Ballkani Tronditet nga Dalja e Britanisë

Zyrtarë të Ballkanit shprehën shqetësime të premten në lidhje me të ardhmen e paqartë të BE-së pas votimit të Britanisë për të dalë nga BE-ja, duke afirmuar angazhimin e tyre për integrimin europian.

Liderët bullgarë shprehën zhgënjimin e tyre për vendimin e Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimin Europian, me kryeministrin Boyko Borissov dhe presidenti Rosen Plevneliev që e quajtën këtë “një ditë të keqe për Europën”.

Plevneliev tha të premten se “i vinte shumë keq për këtë rezultat” dhe “se ishte shumë i shqetësuar se sot, nacionalistët dhe populistët janë duke festuar në rrugët e Europës”.

Borissov tha se BE-ja duhet të tregojë se mund të vazhdojë pa Britaninë e Madhe dhe e deklaroi veten kundër “çdo negociatë për status special me Mbretërinë e Bashkuar, sepse ata do të shkatërrojnë unionin”.

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Daniel Mitov, paralajmëroi kundër një “efekti domino” dhe theksoi nevojën për integrim më të thellë të vendeve brenda BE-së.

Zyrtarët rumunë shprehën gjithashtu keqardhje për votimin në Mbretërinë e Bashkuar, duke shtuar se Rumania mbetet e lidhur me projektin europian.

“Ekonomia e Rumanisë, si edhe monedha kombëtare, nuk do të ndikohen negativisht nga rezultatet e referendumit në Britaninë e Madhe,” tha të premten presidenti Klaus Iohannis.

“Është shumë e rëndësishme që rumunët – përfshirë edhe ata që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar – të kuptojnë se ne duhet të rrimë të qetë dhe të mos shqetësohemi,” tha kryeministri Dacian Ciolos.

Zyrtarë në Kroaci, shteti më i ri anëtar i BE-së, shprehën gjithashtu shqetësim rreth votimit për të dalë nga BE-ja.

Ministri i Jashtëm Miro Kovaç e quajti votimin në Mbretërinë e Bashkuar “një goditje të rëndë për unitetin e Bashkimit Europian”.

Ai shtoi se shtetet anëtare të BE-së duhet të fillojnë një debat publik mbi mënyrën sesi BE-ja mund të organizohet ndryshe dhe se si mund të sillet “më pranë qytetarëve”.

Ai nuk pret pasoja të menjëhershme ekonomike për Kroacinë nga tërheqja e Britanisë së Madhe nga BE-ja, pasi midis dy vendeve nuk ka lidhje të mëdha ekonomike.

Vesna Pusiç, një deputete kroate dhe kandidate për postin e Sekretares së Përgjithshme të OKB-së, tha se në referendumin në Britani frika kishte triumfuar mbi arsyen.

Ajo tha për televizionin rajonal N1 se rezultati i referendumit “nuk ishte vetëm një vendim i keq për Britaninë, por edhe shumë i rrezikshëm për Evropën”, që ndoshta nënkupton “fillimin e shkatërrimit të idesë europiane”.

Konfuzion ka edhe në shtetet ballkanike, të cilat nuk janë ende pjesë e BE-së, por shpresojnë t’i bashkohen bllokut në të ardhme.

“Rezultati i referendumit në Mbretërinë e Bashkuar për të dalë nga Bashkimi Europian nuk është lajm i mirë,” shkroi në Facebook Ministri i Integrimit Europian i Kosovës, Bekim Collaku.

“Për ne, Kosovën, e cila ka aspirata të mëdha për t’u anëtarësuar në BE, është e dhimbshme që një nga vendet anëtare, një nga të parat që njohur pavarësinë tonë dhe ndër më mbështetëset në rrugën tonë europiane, do të dalë nga BE-ja,” shtoi ai.

Ismet Ramadani, ish-deputet maqedonas dhe tani kryetar i Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë, tha për BIRN se rezultati i referendumit në Britani do të ketë patjetër një efekt negativ në politikën maqedonase, duke rritur zërat që propagandojnë ndjenja Euro-skepticizmi dhe anti-BE-je.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, tani deputet, shkroi në Facebook: “Mbretëria e Bashkuar voton për të dalë nga BE-ja. Brenda apo jashtë tij, Londra mbetet një mike e çmuar për shqiptarët”.

Ish-kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, shkroi gjithashtu në Facebook: “Britania thotë lamtumirë. Filloi shpërbërja e Europës.”

Një ish-ministër i jashtëm malazez, Miograd Vlahoviç, tha për BIRN se “për ne, vendasit” nga Ballkani, kjo epokë e re do të jetë e pakëndshme.

“Tani duhet të veprojmë me mençuri, me ekuilibrin e duhur midis kujdesit dhe vendosmërisë,” tha ai. “Vërtet një situatë e zymtë.”

Zyrtarët serbë e përdorën situatën për të konfirmuar angazhimin e tyre në integrimin europian. “Ne do të vazhdojmë rrugën tonë drejt BE-së duke qenë se fituam besimin e qytetarëve tanë për këtë në zgjedhjet e fundit në prill,” tha kryeministri në detyrë Aleksandër Vuçiç.

Ministri i jashtëm Ivica Daçiç tha se Serbia do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe financiar kundër çrregullimeve në tregjet financiare ndërkombëtare.

Në Bosnjë, kryeministri Denis Zvizdiç tha se Britania mbetej një mikeshë e rëndësishme e Bosnjës dhe Hercegovinës, pavarësisht rezultatit të referendumit. Zvizdiç e quajti të habitshëm vendimin e qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne prisnim që vendimi i britanikëve të ishte ndryshe, por e respektojmë vullnetin demokratik të shprehur nga referendumi,” tha ai, duke shtuar se vendimi i Britanisë së Madhe “nuk do të vonojë procesin e integrimit të Bosnjës në BE”.