Grumbuj qytetarësh në pritje të rezultatit për COVID-19 në IKShPK Foto:KALLXO.com 13.01.2021

“Bëj si them unë, e jo si bëj unë”, masat anti-COVID të thyera edhe në IKShPK

Për afërsisht një vjet që kur COVID-19 filloi përhapjen edhe brenda Kosovës, filloi mobilizimi i institucioneve për të vendosur masa restriktive në përpjekje për ta ndalur përhapjen e pandemisë.

Ndër muaj të vitit 2020 edhe 2021, u dhanë me mijëra gjoba ndaj qytetarëve që thyen masat anti-COVID, masa këto që në vazhdimësi u morën me udhëzim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Thirrja kryesore dhe masat bazë që IKShPK udhëzoi qytetarët që t’i ndjekin përfshin vendosjen e maskës mbrojtëse, pastrimin e duarve dhe mbajtjen e distancës.

Megjithatë, edhe vetë IKPShK nuk ofroi shembullin më të mirë sa i përket respektimit në përpikmëri të këtyre masave.

Në disa raste të evidentuara dhe filmuara nga KALLXO.com, brenda objektit të IKSHPK-së u thyen masat anti-COVID nga qytetarët që prisnin rend për të marrë rezultatet e testeve për COVID-19.

Fjalët e IKShPK-së dhe realiteti brenda objektit të Institutit

Çdo ditë në orën 15:00, IKShPK publikon rezultatet e testimeve ditore për COVID-19. Bashkë me shifrat e njerëzve të infektuar dhe të vdekur nga virusi, IKShPK kujdeset që të publikojë edhe këshilla për institucione e qytetarë lidhur me mbrojtjen nga virusi.

“Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tone”, është njëra ndër fjalitë nga thirrja e IKShPK-së.

Distanca sipas asaj që është parë më 13 dhe 14 janar 2021 nuk është respektuar edhe brenda vet institutit.

Brenda objektit të IKShPK-së, më saktësisht në vendin ku merren rezultatet e testit për COVID-19 janë parë me grumbuj njerëzish pa distancë edhe pse ky institut ka të punësuar roje për mbajtje të rendit.

Grumbuj qytetarësh në pritje të rezultatit për COVID-19 në IKShPK
Foto:KALLXO.com
13.01.2021

Në ato ditë ka qenë e pamundur edhe dezinfektimi i duarve për shkak të mungesës së dezinfektuesit.

KALLXO.com në asnjërën pjesë të objektit të IKShPK-së nuk ka parë dezinfektues për qytetarët të cilët janë të detyruar të presin për të marrë rezultatin e coronavirusit. E vetmja masë e cila është respektuar në këtë institut është bartja e maskës.

Masat nuk u respektuan as jashtë objektit të IKPShK-së.

Mungesa e dezinfektuesit në IKShPK
Foto:KALLXO.com
14.01.2021

Në kuadër të përgatitjeve për përballimin me pandeminë në institucionet publike shëndetësore, në oborrin e IKShPK-së u vendos tenda për marrjen e mostrave për qytetarët të cilët kanë simptoma apo dyshojnë se janë të infektuar me coronavirus.

KALLXO.com pati vizituar këtë institucione edhe më 18 dhjetor 2020.

Në pjesën ku merren mostrat për COVID-19 ishin të vendosura tre tavolina afër tendës me disa letra e lapsa të vendosura mbi të shërbejnë për qytetarët të cilët do të hynë në tendë për testim.  Qytetarët janë të obliguar që të dhënat t’i shkruajnë vetë, në të njëjtën tavolinë, laps dhe duke prekur edhe letrat apo  dokumentet e njëri-tjetrit.

Qytetarë duke i shënuar vet të dhënat e tyre, para tendës për testim të COVID-19
Foto:KALLXO.com
18.12.2020

Qytetarët ndihen të kënaqur me shërbimin që i bëhet në këtë tendë, por janë të shqetësuar për faktin se IKShPK nuk ka vendosur një person për të shkruar të dhënat për qytetarët.

“Mendoj se dikush ish dasht me qenë këtu edhe unë u befasova kur i pash por është diçka që e kanë marrë parasysh. Edhe hiç mos me pas COVID dikush ish dasht me qenë këtu”, thotë V.B nga Lipjani e cila ishte në radhë për dhënie të mostrës për COVID.

Në anën tjetër personi që menaxhon afër kësaj tende nuk ka të veshura rrobat e përcaktuara për vendet të cilat kanë rrezik të lartë për marrje të virusit, pamje e filmuar nga KALLXO.com  më 18 dhjetor 2020.

Qytetarë duke i shënuar vet të dhënat e tyre, para tendës për testim të COVID-19
Foto:KALLXO.com
18.12.2020

Përgjigjet e IKShPK-së

Megjithëse nuk mohojnë grumbullimin e qytetarëve dhe gjetjet e KALLXO.com, nga Instituti thonë se rojet janë duke e mbajtur rendin dhe se qytetarët kanë filluar t’i dëgjojnë rekomandimet e tyre.

“Duke pasur parasysh se të gjithë janë të angazhuar në zbutjen e gjendjes emergjente, për shkak të situatës pandemike, rojet janë duke mbajtur rend me orar të stërzgjatur dhe rregullisht në dy hyrje dhe qytetarët janë bërë më të dëgjueshëm gjithnjë e më shumë, ndërsa, kemi angazhuar personel shtesë për të mbajtur rend”, thuhet në përgjigjen e IKShPK-së.

Mirëpo, më 13 janar, ditën kur KALLXO.com ka qenë prezent në këtë objekt, rojet janë përkujdesur për vendin disa minuta pasi që është vërejtuar prezenca e kamerave.

“Duhet me ardh më shpesh kamerat”, dëgjohen duke thënë qytetarët, përderisa presin në rend.

Instituti thotë se ka shenjëzime në pjesën e hyrjes si dhe dezinfektuesi ka qenë prezent para se vendi të luftonte me pandeminë COVID-19.

As shenjëzime, as dezinfektues nuk janë parë brenda objektit.

“Qytetarët i kanë pikat në hyrje për mbajtjen e distancës. Ndërsa, dezifektanti është në pranim shumë herët para pandemisë”, thuhet tutje.

Masat e ndërmarrura nga IKShPK dhe Qeveria

Masat e reja të vendosura nga Qeveria në detyrë e Avdullah Hotit në bashkëpunim me Ministrin e Shëndetësisë dhe IKShPK-në thonë se lejohet grumbullimi i qytetarëve deri në 30 persona në ambient të mbyllur si dhe 50 në ambient të hapur çdo herë duke u respektuar masat anti- COVID.

Me masat e reja lejohen edhe disa nga aktivitete kulturore, ndërsa të moshuarit deri në 65 mund të dalin nga shtëpia në dy orare nga ora 6:00 – 10:00 dhe 16:00- 19:00.

Me përhapjen e pandemisë në vend, institucionet përgjegjëse morën vendime të ndryshme me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë në vend.

16 mars 2020, vendi hyri në karantinë dhe e gjithë lëvizja e qytetarëve u bllokua për shkak të COVID-19, ndërsa pas tre muaj më saktësisht më 8 qershor Qeveria vendosi të largojë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

‘Sallamadi’ pati edhe nëpër klinikat ku po trajtohen pacientët me COVID-19

Hulumtimi ‘Sallamadia në Infektivë’ paraqiti parregullsitë nëpër klinikat ku po trajtohen pacientët me SARS-CoV-2, Klinika Infektive, Pulmologji, Interno, familjarët e pacientëve rrezikonin shëndetin e tyre duke qëndruar në të njejtën dhomë me familjarët e tyre të infektuar me COVID-19, pasi që sipas familjarëve duhet ata të përkujdesen në shumicën e rasteve për familjarët e tyre të shtrirë nëpër dhomat e klinikave.

Impakti i hulumtimit u pa që në ditët e para të transmetimit, U.D drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, shkarkoi nga puna menaxherin e kontratës së sigurimit fizik në QKUK, ndërsa tre roje u suspenduan nga puna.

Në anën tjetër rastet pozitive me COVID-19 vazhdojnë të rriten, nga muaji mars e deri më tani në vend janë regjistruar mbi 57 mijë qytetarë të infektuar me SARS-CoV-2, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur.

Pandemia globale ka prekur 98 milion njerëz ndërsa 2 milion kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Projekti “Rritja e standardeve të gazetarisë përmes kontrollimit të fakteve” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.

 Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova/KALLXO.com dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).