Samiti i Berlinit, Foto: Ambasada Gjermane në Prishtinë

‘Betejë’ në Berlin për kufijtë e Kosovës

Shtetësia, integriteti territorial i Republikës së Kosovës dhe dialogu me Serbinë, ishin kryetema të samitit njëditor të Berlinit, që u mbajt të hënën në kryeqytetin e Gjermanisë, nën organizimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Një ditë pas takimit, krerët e shtetit të Kosovës shfaqën qëndrime dhe detaje të bisedimeve nga takimi, kurse pozita dhe opozita në vend i mirëpritën konkluzionet e shteteve mike.

Megjithëkëtë, për njohës të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, takimi në kryeqytetin gjerman zor se do të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në ditën e mbajtjes së samitit të Berlinit, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel deklaroi se zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk duhet të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.

Kurse, presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se duan t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë për të dy shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se nuk e kanë për qëllim të imponojnë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën.

Nga ana e tyre, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj ashtu edhe siç pritej nuk lanë pa folur as në këtë takim për kufijtë e Kosovës.

Presidenti Thaçi deklaroi se nuk do të ketë kufi në vija etnike mes Kosovës e Serbisë, megjithëse  shtoi se demarkimi me shtetin fqinj do të ndodhë. Kreu i shtetit u zotua sërish se do të punojë fort që Luginën e Preshevës ta bashkojë me Kosovën.

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj tha se kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një vale të re të ndarjes etnike dhe “ndoshta edhe fillimin e dhunës”.

Në anën tjetër, taksa ndaj produkteve serbe e vendosur nga ekzekutivi kosovar vitin e kaluar, u tha të jetë pengesa kryesore për vazhdimin e negociatave mes dy palëve, pasi Serbia ka pezulluar bisedimet pikërisht për këtë arsye.

Por përveç Haradinajt, në përkrahje të tarifës doganore, nga Berlini doli edhe Thaçi. Edhe pse më parë kërkoi që taksa të hiqet, tashmë vendimin e cilësoi si legjitim dhe se sipas tij, i njëjti do të mbetet në fuqi. Kurse, homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq kërkoi që vendimi për taksën të hiqet.

Lidhur me këto zhvillime, Violeta Haxholli, njohëse e procesit të dialogut, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se mesazhi i Samitit të Berlinit ishte që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani dhe të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ky Samit ishte edhe një përpjekje e radhës nga shtetet anëtare të BE-së, konkretisht Gjermanisë dhe Francës për të rikthyer palët në tryezën e dialogut. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi shihet nga BE se çështja e fundit e hapur në Ballkan pas zgjidhjes për emrin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, vlerësoi ajo.

Ndërkaq, për mundësinë që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë pas diskutimeve në Berlin, sipas Haxhollit, një gjë e tillë do të jetë e vështirë që të ndodhë.

“Se a do t’i kthehen dialogut Kosova dhe Serbia pas këtij Samiti mbetet në diskrecionin e tyre pasi që për momentin taksa e vendosur nga ana e Kosovës vazhdon të mbetet në fuqi dhe Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me pezullimin e kësaj takse.  Do te jetë e vështirë që të ndryshojë kjo gjendje dhe edhe më e vështirë do të jetë që të gjendet një zgjidhje finale e pranueshme për të dy palët me anë të së cilës do të arrihej normalizimi i marrëdhënieve”, tha hulumtuesja e KDI-së.

Ajo shtoi se aktualisht normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duket të jetë larg.

Kurse presidenti Hashim Thaçi nga Gjermania të hënën ka përmendur domosdoshmërinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në këtë proces.

“As dialog, as negociata, as marrëveshje nuk ka pa rolin e ShBA-së. Bashkimi Europian është shumë i dobët dhe jounik për të lëvizur gjërat përpara në Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti.

Për çfarë (s’) u pajtuan?

“Jemi pajtuar që të mos pajtohemi”, ishte përshkrimi i presidentit Hashim Thaçi për Samitin e Berlinit, dhënë pas darkës joformale ku u diskutua për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi takimin e cilësoi si të rëndë dhe pa rezultate konkrete.

“Kërkuam edhe liberalizimin e vizave. Nëse nuk ndodhin vizat në të ardhmen e afërt, do të ketë zhgënjim të thellë te qytetarët e Kosovës. Edhe sonte kishte një paqartësi sa i përket këtij procesi. Ishte konkludim i përbashkët se konflikti i ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë duhet të tejkalohet dhe mundësia e vetme është të vazhdojë dialogu”, u shpreh kryetari i shtetit.

Sipas presidentit, qëndrimi i Kosovës është se nuk do të ketë dialog të kushtëzuar.

Ndërsa kreu i ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj të martën, tha se janë marrë vesh që të mos diskutohet për çështjen e kufijve.

“Dje ka qenë një dakordim i të gjithëve që s’do të ketë diskutim më tutje për territor dhe kufij, por bisedimet do të bëhen për njohje reciproke”, tha Haradinaj në një paraqitje publike nga kryeqyteti gjerman.

Kryeministri ndër të tjera e konfirmoi se edhe të hënën në Samit ka pasur një propozim për pezullim të taksës ndaj produkteve serbe.

Ky propozim, sipas Haradinajt, ishte edhe nga Thaçi.

“Ka pasur propozim për pezullim të taksës. Ka qenë një situatë e rëndë me kancelaren Merkel, me presidentin Macron, me kryeministrin Rama, me presidentin Thaçi, kanë qenë të gjithë të mendimit që është mirë të pezullohet një kohë. Me i dhënë një mundësi kësaj”, u shpreh kryeministri.

“Zgjidhja është marrëveshja për njohje dhe me këtë marrëveshje zgjidhen të gjitha temat tjera”, theksoi Haradinaj.

Reagimet pozitë-opozitë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, të martën tha se Samiti i Berlinit ishte një hap para për perspektivën europiane të Ballkanit.

“Në takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, vlerësuam se Samiti i Berlinit ishte një hap përpara për perspektivën evropiane të Ballkanit, e në veçanti për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.  Ky samit tregoi se, kur ka një vendosmëri dhe seriozitet, mund të ketë edhe rezultate dhe për këtë përgëzoj kancelaren Merkel dhe presidentin Macron”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai theksoi se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje.

Veseli shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian duhet të ndërtojnë strategjinë e qasjes për arritjen e Marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se takimi i Berlinit mbajtur dje, ka dhënë rezultate normale.

Sipas Mustafës, ky takim dërgoi mesazhe që Europës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe.

“Nga pritjet spektakolare, takimi i Berlinit dha rezultate normale për një përbërje të tillë. Dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe. Nuk ofroi modele dhe nuk përjashtoi modele. Sikurse Kancearja gjermane, Merkel, ashtu edhe Presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë- Serbi”, ka shkruar lideri i LDK-së, në Facebook.

Për deklarimet e presidentit Hashim Thaçi dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj në Berlin, Mustafa tha se janë bërë për konsum të brendshëm.

“Deklaratat e Presidentit Thaçi se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyer ata në Kosovë. U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashk aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë”, vijon postimi i tij.

Lideri opozitar ka shprehur pesimizëm për një marrëveshje të qëndrueshme Kosovë-Serbi.

“Është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje. Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë”, thuhet në publikimin e tij në Facebook.

Një samit i ngjashëm me atë të Berlinit, është paralajmëruar të mbahet me 1 korrik të këtij viti në Paris të Francës.

https://kallxo.com/publikohen-konkluzionet-e-samitit-te-berlinit-kosova-dhe-serbia-vazhdojne-dialogun/

www.kallxo.com