BB: Në periudhë afatmesme të luftohet varfëria dhe të përkrahen të papunët
Raporti i Bankës Botërore, për vendet e Ballkanit Perëndimor vlerëson se pandemia e Covid-19 po prek tregjet e punës dhe mundësitë e njerëzve për punësim në mbarë Ballkanin Perëndimor, ndaj vendet po rrisin mbështetjen e tyre për familjet e prekura.
Në këtë raport, BB përshkruan alternativat afatshkurtra dhe ato afatmesme për mbështetjen ekonomike gjatë periudhës së pandemisë, pas saj dhe për rimëkëmbje ekonomike.
Në raport thuhet se këto vende, në periudhë afatshkurtra i kanë mbështetur familjet e varfëra përmes programeve të varfërisë, transferimit të parasë dhe subvencionimit të pagave për punonjësit.
“Në një periudhë afatshkurtër, të gjitha vendet kanë zgjeruar mbështetjen për familjet e varfra duke rritur ose përfitimet ose numrin e përfituesve të programeve të synuara të varfërisë, ose duke zbatuar programe universale të transferimit të parasë. Po kështu, vendet po nxitin mbështetjen për të papunët dhe programet që ndihmojnë firmat t’i mbajnë punonjësit në punë (d.m.th. subvencione për pagat)”, thuhet në raport.
Tutje BB thotë se në periudhën afatmesme, do të jetë me rëndësi që të vazhdohet mbështetja për programet kundër varfërisë dhe t’u ofrohet përkrahje të papunëve. Gjithashtu, duhen zgjeruar Programet Aktive të Tregut të Punës, pasi kërkesa për punë do të ketë zhvendosje midis sektorëve dhe shumë punonjësve do t’u duhet të ritrajnohen e të mbështeten për të gjetur punësim të ri.
Në raport vlerësohet se duhet të kufizohet kohëzgjatja e programeve për subvencionimin e pagave në anën tjetër të garantohet financimi i mbrojtjes sociale.
“Është e qartë që duhen bërë kompromise financiare midis programeve dhe në kohë dhe duhen caktuar përparësi për shpenzimet. Do të jetë me rëndësi të përmirësohet veprimi i përqendruar, ndërkohë që garantohet financimi afatgjatë i mbrojtjes sociale, si dhe të kufizohet kohëzgjatja e programeve të subvencionimit të pagave, që janë të kushtueshme”, vlerëson raporti.
Më tej në raport thuhet se në periudhën afatmesme mund të lindë nevoja të rishikohen edhe nivelet e përfitimit të pagës së papunësisë, ndihmës sociale dhe pensioneve, sidomos, për pagesat e përkohshme shtesë, që shoqërojnë masat e reagimit ndaj krizës. Në të njëjtën kohë, programet aktive të punësimit dhe tregut të punës që kanë treguar se janë efikase duhen zgjeruar, kurse ato joefikase duhen mbyllur.
BB parashikon që në rimëkëmbjen afatmesme duhet të forcohen sisteme të mbrojtjes sociale për t’i përballuar krizat e ardhshme.
“Faza e rimëkëmbjes afatmesme paraqet po ashtu një mundësi për të forcuar sistemet e mbrojtjes sociale, që të bëhen më të qëndrueshme dhe të rritin aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur krizave të ardhshme me kosto efikase”, bën të ditur raporti.
Ndërsa në raportin 11 faqësh për ndikimin social ekonomik të “COVID-19”, në mes tjerash përmendet pushimet nga puna do të jenë të pa shmangshme sidomos në sektorët e rëndësishëm që janë prekur si turizmi, tregtia dhe transporti. Vendet e Ballkanit perëndimor kanë marrë masa reaguese punonjësit e sektorit formal, të papunët, të varfrit dhe të moshuarit.
Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë njoftuar subvencionimin e pagave për të mbështetur punësimin.
Banka Botërore tregon se si i kanë subvencionuar pagat vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në Serbi, qeveria deklaroi se do të mbulonte pagat e tre muajve për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Në ndërmarrjet e mëdha, të gjithë punonjësve kontrata e të cilëve ka përfunduar për shkak të krizës do t’u paguhet 50 për qind e pagës minimale. Në Kosovë, pagat mujore do të mbulohen për muajt prill dhe maj me një vlerë të barabartë me pagën minimale, një masë e cila llogaritet në 41 milionë euro. Në Maqedoninë e Veriut, është deklaruar se do të subvencionohen pagat (sërish, në vlerën e pagës minimale) për 9,000 punonjës artizanalë dhe rreth 250 000 punonjës të firmave të sektorit privat, që regjistrojnë të paktën 30% rënie në të ardhura për shkak të krizës. Në Malin e Zi, është njoftuarsubvencionimi i pagës për dy muaj deri në vlerën 100% të pagës minimale për të gjitha firmat në sektorët e prekur, si dhe një subvencionim gjashtëmujor i pagës për punësimin e deklaruar rishtas në të gjithë sektorët, për të nxitur formalizimin e punësimit”, tregon BB-ja.
Gjithashtu thuhet se Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi po ecin përpara me shtyrjen ose fshirjen e kostove të tjera që lidhen me pagat. Kosova deklaroi mbulimin e kontributeve të pensionit për prillin dhe majin, me një vlerë prej 8 milionë eurosh. Në Malin e Zi, firmat mund t’i shtyjnë pagesat e tatimit mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore; në sektorët më të prekur, firmat janë plotësisht të përjashtuara prej tyre për dy muaj. Në Bosnje-Hercegovinë, të dyja entitetet po subvencionojnë ose mbulojnë kontributet, edhe pse në forma të ndryshme.
Sipas raportit, të gjitha vendete e Ballkanit Perëndimor kanë skemë të pagesës së papunësisë në përjashtim të Kosovës e cila nuk e ka një të tillë. Nga BB-ja skema e pagesës së papunësisë konsiderohet avantazh për reagim nga krizash.
Më tej, Banka Botërore përmend edhe pensionet, ku të moshuarit janë më të rrezikuarit në aspektin shëndetësorë ndërsa duhet mbrojtur nga rënia ekonomike.
Në Kosovë është pezulluar verifikimi i pensionistëve ndërsa për pensionet më pak se 100 euro u janë shtuar 30 euro ndërsa në Serbi morën mbështetje prej 35 euro dhe mundësi tërheqje nga tjetërkush përmes autorizimit.
“Një sërë vendesh të Ballkanit Perëndimor kanë njoftuar marrjen e masave për pensionistët. Në Serbi, për shembull, të gjithë pensionistët do të marrin mbështetje me një vlerë të vetme prej 4,000 dinarësh (rreth €35) dhe pensionistët mund t’i japin dikujt autorizim të posaçëm për të tërhequr pagesat për llogari të tyre. Në Kosovë, të gjitha kërkesat për verifikim janë pezulluar dhe pensionistët që paguhen më pak se 100 euro do të marrin një shtesë të përkohshme prej 30 eurosh”, thotë raporti.
Raporti tregon se Kosova planifikon t’i paguaj nga130 euro qytatëra që humbin vendin e punës për shkak të pandemisë
“Shumë vende të Ballkanit Perëndimor po e marrin në konsideratë këtë zgjerim përkohësisht. Në Shqipëri, për shembull, familjet e vetëpunësuara do të përfitojnë një pagesë të posaçme të barasvlershme me një pagë mujore shtetërore dhe Kosova planifikon t’u paguajë 130 euro qytetarëve që humbasin punën për shkak të situatës së emergjencës shëndetësore, për muajin prill, maj dhe qershor”, tregon raporti.
Ndërsa për sektorin informalë, disa vende të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria dhe Kosova kanë shpallur marrjen e masave të ngjashme. Sipas BB-së, edhe pse janë me kosto të lartë fiskale, transfertat e vetme, si ato që janë njoftuar në Malin e Zi dhe Serbi, garantojnë mbulimin e sektorit informal. Ndërsa për mbështetjen e firmave informale thuhet se përmes kontakteve të cilat kanë me firmat formale dhe institucionet për mikrokreditë mund të përpilohet një listë e këtyre firmave.