'Beteja' e platformave për dialogun

Javën e kaluar në Kosovë u shpalosën dy platforma për dialogun me Serbinë, ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e Delegacionit shtetëror për këto bisedime, të cilat përveç disa pikave të përbashkëta kanë edhe dallime mbi ecurinë që duhet të ketë procesi në fjalë.

Partia më e madhe opozitare në vend Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila po kundërshton përfshirjen në Ekipin negociator dhe vetë ekipin, kishte  publikuar platformën e saj për dialogun me 12 shkurt 2019.

Ndërkaq, Delegacioni shtetëror për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në krye me Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn, të premten me 15 shkurt e dorëzuan platformën e tyre në Kuvend të Kosovës.

Në dokumentin pesë faqësh të LDK-së, me titull “Orientimet bazë të LDK-së për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet se LDK-ja konsideron se dialogu duhet të zhvillohet pas zgjedhjeve të reja parlamentare, nga të cilat, sipas tyre, do të dalin institucione legjitime që do ta marrin përgjegjësinë për dialogun.

“Në rrethana të tilla, pas legjitimitetit qytetar, përmes votës së lirë, LDK-ja është e gatshme që të bëhet pjesë aktive e procesit të dialogut”, thuhet në dokument.

Kjo platformë e LDK-së, përbëhet prej 7 parimeve për procesin e negociatave.

Me çfarë parime po hyn Kosova në dialog me Serbinë?

Në anën tjetër, Platforma për Dialogun mbi Marrëveshjen Përfundimtare, Gjithëpërfshirëse dhe Ligjërisht të Detyrueshme për Normalizimin e Marrëdhënie mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, siç është emëruar edhe zyrtarisht, parasheh dhjetë parime, të dokumentuara në nëntë faqe.

Nga të dy dokumentet, e përbashkëta  e tyre ka të bëjë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, si rezultat i një marrëveshje potenciale mes dy vendeve.

“Qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur”, thuhet ndër të tjerash në parimin e parë të Delegacionit Shtetëror.

Ndërsa, LDK-ja në pikën e parë të saj thotë se “e përkrah dialogun për Marrëveshjen Përfundimtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si shtete të pavarura, për njohje reciproke ndërmjet tyre”.

LDK-ja dhe Ekipi negociator synojnë që ‘ta mbrojnë’ Kosovën edhe nga ideja e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufirit”.

Delegacioni shtetëror në parimin e shtatë, thotë se “Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që ‘sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj’ (Neni 2(2)). Integriteti territorial i Kosovës garantohet gjithashtu nga e drejta ndërkombëtare”.

Ndërkaq, LDK-ja vlerëson se territori i Republikës së Kosovës është i pandashëm.

“Siç është paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pandashëm dhe asnjë institucion nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës dhe as për sovranitetin dhe integritetin territorial”, thuhet në parimin 4 të këtij dokumenti.

Një pikë tjetër e përbashkët e të dyja platformave, është ndërmjetësimi i Bashkimit Europian në dialog dhe përkrahja e vazhdueshme e SHBA-ve në këtë proces.

Në anën tjetër, të dyja platformat shfaqin dallime në atë se nga kush dhe si duhet të udhëhiqet dialogu me Serbinë.

LDK-ja vlerëson se institucionet aktuale nuk kanë fuqi politike, “prandaj as legjitimitet politik për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces”.

Në anën tjetër, Ekipi negociator i Kosovës që është votuar në Kuvend vitin e kaluar, ka lënë vende edhe për LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që të jenë pjesë e këtij procesi, edhe pse bashkëkryesuesi i ekipit është kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, deputetët e së cilës parti, mandatin e kanë fituar sa  kanë qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

LDK-ja insiston që dialogu duhet të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja parlamentare, kurse Ekipi Negociator ka zhvillua disa takime “njoftuese” në Bruksel për dialogun.

Përkundër “mobilizimit” të skenës politike kosovare që të hartojë platforma për dialogun, shteti i Serbisë ka kushtëzuar pjesëmarrjen në këtë proces, për shkak të taksës 100 për qind që i ka vendosur Qeveria e Kosovës, produkteve serbe dhe boshnjake.