Ballkani Perëndimor subvencionon qymyrin me 1.2 miliard euro

Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë anëtarësimin në BE, ende mbështesin qymyrin duke dhënë subvencione të mëdha publike me vlerë mbi 1.2 miliardë euro, njoftoi raporti ‘Analiza e subvencioneve direkte dhe indirekte për prodhimin e Energjisë Elektrike nga Qymyri nga Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë’ i publikuar të hënën (25 mars).

Këto subvencione nuk janë në përputhje me rregulloret e BE-së ose përpjekjet e dekarbonizimit, raporton Euroactiv.

Anëtarët e Komunitetit të Energjisë, një organizatë ndërkombëtare e përbërë kryesisht nga vendet kandidate për anëtarësim në BE-së, në vitin 2017 dhanë gjithsej 2.4 miliardë euro subvencione direkte dhe indirekte për energjinë e gjeneruar nga qymyri.

Subvencionet me vlerë 1.2 miliardë euro erdhën nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, duke kanalizuar shuma të mëdha në thëngjill mbi burimet alternative të energjisë.

Sipas studimit, pa subvencione, asnjë termocentral i qymyrit në vendet anëtare të Komunitetin të Energjisë nuk do të funksiononte pa humbje të konsiderueshme.

“Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë nuk mund të ikin më nga pasojat e mbajtjes së një sistemi energjetik me bazë në qymyr, joefektiv, jo të qëndrueshëm dhe joprofitabil”, tha Janez Kopaç, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Anëtarët e KE-së kanë detyrime ligjore për të parandaluar subvencionet e sektorit të energjisë t’i japin avantazhe të padrejta disa kompanive të caktuara.

Vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Serbia – kanë gjithashtu marrëveshje të Stabilizim-Asocimit – hapi i parë kontraktual drejt anëtarësimit në BE – për të rregulluar subvencionet.

KE përfshin edhe vende tjera si Armenia, Moldavia dhe Ukraina.

Kjo nuk është hera e parë që vendet në Ballkanin Perëndimor, të cilat shpresojnë te anëtarësohen në BE, kanë tejkaluar kufijtë e caktuar të BE-së. Bosnjë-Hercegovina miratoi kohët e fundit një garanci kredie prej 614 milionë euro për financimin e siguruar nga Banka Exim e Kinës për një termocentral qymyri.

Kina dhe SHBA janë investitorët primarë të qymyrit në Ballkanin Perëndimor dhe ato përballen me pak rezistencë nga BE. Kjo mungesë e rezistencës mund të ketë lejuar vazhdimin e përdorimit te qymyrit, tha Kopaç.

Rasti boshnjak kundërshton traktatin e Komunitetit të Energjisë pasi garancia e kredisë tejkalon 80% të vlerës së grantit. Garancia parasheh ta mbulojë shumën e plotë, plus interesin dhe kostot shoqëruese.

“Sjellja e tillë shkurtpamëse e politikanëve tanë sigurisht do ta komplikoj më tej procesin tonë të integrimit në BE. Si mund t’i besojë BE-ja një shteti, politikanët e të cilit me vetëdije shkelin traktatet ndërkombëtare?” tha komisioneri i zgjerimit të BE, Johannes Hahn.

Kontrolli i vazhdueshëm i Bosnjës për anëtarësimin në BE do të marrë parasysh vlerësimin e ndikimit në mjedis, prokurimin dhe ndihmën shtetërore.

Pa subvencione, kostoja e energjisë do të rritej rreth 23% në Kosovë, 29% në Maqedoninë e Veriut, 31% në Bosnjë dhe Hercegovinë, 37% në Mal të Zi dhe 49% në Serbi.

“Qeveritë e Ballkanit Perëndimor rrezikohen të përjetojnë goditje të forta dhe shok pas hyrjes në Skemën e Tregtimit të Emetimeve [të karbonit] të BE-së”, tha Igor Kalaba nga organizata ‘Climate Action Network’ në Evropë.

“Çmimet e karbonit nuk janë marrë në konsideratë siç duhet në planifikim e projekteve të reja të qymyrit, duke rritur shanset që këto projekt të përfundojnë si asete të bllokuara ose limituara.”

Komuniteti i Energjisë sugjeron krijimin e një mekanizmi të përcaktimit të çmimit të karbonit për të ndihmuar masat e efiçiencës së energjisë dhe shtimin e fuqisë së ripërtëritshme.

“Qymyri është një mallkim për Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë,” ka shkruar Kopaç në një artikull për EURACTIV. “Hendeku i politikave energjetike do t’i shtyjë Palët Kontraktuese, veçanërisht vendet e Ballkanit Perëndimor, jo më afër BE-së, por më larg tyre”.

Artikulli është marrë nga Euractiv

Përgatiti: Lira Ramadani