Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: Komuna e Lipjanit përzgjodhi Operator Ekonomik të pa përgjegjshëm në dy tenderë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në Raportin për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Lipjanit për vitin 2021 ka gjetur se kjo Komunë, ka përzgjedhur Operator Ekonomik të pa përgjegjshëm.

Raporti përmend dy dosje të tenderit.

Njëra dosje ishte për asfaltimin e rrugës ‘Marie Shllaku’ dhe ndërtimi i urës mbi lumin Sitnica në Rufc të Ri në vlerë prej 354 mijë e 549 euro.

Sipas Auditorit, në këtë dosje është kërkuar dëshmi për Certifikatën ISO 18001 2007.

“Megjithatë, në dosjen e tenderit nuk kishte dëshmi se ekziston kjo certifikatë”, thuhet në raport.

Sipas raportit, kjo gjetje bazuar në Ligjin për Prokurim Publik, përcakton se autoriteti kontraktues do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tenderi në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit.

Gjithashtu në dosjen tjetër të tenderit, ndërtimi i ndriçimit publik në rrugën Llugaxhi, Gadime, Gadime e Ulët si dhe ndërtimi i trotuarit në rrugën Lipjan – Rreth rrotullimi Janjevë në vlerë prej 114 mijë e 193 euro është kërkuar që Operatori Ekonomik t`i ofrojë dëshmi të kënaqshme Autoritetit Kontraktues për qarkullimin vjetor gjatë tre viteve të fundit 2018-2020, që duhet të jetë jo më pak se 200 mijë euro.

Por, sipas Auditorit, në dosjen e tenderit nuk kishte dëshmi për qarkullimin financiar për tre vitet e fundit.

“Përzgjedhja e OE fitues që nuk përmbush kriteret e përcaktuara me dosje të tenderit, rezulton me shpërblimin e OE në kundërshtim me kërkesat ligjore. Kjo mund të rrezikojë cilësinë e shërbimeve dhe arritjen e objektivave të parapara në projekt”, thuhet në këtë raport.

Auditori ka dhënë rekomandim që kryetari të sigurojë kontrolle në procesin e vlerësimit të ofertave, në mënyrë që përzgjedhja e fituesve të bëhet vetëm pasi të jenë plotësuar kërkesat e përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit.

Me këtë përgjigje, sipas raportit janë pajtuar menaxhmenti i këtij entiteti.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Lipjanit mund ta gjeni KËTU.