Një 'Skip' në punë e sipër | Foto: Wikimedia

‘Bageri’ i Kaçanikut Keqkuptohet në Prishtinë

Keqkuptimi për emërtimin e një makinerie të rëndë në një tender të Komunës së Prishtinës dyshohet se ka shkaktuar tollovi të vërtetë institucionale, duke ngritur dilema gjuhësore për përdorimin e saktë të emërtimeve për sende të ndryshme.

Problemi i tenderit të komunës ka gjasa t’i ketë rrënjët në disa dekada më parë, kur emërtimi i një koncepti nisi të zëvendësohet me markën apo stampën më të njohur të produktit përkatës.

Gjatë viteve ’90, kur në Kosovë filluan të importohen tepsi nga jashtë kufijve të ish-Jugosllavisë, këto enë gatimi mbanin stampat e prodhimit të vendeve përkatëse, për shembull “Made in China”, “Made in Turkey” etj.

Nuk dihet saktësisht sesi ndodhi – për arsye praktike apo mosdijeje – por një pjesë e amvisave kosovare filluan t’u referohen këtyre si “Tepsitë e Madenit”, ndonëse secila prej tyre ishte thjesht tepsi me vend të ndryshëm prodhimi.

Kjo ngatërresë terminologjike është e përhapur edhe në sende e produkte të tjera, përfshi këpucët sportive: marka ‘Puma’ zotëroi krejt llojin dhe dolën ‘Puma Adidas’, ‘Puma Nike’ etj.

Praktika gjuhësore u shtri edhe te veturat, dhe si rrjedhojë në Kosovë sot ka Jeep (markë amerikane e veturave 4×4), por ka edhe Jeep Toyota, Jeep Q7 (Audi), Jeep Land Rover, Jeep Range Rover, Jeep X6 (BMW), Jeep ML (Mercedes) etj.

E njëjta “reklamë” i ndodhi edhe kompanisë shtetërore të naftës të Kroacisë, INA.

“Shihemi te ajo ina”, u referohen njerëzit në Kosovë pompave të benzinës sado që mbishkrimi në atë pikë karburanti mund të jetë gjithfarëlloj, por jo më INA.

Bardh Rugova, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, tha se këto keqemërtime kanë ardhur si pasojë e emërtimit të paqartë të një sendi, koncepti i të cilit nga ana tjetër, është i qartë.

“Atëherë ke me gjetë një fjalë dhe nganjëherë ndodh shpesh që merret emri industrial. Për shembull, si një pjesë e shqiptarëve që i thonë ‘Puma’ krejt patikave, apo ‘Kalldonti’, ‘Palloma’ etj.”, shpjegoi Rugova.

Viktima e radhës: një tender?

Një dilemë e tillë ndërmjet konceptit të qartë dhe emërtimit të paqartë, me gjasa ka shkaktuar një tollovi institucionale që përfshin të paktën një kompani private, Komunën e Prishtinës dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Një tender i Komunës së Prishtinës mund të ketë hasur në këtë vështirësi, duke vonuar projektin “Rrënimi, largimi i objekteve, pajisjeve, transportimi i tyre në vendin adekuat dhe intervenimet emergjente”.

Ndërsa Rexhep Murseli, pronari i kompanisë me të njëjtin emër, “Murseli Company”, me seli në Kaçanik, hyrë në telash me emërtimin e një lloj makinerie të rëndë në dokumentet e tenderit në fjalë.

“Murseli Company” ishte ofertuesja më e lirë në tenderin e komunës, por pronari i kompanisë pretendon se komisioni i tenderit nuk ka kuptuar emërtimin e pajisjes.

Murseli ka drejtuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës e cila e ka shpallur të papërgjegjshme për aktivitetin e prokurimit për projektin e rrënimit.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, ai tha se komisioni vlerësues e ka shpallur të papërgjegjshëm, pasi që nuk ka figuruar një mjet që quhet ‘Skip’.

“Bëhet fjalë për dokumentin furnizim me ‘Skip’, dhe ne jo vetëm që kemi ‘Skip’ por i kemi dy dokumente të ‘Skipit’, por vetëm firma ose emri i ‘Skipit’ ka qenë Katerpilar”, tha Murseli.

Sipas Murselit, dokumenti që e ka kërkuar Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prishtinës, ka ekzistuar por komisioni i vlerësimit nuk e ka kuptuar, ndaj kompania e tij u shpall e papërgjegjshme.

“Në kërkesa të komunës ka ekzistuar vetëm kërkesa për ‘Skip’ por s’ka dallim me Katerpilarin, është vetëm çështje emri si Mustafë, Shaban, Rrustem etj”, shpjegoi Murseli.

Nga ana tjetër, OSHP-ja e ka aprovuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Murseli Company”, ndërsa ka anuluar vendimin e Autoritetit Kontraktues – Komunës së Prishtinës, duke e kthyer lëndën në rivlerësim.

“Paneli shqyrtues bazuar në të gjeturat e ekspertit shqyrtues si dhe sqarimeve të dhëna gjatë seancës dëgjimore vlerëson se qëndron, për faktin se operatori ekonomik ankues ka plotësuar kërkesat e kërkuara dhe posedon faturën e blerjes së pajisjes që plotëson kërkesën e autoritetit kontraktues për Skip”, thuhet në arsyetimin e vendimit të OSHP-së, me të cilin u anulua vendimi.

Bager, traktor apo ‘Katerpillar’…

Zyrtarja për informim e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, pranoi për gJNK, se rasti ka të bëjë me identifikimin e makinerisë.

Por, sipas Mullafazliut, çështja mund të mos ketë qenë te emërtimi, por te lloji i mjetit.

“Realiteti është i ndërlidhur me identifikimin e një mjeti për punë – Skipit, i cili mjet në tenderin e operatorit ekonomik ankues ka qene i shënuar si traktor dhe komisioni vlerësues e ka marrë e për të tillë dhe rrjedhimisht, e ka shpallur këtë operator ekonomik të papërgjegjshëm për këtë mungesë”, tha ajo.

Zyrtarja tha se është në dijeni të vendimit të OSHP-së për rishqyrtim të tenderit dhe se procedimi i mëtejmë do të ndjekë procedurat ligjore si në të gjitha rastet tjera.

“Vendimi i OSHP-së ka konstatuar se ai mjet i paraqitur me atë emërtim ka funksionet e Skipit dhe duhet të trajtohet si mjet i pranueshëm çka do të thotë se me këtë konstatim operatori ekonomik ankues duhet të trajtohet në procesin e rivlerësimit si i përgjegjshëm”, tha Mullafazliu.

Ajo sqaroi se komisioni për rivlerësim është formuar dhe do të fillojë procesin nga data 26 janar 2016.

“Rezultati i punës së këtij komisioni sigurisht do të jetë në pajtim me Vendimin e OSHP-së dhe për këtë do të njoftohen të gjithë pjesëmarrësit në tender, OSHP-ja dhe zyrtarët përgjegjës të Autoritetit Kontraktues”, u shpreh ajo.

Probleme të tjera, jo-emërore

Përpos, çështjes së ‘Skipit’, gjatë seancës dëgjimore të mbajtur në OSHP- përfaqësuesja e komunës gjithashtu, përmendi edhe një fakt tjetër, por i cili nuk u morr parasysh nga paneli shqyrtues.

Përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës në këtë seancë deklaroi se komisioni vlerësues ka vërejtur se kompania në paramasë ka ofruar çmime jo-normalisht të ulëta, ku për ekskavator, çmimi për orë është 10 euro, ndërsa operatori tjetër i dytë me radhë, e ka pasur çmimin 58 euro për orë.

Eksperti shqyrtues i OSHP-së lidhur me këtë pretendim të përfaqësues së komunës deklaroi se çështja e çmimit nuk ishte përmendur fare në letrën standarde për eliminimin e kompanisë.

Gjithashtu edhe pronari i kompanisë, lidhur me këtë pretendim të përfaqësues së komunës të shpalosur në seancën e OSHP, thotë se nuk është aspak relevant.

“Ne si kompani i dimë punët tona dhe në bazë të tyre edhe ofertat tona”, tha Murseli për Gazetën JNK.

Gazeta JNK, u interesua edhe lidhur me faktin nëse anulimi i këtij vendimi nga OSHP-ja dhe rikthimi i këtij tenderi në rivlerësim, mund t’i paraqesë vështirësi Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës për realizimin e rrënimit të objekteve.

Për këtë pyetje, komuna thjesht nuk ktheu përgjigje.

Zbulohet Skipi

Amir Kadriu, me profesion mekanik dhe njohës i fushës së makinerive të rënda, konfirmoi për gJNK, të gjeturat e OSHP-së.

Ai tha se Katerpilari është markë që prodhon makineri të ndryshme, ku bën pjesë edhe Skip-i, i cili në këtë rast nuk është markë, por lloj i makinerisë.

“Katerpilari është një brend i makinerive, të cilët ndër të tjera prodhojnë, Bager, Skipa, dhe makineri të tilla të ngjashme. Shumë lehtë me anë të një kërkimi në internet mund të shihni Skipat e brendit Katerpilar”, tha Kadriu.

Në internet gjenden marka të ndryshme ‘Skipash’, përfshi Katerpillar – një firmë që prodhon makineri pune për qëllime industriale.

Ndërsa pritet që kjo çështje të marrë një zgjidhje institucionale, çështja e emërtimit mund të mos ketë një përfundim po aq zyrtar.

Makineria e diskutuar rezulton me siguri të lartë se nuk është traktor, por nuk është as bash bager.

Skipi është një mjet i rëndë me rrota apo zinxhirë që operon një kovë të madhe të specializuar për të mbledhur dhe zhvendosur materiale të ndryshme.

Në këto materiale bëjnë pjesë edhe ato mbetje që shkaktohen nga rrënimi i një objekti.