Bizneset nuk po mund t’i regjistrojnë automjetet, institucionet fajësojnë njëra- tjetrën

Bizneset tash e një muaj po kanë telashe t’i regjistrojnë automjetet e tyre për shkak se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve i ka ndryshuar numrat fiskalë të bizneseve. Ndryshim i numrave fiskalë është bërë pa paralajmërim duke i zënë në befasi bizneset, por edhe institucionet tjera, siç është Qendra e Regjistrimit të Bizneseve.

KALLXO.com ka pranuar raportim nga bizneset që kanë pasur telashe me regjistrim të automjeteve e në anën tjetër kanë pranuar gjoba nga policia e Kosovës.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se platformën e re për regjistrimin e bizneseve ka nisur në fillim të muajit shkurt pasi ka qenë obligim që ka dalë nga Ligji për Shoqëritë Tregtare.

“MPB të dhënat për regjistrimin e automjeteve i merr përmes ATK-së dhe jo direkt nga ARBK. Kjo ka shkaktuar vonesa në komunikim, sepse ATK është në proces të implementimit të ndryshimeve në sistemin e vet”, thuhet në përgjigjen e MTI-së përmes postës elektronike.

Sipas MTI-së, në takimin e përbashkët me MPB-në ka mbetur që të realizohet komunikimi direkt me sistemin në ARBK-së për të eliminuar vonesat e paraqitura.

“Sa i përket ARBK-së çdo gjë është në rregull lidhur me të dhënat e bizneseve”, thuhet në përgjigje.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi thotë se bizneset nuk janë njoftuar nga ARBK-ja për ndryshimet.

“Bizneset këtë çështjen për ndryshimin e numrit të bizneseve e kanë kuptuar nga bankat ose kur kanë kërkuar shërbime si rasti me veturat. Kjo është një anomali e llojit të vet. ARBK nuk ka  njoftuar as bizneset e as Odën që numrat kanë ndryshuar. Për më shumë nuk ka lëshuar një sqarim ose udhëzim dhe si të implementohet ky ndryshim në raportet mes bizneseve dhe palëve se bankat, ATK, ministritë e tjera ose anasjelltas”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Rukiqit, nuk ka asnjë arsye që ky ndryshim të jetë pengesë për ushtrim të veprimtarisë, përfshirë regjistrimin e veturave.

Derisa bizneset nuk janë paralajmëruar, në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se sistemi ka probleme teknike, pas ndryshimit të numrave fiskalë të kompanive të regjistruara në ARBK.

“Meqenëse të dhënat për bizneset i marrim përmes sistemit me ATK-në, janë paraqitur disa probleme teknike për çka është duke u punuar nga ana e ARBK-së dhe besojmë se shumë shpejtë do të na mundësohet që t’i marrim të dhënat përmes sistemit. Për më shume  informata ju lutem të drejtoheni në MTI”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim Publik të MPB-së.

Në anën tjetër, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se shkëmbimi i informacioneve për bizneset me Qendrën për Regjistrim të Automjeteve po vijon pa probleme.

“Administratat Tatimore e Kosovës dhe Qendra për Regjistrim të Automjeteve, kanë shkëmbim online të informatave lidhur me bizneset, dhe ky shkëmbim sipas zyrtareve relevant të IT-se, vijon pas asnjë problem teknik”, thuhet në përgjigjet e ATK-së.

Ata thonë se për telashet e mos-regjistrimit të automjeteve duhet të përgjigjet qendra e Regjistrimit të Automjeteve.

“Bazuar në komunikimet që kemi me Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, kjo Qendër është duke bërë modifikime teknike të sistemit të tyre  të regjistrimit të automjeteve. Andaj, ju sugjerojmë që për me shumë detaje, mund të kontaktohet Qendra për Regjistrim të Automjeteve”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Në ndërkohë që institucionet shfajësohen për telashet që u janë shkaktuar bizneset, në KALLXO.com ka pranuar raportime se është policia e Kosovës që po i gjobit bizneset për shkak të mos-regjistrimit të automjeteve.

Sa i përket gjobave në trafik për automjetet e paregjistruara të bizneseve, Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com, thotë se është institucion i zbatimit të ligjit “dhe te gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore qe ka, përfshirë edhe veprimet policore në trafik”.