‘Bashkërenditja’ e stërzgjatur e opozitës për rrëzimin e Qeverisë

Që nga formimi i Qeverisë aktuale të Kosovës në krye me Ramush Haradinajn, partitë më të mëdha opozitare në vend kanë paralajmëruar inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj ekzekutivit.

Një iniciativë të tillë, sërish të hënën e shpalosi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, i cili deklaroi se për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe “përmbysjen” e koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma), do të zhvillojnë takime me udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Partisë Socialdemokrate (PSD).

Por njohës të çështjeve politike në vend vlerësojnë se qëllimi i partive politike opozitare më shumë mund të jetë për tërheqje të vëmendjes dhe për konsum politik sesa që ka diçka konkrete në këtë drejtim.

Të njëjtin thonë se opozita e ka të pamundur të rrëzojë Qeverinë e vetme, pasi nuk i ka votat e nevojshme për ta ushtruar këtë nismë.

Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu” i tha Gazetës Jeta në Kosovë se asnjëherë deri më sot nuk është parë e as tentuar nga opozita që ta rrëzojë Qeverinë.

“Kështu që, në një mënyrë ose një tjetër, është vetëm një qëllim me tërheq vëmendje publike dhe politike, sesa për ta rrëzuar Qeverinë. Përndryshe nëse e kanë vërtetë qëllim atë, i mbledhin nënshkrimet në momentin kur janë ato, thirret seancë e jashtëzakonshme dhe rrëzohet Qeveria aty”, thotë ai.

Sipas Demhasajt, Qeveria nuk rrëzohet me deklarata publike para mediave.

“Më tepër po e shoh thjesht konsum politik”, vlerëson analisti.

Në anën tjetër, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Gazetën JnK se është më se i nevojshëm një bashkëpunim opozitar në vend.

“E kemi parë që përkundër faktit që kjo opozitë në legjislaturën e gjashtë është një prej më të fuqishmeve numerikisht, por nuk pasur as edhe një aktivitet të përbashkët ose nuk ka pasur bashkërendim të aktiviteteve  për çështje opozitare”, theksoi ai.

Sipas Muratit këto “bashkërendime” nuk janë të mjaftueshme për opozitën për të iniciuar nisma parlamentare siç është mocioni i mosbesimit.

“Nëse veç bëhen veprime të përbashkëta ndërmjet tri subjekteve kjo mundet në njëfarë mënyre t’ia shkurtojë jetën qeverisë, por prapë nuk është e mjaftueshme sa për ta rrëzuar me mocion mosbesimi sepse nuk i kanë votat e nevojshme”, thotë më tej analisti politik.

Kurse Arton Demhasaj shton se nëse iniciativa opozitare është serioze, votat mund të sigurohen qoftë edhe prej subjekteve politike që janë pjesë e Qeverisë.

“Nëse vërtetë është serioze iniciativa për ta rrëzuar qeverinë atëherë votat mund të sigurohen shpeshherë edhe nga partitë që janë në pushtet, sepse e dimë që asnjëherë qeveria nuk është rrëzuar nga opozita por nga vet partitë që janë në koalicion”, thekson ai për Gazetën JnK.

“Tash a mund të jetë Lista Serbe apo ndonjë parti tjetër që është në pushtet ajo mbetet të shihet. Por pa to, në një mënyrë ose tjetër kjo nuk mund të ndodhë”, përfundoi Demhasaj.

Edhe për Artan Muratin, një element i rëndësishëm për opozitën është edhe se a do t’i dëshironin t’i merrnin për bazë votat e Listës Serbe.

“E kemi parë edhe ma herët që ka pasur qëndrime prej Lëvizjes Vetëvendosje dhe të një pjese të LDK-së, që  nuk do ta rrëzojnë Qeverinë me votat e Listës Serbe. Për momentin nëse s’i kanë votat e tyre, votat e opozitës janë të pamjaftueshme prandaj duhet dikush, ndonjë deputet i grupeve të tjera parlamentare që t’ju ndihmojë”, vlerëson analisti.

Sipas Muratit opozita mundet që edhe me mënyra të tjera të ndikojë në jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës.

“Opozita munden që t’ia pamundësojnë funksionimin koalicionit qeverisës sidomos në Kuvend, nëse PSD-ja për shembull nuk vazhdon ta bëjë kuorumin ose nuk vazhdon t’i përkrahë  disa prej nismave të Qeverisë, sepse tash e sa kohë nuk ka shumicë parlamentare dhe faktikisht Kuvendi kish mbet i bllokuar pa PSD-në”, përfundoi Murati për Gazetën JnK.

Në anën tjetër, paralajmërimin e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa për bisedime kundër Qeverisë Haradinaj, e ka mirëpritur kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti.

Përmes një publikimi në Facebook, Ahmeti ka shkruar se PSD-ja është e gatshme të veprojë pro interesit të Kosovës.

“Mirëpres paralajmërimet dhe iniciativat për konsultime opozitare për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. PSD ka qenë dhe është e gatshme të koordinojë veprimet në interes të shtetit të Kosovës”, thuhet në postimin e tij.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 100 përcakton se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

“4. Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 5. Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme. 6. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”, thuhet në këto tri pika të aktit më të lartë juridik.