Auditori identifikon dobësitë e kontrollit të cilësisë së miellit dhe mishit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor. Vlerësimi i sigurisë në ushqim përmes listave të kontrollit nuk i përfshinë të gjitha Parimet e Analizës së Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik i njohur si HACCP. Për më tepër, as Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë nuk është i akredituar për të gjitha analizat e nevojshme për siguri në ushqim.

Këto të dhëna janë pjesë e Raportit të Auditimit të Performancës që e ka publikuar Zyra Kombëtare e Auditimit për sigurinë e ushqimit që për fokus kanë pasur “produktet e mishit dhe të grurit”.

Në këtë raport thuhet se Kosova importon rreth 40 mijë tonë në vit mish apo mbi 80% e konsumit të përgjithshëm, përderisa rreth 20% mbulohet nga prodhimi vendor. Ndërsa me grurë vetëm në vitin 2018, janë importuar 101 mijë e 980 ton apo rreth 95% e nevojave vendore, porse në këtë sektor ka pastaj eksporte. Ndërsa në po të njëjtin vit, sipas raportit, janë asgjësuar rreth 150 mijë kilogram ushqime të ndryshme. Është raportuar për cilësi të dyshimtë të mishit e grurit. Të dhënat tregojnë se rëndësia e kontrollit të sigurisë për produktet e importuara është mjaft e lartë.

Në raportin e përformancës të ZKA-së thuhet se AUV ende nuk i ka kompletuar procedurat dhe standardet e nevojshme për të siguruar se inspektorët sanitar dhe fitosanitar janë duke kryer kontrolle zyrtare në pajtim me standardet e sigurisë për ushqim. Për më tepër, ZKA-ja thotë se njësitë përgjegjëse të AUV-së nuk janë në dijeni për procedura e operimit që janë të aprovuara. Një situatë më e mirë rreth rregulloreve/procedurave vërehet te inspektimet e veterinarisë.

Raporti thotë se mungesa e koordinimit të inspektorëve të vendosur në nivelin lokal dhe atyre që operojnë në qendër rrit mundësinë e kontrolleve jo efikase.

“Inspektorët komunal nuk janë transferuar në Agjencinë Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe nuk ka koordinim të mirë të kontrolleve mes nivelit qendror dhe atij lokal. Kjo rritë mundësinë e kontrolleve jo efikase sikurse në rastin e tregjeve të kafshëve dhe produkteve me prejardhje bimore që nuk kontrollohen nga asnjëri nivel”, thuhet në raportin e Auditorit.

Po ashtu, AUV ende nuk ka bazë të plotë të dhënave për bizneset që ofrojnë ushqim me prejardhje bimore dhe shtazore për të kontrolluar gjithë industrinë ushqimore.

Mangësi ka evidentuar edhe një auditim i kryer nga Komisioni Evropian në vitin 2019, i cili ka vlerësuar punën e AUV lidhur me kontrollet zyrtare që mbulojnë prodhimin e produkteve të shpendëve të destinuara për eksport në Bashkimin Evropian. Auditimi ka vënë në pah disa mangësi në procesin e kontrolleve në fushën e audituar, ku AUV kishte adresuar shumicën e rekomandimeve të dhëna.

Raporti tregon se gjetjet e tij janë ndarë nga hartimi i politikave e deri te ekzekutimi i kontrolleve.

Mangësi në kategorizimin e kompanive

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ka obligim që të kontrollojë tregun ushqimorë: të gjithë ushqimin bimorë e shtazorë. Kjo bëhet përmes kontrollit në pikat kufitare, brenda territorit përmes inspektorëve veterinarë, fitosanitarë dhe sanitar.

Në anën tjetër DShP, bënë kategorizimi e kompanive bazuar në rrezikun duke përdor dokument udhëzues. Por, Auditori thotë se nuk po zbatohen të gjitha kërkesat e këtij dokumenti, pasi inspektorët nuk janë duke i poentuar kompanitë, sic e kanë obligim.

“Nuk janë duke u zbatuar të gjitha kërkesat sipas këtij dokumenti edhe pse planet e AUV-së kanë për bazë këtë udhëzues. Ky dokument që është i zbërthyer në Listë Kontrolluse, kërkon nga inspektorët që gjatë kontrolleve të bëjnë poentimin dhe kategorizimin (A, B, C dhe D) e kompanive të kontrolluara. Megjithatë, poentimi nuk është bërë asnjëherë ndërsa kategorizimi është me mangësi. Kjo ka ndodhur për shkak se nuk është bërë monitorimi i mënyrës së plotësimit të listave kontrolluese”, gjen  Auditori.

Për më tepër këto të dhëna nuk kanë shërbyer për hartimin e planit vjetor të vitit vijues. Kjo ka ndodhur për shkak të mos koordinimit në mes të DShP-së dhe Drejtorisë së Inspektoratit (DI-së) ku nuk ka raportim të rezultateve të kontrolleve për gjendjen e secilës kompani. Në këtë ka ndikuar edhe mungesa e një sistemi elektronik ku inspektorët raportojnë për secilën kompani dhe çdo kontroll që kryejnë. Ky sistem ka filluar së aplikuari në mars të 2019-ës dhe atë vetëm për regjionin e Prishtinës.

AUV-it iu rekomandua funksionimin e  sistemit elektronik dhe laboratorit të ushqimit.

“Të vë në funksion sa më shpejt që është e mundur sistemin elektronik për kontrolle të brendshme duke shtrirë përdorimin në të gjitha Zyrat Regjionale dhe nga gjithë inspektorët veterinar, fitosanitar dhe sanitar; dhe i marrë veprimet e nevojshme për funksionalizimin dhe akreditimin e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë për zhvillimin e analizave të nevojshme për produkte të cilat aktualisht kryhen në institute tjera apo jashtë vendit”, rekomandon raporti.

Nuk dihet sa biznese merren me industrinë ushqimore

AUV nuk ka një listë të plotë të bizneseve që merrën me industrinë ushqimore përkundër është krijuar baza e dhënave që ka filluar të plotësohet në vitin 2019 me emrat e bizneseve  që kanë veprimtari në industrinë ushqimore më origjinë shtazore dhe bimore.

“Nga raportet mujore dhe vjetore të kontrolleve zyrtare nuk mund të kuptohet nëse është arritur të kontrollohet zinxhiri ushqimor pasi që nuk ka listë të plotë të bizneseve që mundëson një verifikim të tillë. Ky proces është vonuar për shkak të mos marrjes së masave në kohë nga AUV dhe si pasojë që nga themelimi i AUV-së e deri në fund të muajit korrik 2019 nuk mund të dihet nëse të gjithë ofruesit e produkteve me origjinë shtazore dhe bimore janë kontrolluar”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori vie në përfundim edhe pse AUV-ja kryen numër të madh të kontrolleve në baza vjetore, nuk ka regjistër të plotë për kompanitë në sektorin e ushqimit dhe kjo paraqet mangësi për AUV-në për mbulimin e tërë tregu e cila mund të rritë rrezikun në ushqim.

Gjilani dhe Vushtrria me treg te pa licencuar për kafshë

Në komunën e Gjilanit dhe të Vushtrrisë, tregu i kafshëve dhe tregu i gjelbër nuk janë të licencuara. Sipas zyrtarëve të AUV, tregjet e kafshëve në vend nuk i plotësojnë kriteret e parapara për tregje por as nuk kontrollohen nga inspektorët të AUV-së apo komunal.

Auditori thotë se në këto tregje bëhet therja e pa kontrolluar e kafshëve dhe mos kontrolli i tyre nga inspektorët veterinar rrit rrezikun e therjes/shitjes së mishit me sëmundje që mund të barten edhe tek njerëzit.

Tutje thuhet se AUV-ja përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal ka kërkuar që komunat të ndërmarrin veprime adekuate për legalizimin e tregjeve por deri me tani vetëm Komuna e Gjilanit ka filluar projektin për ndërtimin e tregut të kafshëve në pajtim me kriteret e parapara, ndërtimi i të cilit deri në korrik 2019 nuk ka filluar.

Në anën tjetër, produktet që importohen, kalojnë kontrollin e nevojshëm dhe gjithashtu merret mostra për analizë. Në rast se rezulton pozitivë atëherë malli asgjësohet ose kthehet në vendin e origjinës si dhe për të njëjtë kompani duhet të merren mostrat edhe për dhjetë kontingjente tjerë, mirëpo sistemi elektronik nuk e jep mundësinë që të përcjellë dhe të sigurojë që janë marrë mostrat për dhjetë kontingjentet e radhës.

Mangësi në punën e inspektorati fitosanitar dhe sanitar

Auditori gjen konflikt në detyra, pasi Inspektorati fitosanitarë nuk ka mbikëqyrje.

“Aktualisht, nuk ka kategorizim të kompanive në këtë sektor dhe planet vjetore të vitit 2018 dhe 2019 janë hartuar nga sektori i inspektoratit fitosanitar edhe pse zbatues të këtij plani janë vetë ky sektor. Kjo paraqet një ndarje jo të mirë të detyrave dhe konflikt në zbatimin e planit pasi që zbatimi bëhet nga i njëjti sektor”, gjen Auditori.

Në anën tjetër, në planin për inspektoratin sanitar janë paraparë  kontrolle vetëm për çerekun e parë dhe atë të fundit për shkak të mungesës së metodave të vlerësimit të rrezikut.

Sipas raportit të Auditorit janë 38 përqind e bizneseve të cilat janë në kategorinë C dhe të cilat duhet të inspektohen minimum tri herë në vit.

Në pikat inspektues kufitare, të Prizrenit, Auditori ka vërejtur merret vetëm një paketim i mishit brenda ngarkesës. Sipas inspektorëve kjo bëhet për shkak të temperaturës -18 brenda kamioni dhe temperaturës +38 jashtë, gjithashtu vonesa në kontrolle rritë temperaturën duke shkaktuar dëme material.

Në pikën inspektuese kufitare në Mitrovicë, Auditorit vëren që është marrë mostra vetëm në një vend dhe atë në pjesën e  fundit të kamionit.

Auditori erdhi në konkludim se mënyra e marrjes së mostrave në Pikat Inspektuese Kufitare nuk ofron mjaftueshëm siguri se produktet të cilat hyjnë në treg kontrollohen si duhet dhe sipas procedurave të vendosura. Andaj rekomandoi që kontrollet të kryhen sipas procedurave

“Të sigurojë që kontrollet në pika inspektuese kufitare kryhen sipas procedurës standarde të operimit për marrjen e mostrave përfaqësuese për të siguruar që produktet e importuara i plotësojnë kushtet për konsum”, rekomandon Auditori.