Bllokimi financiar i institucioneve të kulturës, MKRS harron nënkodet buxhetore

Me xhirollogari të mbyllura gati një vit më parë, pa nënkode buxhetore, institucionet kulturore, vartëse të Ministrisë së Kulturës, ende vazhdojnë të përballen me probleme me buxhetin dhe shlyerjen e obligimeve financiare.

Pavarësisht se MKRS pati premtuar qysh në fund të vitit 2018 se institucionet janë bërë me nënkode buxhetore dhe se mjetet e tyre do t’ i shfrytëzojnë nga këto nënkode, ende institucionet vazhdojnë të funksionojnë sikurse vitin që shkoi kur është në pyetje buxheti.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga MKRS lidhur me mosfunksionimin e nënkodeve buxhetore për institucionet kulturore, por nuk ka marrë përgjigje.

Në konferencën e fundvitit 2018, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, pati pohuar se institucionet ishin bërë me nënkode dhe se në buxhetin e vitit 2019 këto institucione kanë kodet buxhetore financiare do t’ i shfrytëzojnë nga kodet që MKRS i ka krijuar në kuadër të buxhetit të saj.

Zyrtarë të institucioneve kulturore të Kosovës kanë pohuar për Kallxo.com se institucionet që drejtojnë ende vazhdojë t’i shlyejnë detyrimet përmes Departamentit të Kulturës së MKRS.

Premtimi i parealizuar i fundviti 2018

Në vigjilje të ndërrimit të moteve, në dhjetor të 2018, gjatë konferencës së fundvitit, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, pati siguruar institucionet kulturore se  tashmë ato ishin bërë me nënkode buxhetor.

“Për herë të parë pas 18 vjetësh të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore janë bërë me nën kode buxhetor dhe në buxhetin e vitit 2019 këto institucione kanë kodet buxhetore dhe mjetet financiare do t`i shfrytëzojnë nga kodet që MKRS i ka krijuar në kuadër të buxhetit të saj”, pati deklaruar ministri Gashi.

Por që nuk ndodhi kështu. MKRS nuk është përgjigjur në pyetjet e Kallxo.com për arsyet e mos realizimit deri më tani të këtij pohimi.

Në anë tjera drejtues të institucioneve kulturore në vend, kanë pohuar për Kallxo.com se ende vazhdojnë funksionimin sikurse në fund të vitit të kaluar, sa i përket çështjes së alokimit të buxhetit dhe shlyerjes së detyrimeve financiare sikurse më parë.

Enver Rexha, drejtor i Instituti Arkeologjik të Kosovës, ka pohuar për Kallxo.com se MKRS në biseda formale gjatë takimeve të fundit është informuar se këtë vit, në 2019 do të bëhen me nënkod buxhetor.

Megjithëse sipas tij, po së paku deri në fund të muajit qershor nuk do të ketë ndryshime.

“Poashtu në bisedë verbale – takime pune jemi njoftuar se, deri në fund të muajit qershor 2019 do të vazhdojmë t’i shlyejmë detyrimet-obligimet financiare sipas vendimit të MKRS të vitit të kaluar, përmes DTK-MKRS”, ka thënë Rexha.

Shlyerja e borxheve

Sinan Kajtazi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës ka pohuar se BKK ende nuk ka një njoftim lidhur me nënkodin buxhetor.

“Jo, nuk kemi asgjë të re në këtë drejtim, për fat të keq. Kjo situatë na ka sjellë para shumë problemeve dhe e ka vështirësuar në masë të madhe punën e Baletit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë Kajtazi, për Kallxo.com.

Ndërsa ka kujtuar edhe probleme me të cilat janë përballur për realizimin e premierës “Pristine Conditions”.

“Ne nuk kemi mundur gjatë tërë muajit që koreografi i cili vjen nga Holanda t`i japim asnjë mëditje. Kjo situatë vërtetë është e rëndë për ne, prandaj shpresoj që shpejt MKRS do të reflektoj në të mirë të institucioneve të kulturës”, ka thënë Kajtazi.

Institucionet si OJQ

Që nga pas lufta institucionet kulturore buxhetin e tyre e kanë realizuar sikurse OJQ. Pavarësisht se ato janë institucione kombëtare me organe drejtuese, buxhetin për realizmin e programeve të tyre vjetore kanë arritur ta marrin vetëm pasi paraprakisht janë dërguar kërkesën me shpenzimet e secilit projekt veç e veç.

Ndërsa, më pas MKRS u ka alokuar buxhetin në xhirollogari në bankat komerciale. Pikërisht kjo mënyrë e alokimit doli të jetë e paligjshme, sipas Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për pasqyrat financiare të MKRS për vitin 2017.

Pas rekomandimit të Auditorit të përgjithshëm, MKRS mbylli të gjitha xhirollogaritë në bankat komerciale me të cilat janë financuar institucione e trashëgimisë kulturore, duke bllokuar tërësisht qasjen direkt të institucioneve në buxhetin e tyre.

Që nga vera e viti të kaluar të gjitha transaksionet financiare institucionet kulturore vazhdojnë t’i kryejnë përmes Departamenteve përkatëse në MKRS.