Oda e Avokateve

Avokatët përkrahin KGjK-në, vendimi i Odës i gabuar

Oda e Avokatëve të Kosovës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se të gjithë avokatët e Republikës së Kosovës do të futen në bojkot të përgjithshëm duke mos përfaqësuar në rastet që i kanë dhe duke refuzuar thirrjet e gjykatës dhe prokurorisë sipas detyrës zyrtare.

Ky vendim edhi pas një urdhri të Gjykatës Themelore të Prizrenit me të cilin u kufizua qasja e avokatëve në objektet e gjykatës.

Urdhri i tillë e gjeti mbështetjen edhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës i cili sugjeroi që edhe gjykatat tjera të Kosovës ta zbatojnë këtë vendim.

Mirëpo, kundër vendimit të Odës së Avokatëve për bojkot të përgjithshëm kanë dalë disa avokatë.

Avokati Esat Gutaj e ka quajtur vendimin e Odës si vendim kundër rendit dhe rregullit.

“Oda e Avokatëve është dashtë paraprakisht të mbajë mbledhje dhe t`i matë mendimet e avokatëve e jo disa njerëz pa asnjë diskutim të marrin vendim, për mendimin tim ata janë kundër rendit dhe ligjit”, tha Gutaj.

Gutaj shtoi se vendimi i Odës është i paarsyeshëm dhe i paligjshëm

“Unë edhe mbrëmë kam deklaruar se nuk është as i ligjshëm as i arsyeshëm ky vendim sepse gjykata ka rendin e vet dhe rregullat e veta, çfarë të keqe ka nëse kërkohet rendi dhe rregulli, kjo kërkesë është e drejtë”, tha avokati.

Kundër vendimin të Odës ka dalë edhe avokatja Aurora Mulhaxha.

Ajo përmes një statusi në Facebook është deklaruar kundër bojkotit të Avokatëve.

“Unë personalisht nuk pajtohem me zotimin e kolegëve dhe vendimin e kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, duke e konsideruar si vendim të ngutshëm, arsyeja se përse është marr një vendim i tillë është jo-arsyetim në krahasim drejt shkeljeve tjera që bëhen kundrejt Avokatisë”, thuhet në Statusin e avokates Mulhaxha.

Sipas saj vendimi i Gjykatës është i drejtë, por që duhet të vlejë edhe për prokurorët.

“Vendimin e KGJK-se për hyrje vetëm me ftesa neë Gjykatë, e konsideroj shumë të drejtë, e cila ndikon me vetëdisimin e avokatëve sekser, të cilët ia kanë humbur emrin avokatisë, pjesërisht kam vërejtje në këtë vendim, duke u bazuar në Parimin e barazisë se armëve të palëve në Gjykim, Prokurori dhe Avokati janë të barabartë. Kështu që duhet tështohet në vendim ndalimi i prokurorëve, avokatëve dhe të gjitha palëve njëjtë”, ka shkruar ajo.

Dje gjatë ditës edhe pse ishte vendosur për bojkot nga Oda e Avokatëve, avokati Haxhi Millaku kishte qenë i pranishëm në një seancë dhe e kishte përfaqësuar klientin e tij.

Ky veprim sipas tij, nuk ishte kundër vendimit të Odës, pasi rasti ishte emergjent dhe çdo rregull ka përjashtime.

“Paraburgimi është çështje e lirisë së njeriut. Më është dukur jonjerëzore dhe joetike që unë të jem shkaktari i qëndrimit të tij në paraburgim, prandaj kam qenë në seancë, ky veprim nuk e ka cenuar vendimin e Odës, pasi çdo rregull ka edhe përjashtim dhe sidomos rastet me paraburgim, andaj kam vlerësuar se veprimi im nuk paraqet ndonjë shkelje të vendimit të Odës”, tha dje Millaku për KALLXO.com.

Bojkoti i djeshëm bëri që në gjithë Kosovën të dështojnë mbi 100 seanca gjyqësore.

https://kallxo.com/greva-e-avokateve-dhjetera-seanca-te-anuluara-e-te-shtyra-ne-gjykaten-e-prishtines/

https://kallxo.com/greva-e-avokateve-con-ne-deshtimin-e-shume-seancave-ne-gjakove/

https://kallxo.com/bojkoti-i-avokateve-ne-gjykaten-e-prizrenit-deshtojne-50-seanca/

Bojkoti i Avokateve, dje solli edhe reagimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Përmes një Komunikate KGJK-ja, tha se vendimi do të sjellë rend dhe rregull në gjykatë.