Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Buxheti i ngufatur, nuk ka vend për projektet që pastrojnë ajrin

Shifrat alarmante të ndotjes së ajrit në Kosovë nuk janë reflektuar si shqetësim në ndarjen buxhetore të shtetit. Institucione lokale e qendrore ndonëse janë munduar të zvogëlojnë nivelin e ndotjes së ajrit me nisma të ndryshme, ende nuk kanë arritur zgjidhje afatgjate dhe nuk kanë treguar nisma vetanake për të gjetur këtë zgjidhje. Ajri sikurse edhe shumë tema të tjera, po mbesin në mëshirën e donatorëve e kredive të ndryshme. 

Projektet e institucioneve për mbrojtje të ajrit janë të pakëta, e në buxhetin e vitit 2021, Ministria e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ka planifikuar vetëm një projekt në kuadër të Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit.

Sipas MEA-s ky projekt do të jetë në vlerë prej 150 mijë eurosh dhe me anë të këtij projekti do të bëhet “Mirëmbajtja dhe servisimi i rrjetit të stacioneve të cilësisë së ajrit që menaxhohen nga IHMK”, për periudhë 3 vjeçare. Më tej në përgjigje thuhet se projekte të tjera për ajrin nuk janë planifikuar për shkak të mungesës së buxhetit.

Aksione dhe përpjekje sporadike për zgjidhje

Para se maskat mbrojtëse në fytyrë të bëhen obligative për t’u mbrojtur nga COVID-19, në Kosovë maskat ishin bërë thuajse të detyrueshme për të përballuar cilësinë e ulët e deri të rrezikshme të ajrit.

Armend Nimani/AFP via Getty Images

Në 2019-ën, statujave në sheshet kryesore të Prishtinës ju vendosën maska mbrojtëse si formë e protestës për helmimet e mundshme nga ndotja e ajrit. 

Gjithashtu, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike disa herë ka bërë thirrje për përdorimin e maskave mbrojtëse. Kujtojmë se vitin e kaluar Prishtina ishte renditur përkrah qyteteve të mëdha si Pekini, Mumbai e Neë Dehli, për ajër të ndotur. 

Termocentralet (Kosova A dhe B) konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes së ajrit, sidomos në rrethinën e Prishtinës, Obiliqit e Fushë Kosovës, duke bërë që këto qytetet të mbajnë primatin për qytetet me ajrin më të pashëndetshëm në Kosovë.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Por, vlerat e ndotjes së ajrit në Kosovë vlerësohet se i shtojnë dukshëm edhe automjetet në qarkullim, sidomos ato të vjetrat, si dhe shfrytëzimi i qymyrit për ngrohje në zonat urbane si dhe në ekonomitë familjare.

Ministria e Ambientit në vitin 2018 kishte sponzorizuar Projektligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja mirëpo ky projektligj nuk është aprovuar në Kuvendin e Kosovës për shkak të shpërndarjes së Kuvendit dhe gjithë procesi është kthyer në pikën fillestare. 

Gjatë muajit gusht të vitit 2018, Ministria e Arsimit kishte ndaluar përdorimin e qymyrit për ngrohje në të gjitha shkollat e Kosovës me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit dhe mbrojtjes së ambientit. Tre muaj pas këtij vendimi, Qeveria e Kosovës me kërkesë të Ministrit të Ambientit kishte marr vendim të ndalojë në të gjitha institucionet publike qendrore  e lokale përdorimin e qymyrit për ngrohje.

Në vitin 2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndaluar dhënien e qymyrit si dhuratë për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kjo masë ishte ndërmarrë me qëllim të parandalimit të ndotjes së ajrit, gjë që ka ndikuar edhe në uljen e numrit të përdoruesve të qymyrit.

Vendim tjetër që është marr për parandalimin e ndotjes së ajrit, ishte edhe ndalimi i qymyrit për punëtorët e KEK-ut.

Për disa vite radhazi KEK ka pasur traditë dhurimin e mesatarisht 10 tonëve qymyr për 4 mijë e 500 punëtorë.

Përdorimi i qymyrit për ngrohje si dhe në ekonomitë familjare është zvogëluar, por ende ka shitje ilegale të tij. Licenca të shfrytëzimit të qymyrit ka vetëm KEK-u dhe kjo nënkupton që nuk ka të drejtë askush tjetër që të eksploatojë dhe shes qymyr nëse nuk ka licencë të shfrytëzimit. 

Ndotja e ajrit në Prishtinë. Foto: Urim Krasniqi

Në fillim të vitit 2018, gjithashtu edhe komuna e Prishtinës kishte ndaluar hyrjen e veturave në qendër të qytetit me qëllim të parandalimit të ndotjes së ajrit. Sipas vendimit të para dy viteve, në qendër të Prishtinës lejoheshin vetëm veturat e automjetet e transportit publik, emergjencës, Policisë së Kosovës, FSK-së, KFOR-it, EULEX-it, Drejtorisë së Inspektoratit, taksive të licencuara, automjeteve për bartjen e personave me aftësi të veçanta që shenjë identifikuese.

Kjo praktikë u ripërsërit dhe disa herë të tjera, por ndotja e ajrit nuk u zvogëlua. 

Nga këta faktorë të ndotjes, sipas ekspertëve shëndetësorë, numri i vdekjeve të foshnjeve prematore si dhe i personave të cilët kanë sëmundje respiratore është i madh. Ndikim në organizëm, ajri i ndotur, ka edhe te personat që janë të shëndetshëm. 

Gjithashtu, edhe jetëgjatësia e kosovarëve është zvogëluar për shkak të ndotjes së ajrit. 

Për shkak të shkaktimit të ndotjes së ajrit, Inspektorati i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ka shqiptuar gjoba për ndotje të ajrit me pluhur ndaj subjekteve ekonomike që merren me thërrmime të gurit gëlqeror (Gurthyesve). Ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve industriale ‘Sharrcem’, TC ‘Kosova B’ dhe ‘Ferronikeli’ për tejkalim të normave të shkarkimeve në ajër.

“Inspektorati i mbrojtjes së mjedisit, gjatë ushtrimit të kontrolleve dhe mbikëqyrjeve inspektuese ka ndërmarrë masa sanksionuese ndaj subjekteve të ndryshme  për shkelje ligjore në rastet e ndotjes së ajrit edhe ndaj personave fizik dhe ndaj atyre juridik me shqiptimin e masave sanksionuese me gjoba kundërvajtëse  dhe me rast të procedimit të kërkesave për kundërvajtje në Gjykata Themelore për shkelje ligjore të ndotjes së ajrit dhe për kalim të normave të shkarkimit”, thuhet në përgjigjen e MEA-s.

Donacionet për mbrojtjen e ajrit nga ndotja 

Rreth mbrojtjes së ajrit dhe parandalimit të ndotjes Kosova ka marrë donacione nga donatorë të ndryshëm.

BE, JICA, MCC, USAID, UNDP, Banka Botërore, SIDA, Ambasada Franceze, UNICEF, Save the Children dhe OBSh janë disa investime të donatorëve dhe Qeverisë në mbrojtje të ajrit.

Sipas përgjigjeve të MEA-s, Agjencioni për Mbrojtje të Mjedisit pothuajse në të gjitha projektet ka marrë pjesë me staf dhe investime.

Në kornizën ligjore për mbrojtje të ajrit, Kosova ka realizuar një projekt të BE, ndërsa është në realizim e sipër edhe të dy projekteve nga JICA dhe SIDA.

Foto: KALLXO.com

Përmes BE, USAID , Bankës Botërore, Ambasadës Franceze, UNICEF-it, Kosova ka ngritur kapacitetet institucionale. Në realizim e sipër për të rritur këto kapacitete është edhe përmes projekteve të JICA, MCC, UNDP, SIDA dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Për ngritjen e fuqizimit të rrjetit të monitorimit të cilësisë së ajrit janë realizuar projekte nga nga BE dhe Banka Botërore ndërsa janë në realizim e sipër edhe projektet e JICA dhe MCC.

Për mirëmbatje dhe servisim të rrjetit për monitorimin e cilësisë së ajrit Kosova ka realizuar dy projekte nga JICA dhe MCC.

Gjithashtu, në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit thuhet se janë realizuar katër projekte për analiza laboratorike për ajrin nga BE, JICA, USAID, UNDP ndërsa në realizim është edhe projekti i MCC për kryerjen e këtyre analizave.

Për inventarizimin e emisioneve në ajër Kosova ka realizuar vetëm një projekt nga BE ndërsa edhe tri projekte nga JICA, MCC dhe SIDA janë në proces të realizimit.

Për modelimin e shpërndarjes së ndotjes së ajrit Kosova ka realizuar vetëm një projekt nga USAID, ndërsa dy projekte nga JICA dhe MMC i ka në proces të realizimit.

Kosova ka realizuar dy projekte nga BE dhe Banka Botërore për matjen e emisioneve në ajër nga operatorët e mëdhenj dhe reduktimin e ndotjes, ndërsa një projekt të JICA e ka në realizim e sipër.

Për sistemin online për raportimin e cilësisë së ajrit është realizuar vetëm një projekt i BE, ndërsa dy projekte të tjera janë në proces të realizimit. Për vetëdijesimin dhe edukimin nga mbrojtja e ajrit janë realizuar dy projekte nga BE dhe Ambasada Franceze, ndërsa janë në proces të realizimit edhe pesë projekte nga JICA, MCC, SIDA, UNICEF dhe Save the Children.

Për ndikimin e cilësisë së ajrit në shëndetin publik janë realizuar dy projekte nga BE dhe Banka Botërore, ndërsa janë në realizim edhe gjashtë projekte nga MCC, UNDP, SIDA, UNICEF, Save the Children dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kosova gjithashtu ka pasur mbështetje edhe nga Organizatat e Shoqërisë Civile duke realizuar dy projekte nga BE dhe Ambasada Franceze, ndërsa në proces janë edhe tri projekte nga MCC UNDP dhe SIDA.

 

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.