Konferenca “Zëri i Popullit rreth 'Finales së Madhe' ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” - Foto: KALLXO.com

‘Barrikadimi’ i dialogut

Përfaqësues të institucioneve dhe partive politike në Kosovë, edhe njëherë shpërfaqën qëndrimet e ndryshme sa i përket negociatave për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Si rrallë herë, të hënën një konferencë në Prishtinë e thirrur për çështjen e dialogut, bashkoi në një vend, por jo edhe në pikëpamje, presidentin e vendit Hashim Thaçi, bashkëkryesuesin e Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti dhe kryetarin e partisë opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi paralajmëroi se Kosova mund të hyjë në një fazë të rrezikshme nëse nuk arrihet një marrëveshje me Serbinë, gjatë këtij viti.

“Përmbyllja e dialogut me Serbinë me marrëveshje ligjërisht obligative që nënkupton njohjen reciproke, është interes nacional i Kosovës, prandaj është e domosdoshme që si spektër politik të jemi unik. Por nëse nuk ndodh, mund të hyhet në një fazë të rrezikshme që mund ta destabilizojë edhe rajonin”, tha Thaçi.

“Fatkeqësisht situata nuk është aspak e favorshme. Përkundër iniciativave për ta zhbllokuar dialogun, rezultati është zero”, shtoi presidenti, duke përmendur anulimin e Samitit të Parisit që planifikohej të mbahej në fillim të korrikut.

Të premten e kaluar, kabinetet udhëheqëse te shtetit në Gjermani dhe në Francë kanë njoftuar zyrtarisht për anulimin Samitit të Parisit, përderisa në Kosovë kjo po konsiderohet të jetë dështim i një iniciative tjetër për të rifilluar procesin e dialogut.

Kurse, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha të hënën, se projekti i Serbisë për ndarje të Kosovës ka dështuar, “ndonëse ideja nuk ka vdekur”.

“Kësisoj mund të themi që kemi arsye për gëzim, por jo edhe për festim. Pra gëzim pa festë sepse vetëm projekti ka dështuar e ideja ende nuk ka vdekur”, tha Kurti.

Lideri i VV-së shtoi, se subjekti i tij politik është për disa hapa të duhur për procesin e negociatave.

“Duhet të bëhet një shqyrtim dhe vlerësim i dialogut me marrëveshjet e kaluara, ta shohim shkallën e zbatimit. Hapi i dytë duhet të jetë çka duam ne, cili është qëllimi ynë. Është gabim të dalim para Serbisë me këtë kakofoni zërash në kampin tonë. Duhet të stabilizohemi brenda nesh, dhe kjo duhet bërë me 2 të 3-tat por jo pa hapin e parë”, theksoi Kurti, duke shtuar se hapi tjetër duhet të jetë shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare.

Ndërsa, bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator Shpend Ahmeti, deklaroi se koha nuk po punon për Kosovën.

“Ajo që e ka propozuar presidenti Thaçi, të cilën mund ta quaj minimalisht si ide kontroverse që edhe sot e prezantoi, korrigjimi i kufijve e prezantoi si mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe bashkëngjitje të Luginës me Kosovën. Të kish qenë lehtë do të bëhej para 20 vjetëve”, tha Ahmeti.

“Çfarëdo zgjidhje përfundimtare duhet ti nënshtrohet mandatit të ri. Pa hezitim po ta kemi zgjidhjen do të duhet të kemi zgjedhje të cilat pastaj e rikonfirmojnë marrëveshjen e cila do të jetë”, shtoi më tej ai.

Dallimet në qasjen politike ndaj marrëveshjes së mundshme ndërmjet të dyja vendeve, e treguan në një polemikë Shpend Ahmeti e Hashim Thaçi lidhur me ‘takimet sekrete’ Kosovë – Serbi.

Në anën tjetër, hulumtuesja nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Violeta Haxholli ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se anulimi i takimit të Parisit e dështoi edhe një iniciativë për të rifilluar procesin e dialogut Kosovë – Serbi, pavarësisht se për këtë u angazhuan aktivisht Gjermania dhe Franca.

“Duket se dialogu nuk do të vazhdojë, pasi që të dyja vendet janë barrikaduar në pozicionet e tyre. Pra Serbia nuk pranon që të kthehet në tavolinë pa u pezulluar taksa dhe Kosova po refuzon që të pezullojë taksën. Derisa njëra palë të lëvizë nga pozicioni i saj, dialogu nuk mendoj se do të rifillojë”, theksoi ajo.

Sipas Haxhollit, edhe nëse dialogu rifillon ende po vazhdojnë qëndrimet kundërthënëse të përfaqësuesve të lartë shtetëror dhe spektrit politik në përgjithësi.

“Brenda Kosovës ende nuk ka një pajtueshmëri lidhur me marrëveshjen finale me Serbinë. Kjo e dëmton pozicionin e Kosovës përballë Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare pasi që përfaqësuesit vendor rrezikojnë të përçojnë mesazhe të paqarta lidhur me procesin e dialogut”, shtoi tutje Haxholli për Gazetën JnK.

Ajo ndër të tjerash vlerësoi se një qëndrim me unik i spektrit politik lidhur me qasjen ndaj Serbisë dhe vijat e kuqe  në dialog i duhen më shume se kurrë Kosovës në këtë fazë kritike të procesit.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka stagnuar pas vendosjes së takës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, me ç’rast Serbia i ka bojkotuar negociatat.