Qendra e Numërimit dhe Rezultateve. Foto: KQZ

Bllokada në Kuvend nuk e zhbllokon KQZ-në

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për rreth tri orë kanë zhvilluar debat parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Presidenti, megjithëse mungesa e kuorumit për vendimmarrje e pamundësoi hedhjen në votim të rezolutës së opozitës.

Shumica e grupeve parlamentare kërkuan nga presidenti i vendit Hashim Thaçi që t’i emërojë anëtarët e rinj të KQZ-së, për t’i hapur rrugë certifikimit të kuvendeve komunale, asamblistëve si dhe nominimit të një deputeti të Kuvendit, i cili është në pritje.

Por edhe në këtë seancë të jashtëzakonshme, nuk munguan akuzat mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës sa i përket ndikimit të presidentit Hashim Thaçi në koalicionin qeverisës.

https://kallxo.com/lvv-thaci-e-mban-te-bllokuar-kqz-ne-sepse-i-duhet-pdk-se/

Në nisje të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi në cilësinë e iniciuesit, tha se KQZ-ja ka mbetur e bllokuar nga data 27 mars 2018.

“Sot janë bërë mbi 80 ose 90 ditë kur janë dorëzuar nominimet nga partitë politike. Janë mbi 37 asamblistët që presin më shumë se një vit të nominohen. Shumë kuvende komunale janë dëmtuar nga moscertifikimi i tyre dhe po ashtu edhe një deputeti i Kuvendit të Kosovës ende nuk është nominuar”, shtoi ai.

Edhe grupet e tjera mbështetën kërkesën për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së, por pat edhe të tilla që u deklaruan kundër rezolutës së opozitës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se bazuar në zgjedhjet e 11 qershorit të vitit 2017 grupet parlamentare që përfaqësojnë komunitetet shumicë janë koalicioni PAN, LVV dhe LDK.

Prandaj sipas Hotit këtyre grupeve ju takojnë nga 2 anëtarë në KQZ.

https://kallxo.com/ldk-insiston-ti-kete-2-anetare-ne-kqz/

“Shkelje e Kushtetutës është edhe mosveprimi 1 vjeçar i presidentit. Neni 84 pika 2 e Kushtetutës thekson qartë se presidenti është  i obligim të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me kushtetutë. KQZ është institucion i përcaktuar me Kushtetutë. Presidenti me mosveprim e ka pamundësuar funksionimin kushtetues të KQZ-së. E ka shkel nenin 84 pika 2 e Kushtetutës”, deklaroi Hoti.

Kurse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cilësoi si të panevojshme thirrjen e debatit, pasi sipas tyre kjo është ndërhyrje në kompetencat e presidentit të Kosovës.

Megjithëse, deputeti i këtij subjekti politik, Elmi Reçica tha se janë të interesuar që KQZ-ja të jetë funksionale si dhe kërkoi nga presidenti Thaçi ta emërojë përbërjen e re të institucionit zgjedhor.

“PDK është e interesuar që KQZ të jetë sa më shpejtë funksionale dhe të përmbushë obligimet kushtetuese dhe ligjore, kjo nënkupton që sa më shpejtë të emërohen anëtarët e KQZ-së. Vlerësojmë që kjo seancë dhe rezoluta e propozuar nuk i kontribuon aspak forcimit të këtij institucioni dhe është ndërhyrje në përgjegjësitë e presidentit të vendit të cilat janë të përcaktuara me Kushtetutë”, u shpreh deputeti.

E ashpër me kritika për veprimet e presidentit Thaçi u shfaq edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, e akuzoi presidentin për bashkëpunim me PDK-së, duke paralajmëruar se të parin e shtetit do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Pse presidenti Thaçi e mban të bllokuar KQZ-në? Sepse i duhet PDK-së, interesat që ka PDK atje, partia që deri dje e drejtonte Thaçi dhe praktikisht e përfaqëson edhe sot dhe së dyti, te logjika tregtuese  e presidentit Thaçi. Ky President po e degradon vendin, po e përdhos Kushtetutën e vendit”, u shpreh deputetja.

Në anën tjetër, Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka zgjidhur problemin me emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

https://kallxo.com/nisma-gjykata-kushtetuese-nuk-e-zgjidhi-ceshtjen-per-anetaret-e-kqz-se/

Sipas tij, Gjykata bëri një interpretim të anshëm.

“Mendoj që është një interpretim i anshëm, dhe Gjykata Kushtetuese nuk e ka zgjidhë këtë çështje dhe nuk është e përfunduar për KQZ-në. Le të veprojë presidenti, nëse ka të pakënaqur atëherë le të shkojnë palët dhe të ankohen. Edhe ne kemi të drejtën të kemi një anëtar në KQZ. Bëj ftesë publike që të zgjidhjet kjo çështje”, tha ai.

Po ashtu, Shqipe Pantina deputete e Partisë Socialdemokrate (PSD), tha se subjekti i tyre e  mbështetë kërkesën apo deklarimet e gjitha grupeve parlamentare për funksionalizimin e KQZ-së.

“Përkujtojmë që tashmë janë jofunksionale ose së shpejti do të bëhen edhe një varg institucione tjera të pavarura për shkak se ju skadon mandati anëtarëve të bordeve e përgjegjësinë për emërimin e tyre e ka Kuvendi. Edhe ne si Kuvend duhet të bëhemi më të përgjegjshëm dhe t’i emërojmë me kohë anëtarët e bordeve”, theksoi Pantina.

Në të njëjtën linjë për KQZ-në, u shprehën edhe deputetë të komuniteteve jo shumicë.

Deputeti nga Grupi Parlamentar 6+, Albert Kinolli vlerësoi se deputetët të enjten, diskutuan  për një çështje mjaft të ndjeshme.

“Sa për informacionin tuaj, edhe ne si grup parlamentar i kemi nominuar anëtarët tonë për KQZ-së dhe kemi dërguar dokumentacionin e nevojshëm në Zyrën e presidentit dhe jemi në pritje të emërimit të tyre”, tha Kinolli, duke kërkuar që KQZ të konsolidohet sa më parë.

https://kallxo.com/6-presidenti-ti-emeroje-anetaret-e-kqz-se/

Jo rastësore mos funksionalizimin e KQZ-së nga ana e presidentit të vendit, e ka cilësuar deputetja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila.

“Në mënyrën e vet dhe formën e praktikuar shumë shpesh në Kosovë, ai po tregon para qytetarëve të Kosovës së ai mban kontroll mbi procesin. Krejt esenca është me tregu që nëse ne po flasim për zgjedhje se a do të ketë zgjedhje, a shkojmë në zgjedhje, qytetarët çdo ditë e bëjnë këtë pyetje, është një njeri që në zgjedhje mund të shkojmë veç kur do ai dhe ai është presidenti i vendit për arsye se nuk mund të shkojmë në zgjedhje përderisa nuk e kemi të plotësuar KQZ-në”, tha deputetja.

Kusari-Lila shtoi se ky proces nuk po e mban vendin peng vetëm në nivelin qendror por edhe atë lokal.

“Mungesa e plotësimit të këtij institucioni po e mban peng edhe funksionimin e 4 komunave në veri Leposaviq, Zubin Potok, Zveqan dhe Mitrovicë e Veriut”, tha ajo.

Si rëndom, ligjvënësit u përfshin edhe në polemika, për tema të cilat nuk ishte e thirrur seanca e sotme e Kuvendit.

https://kallxo.com/video-sherifi-haxhiut-une-kam-qendrime-te-mia-nuk-i-degjoj-fjalet-e-babes/

Rezoluta e opozitës thotë se, “Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon që dekretimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bëhet pa asnjë vonesë sipas kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjit për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës si dhe aktgjykimit të gjykatës kushtetuese numër KOU9/14 të datës 26 gusht, 2014”.

‘Lëmshi’ i gjendjes së KQZ-së

Nga 27 marsi i vitit 2018, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është pa mandat dhe rrjedhimisht është jofunksional, pasi ende nuk është bërë emërimi i anëtarëve të rinj të këtij institucioni nga ana e presidentit të Republikës së Kosovës.

Kryetari i shtetit, Hashim Thaçi, duke e arsyetuar mos emërimin e anëtarëve, më 7 qershor të vitit të kaluar, pati kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, se nga sa përfaqësues u takojnë grupeve parlamentare, për tu bërë pjesë e këtij mekanizmi.

Por vendimi i Kushtetuese, nuk ia zgjidhi dot ‘dilemën’ Thaçit.

Pas disa muajsh shqyrtimi të kërkesës, Kushtetuesja në dhjetor të 2018-ës, pati vendosur që kërkesën e presidentit ta vlerësojë si “të papranueshme”.

https://kallxo.com/gjykata-kushtetuese-nuk-ia-zgjidh-hallin-thacit-per-kqz-ne/

“Dilema” e Thaçit ishte nëse anëtarët e KQZ-së duhet të emërohen nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës apo nga grupet parlamentare që janë krijuar pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Por Kushtetuesja e dha fjalën e saj të fundit.

“Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruar i plotëson kushtet e pranueshmërisë, sikurse që janë përcaktuar me Kushtetutë dhe që janë saktësuar më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës së Gjykatës. Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata  përfundoi se kërkesa është e papranueshme”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Pas këtij interpretimi, presidenti Thaçi përmes një letre drejtuar grupeve parlamentare kishte kërkuar nga ta që ta dërgojmë emrat  me vetëm nja një kandidat për anëtarë të KQZ-së. Kështu të paktën për pranimin e asaj letre kanë njoftuar disa subjekte polikë në vend.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, patën konfirmuar se atyre iu është kërkuar të dërgohet vetëm një anëtar, e që sipas tyre në bazë Kushtetutës u takojnë dy përfaqësues në KQZ.

Po ashtu, opozita po pretendon se kjo gjë po bëhet me qëllim që të shpërblehen partitë që janë bërë pjesë e ekipit negociator në dialogun me Serbinë.

Presidenti veç edhe një ditë afat për të kompletuar përbërjen e KQZ-së

Përkundër revoltës opozitare ndaj kërkesës së të parti të shtetit, partitë në pushtet kanë njoftuar se i kanë dërguar emrat e kandidatëve të tyre për tu bërë pjesë e KQZ-së.

Ndërkaq, sot e asaj dite fati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbetet një ‘enigmë’ në dorën e Zyrës së Presidentit të Kosovës.

https://kallxo.com/pyetja-e-presidentit-mban-kqz-ne-te-bllokuar-qe-8-muaj/

Presidenti veç edhe një ditë afat për të kompletuar përbërjen e KQZ-së