuvendin e Kosovës më 15 dhjetor të vitit 2018 me 52 vota për dhe 2 abstenime, kurse partitë opozitare LV dhe LDK nuk morën pjesë në seancë.

Ndryshe kryesues të ekipit negociator janë Fatmir Limaj, lideri i Nismës dhe Shpend Ahmeti, lider i PSD-së.

Kurse anëtarët e tjerë të këtij ekipi janë: Enver Hoxhaj nga PDK, Avni Arifi nga AAK, Behgjet Pacolli nga AKR, Mahir Yagcilar KDTP, Dardan Gashi AKR, Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani PSD.

Ekipi negociator, mes kritikave dhe lëvdatave për unitet në dialog

Që nga krijimi i këtij ekipi janë zhvilluar disa takime mes liderëve shtetërorë.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka ndarë 300 mijë euro nga rezervat shtetërore ekipit për dialog.