Ligji për kontrollin e duhanit; Fotografi ilustruese; KALLXO.com

Askush nuk e prish tymin e cigares, 'Ligji i ligë' që nuk po gjen zbatim

Për një shumicë të qytetarëve të Kosovës një cigare gjithmonë ‘shkon para e pas bukës’, në kafene, shtëpi, rrugë apo restaurant.

Taketuket zënë shumicën e tavolinave të lokaleve anipse ka gati tetë vite që me ligj ndalohet pirja e duhanit në hapësira të caktuara. 

Ndarja e dy hapësirave brenda lokaleve për të ndaluar konsumimin e duhanit brenda ambientit të mbyllur, nuk po respektohet pothuajse nga të gjitha bizneset në Kosovë. Kjo gjendje faktike po bën që të rritet numri i konsumuesve pasivë së bashku me numrin e gjobave.

Të dhënat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) vënë në pah se gjatë vitit 2020 dhe fillimvitit 2021 nga 3000 gjoba të shqiptuara në subjektet e gastronomisë, 20 përqind janë shqiptuar për mos respektim apo zbatim të ligjit për kontrollin e duhanit.

Egzon Xhema, pronar i “Pika Bar” në Vushtrri, thotë se ky ligj zbatohet shumë pak në të gjitha lokalet e gastronomisë, përfshirë këtu edhe lokalin e tij.

“Si të gjitha vendet e gastronomisë ligji për duhan zbatohet fare pak, si nga institucionet, si nga ana e pronarëve të bizneseve ligji për kontrollin e duhanit shumë pak zbatohet”, u shpreh Xhema për KALLXO.com.

Xhema thotë se iu kishte përshtatur shumë nëse do e kishin mundësinë ta ndanin lokalin në dy pjesë, në atë ku lejohet pirja dhe në atë ku ndalohet.

“Po tash nëse klienti e kupton që nuk pihet në secillin lokal brenda qytetit duhani normal që vjen përsëri se mësohet me faktin që nuk pihet duhani brenda edhe është vendi i caktuar se ku duhet të konsumohet cigarja”, thotë ai.

Për Nasuf Miftarin nga Vushtrria, i cili ka 30 vite që e konsumon duhanin, krahas varësisë që ka ai ndaj tij, ai mundohet që atë mos ta konsumoj brenda ambienteve të mbyllura.

“Mundohem mos me pi në do-do vende ku nuk e shoh të arsyeshme, po rreptësisht në vende të mbyllura nuk mundem me thënë që nuk e dhezi, edhe pse e di që mirë nuk është. A në kafe brenda varet. Në shumicën e kafeneve në Vushtrri nuk është e ndaluar, as nuk është vendi i ndarë për neve që pijmë”, thotë Miftari.

Krahas pasojave që shkakton në shëndetin individual, konsumimi i duhanit në ambiente publike po i shndërron qytetarët joduhanpirës në konsumues pasivë.

Pulmologu në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Skender Baca, thotë se konsumimi i duhanit në ambiente me frektuentim të madh të njerëzve shkakton më shumë pasoja te njerëzit e tjerë se sa të vet konsumuesi.

“Ai që e pi duhanin e ka ndonjë benefit se qetësohet, e largon stresin e nervozën se ndikon nikotinamina. Mirëpo, tjetrin veç e lëndon, se atë çka e liron aty ka veç helme të shumëfishta se janë mbetje të metabolizmit brenda trupit tënd. Duhanpirësit pasivë janë 100 herë më të dëmtuar se ata aktivë”, thotë ai.

Në bazë të statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (ëHO), vlerësohet se 6 milionë njerëz vdesin në vit si pasojë e konsumimit të duhanit, mbi 5 milionë e tyre janë konsumues të rregullt, kurse 600 mijë individë për shkak të tymosjes pasive. Kurse, në Kosovë rreth 1500-2000 persona në vit vdesin si pasojë e konsumimit të duhanit.

Pumologu Baca tha se duhanpirja përpos që shkakton probleme te të gjithë njerëzit, pasojat më të mëdha i shkakton te fëmijët e sidomos te ata që janë me alergji.

“Për shembull një fëmijë që është 7 vjeç ka alergji edhe nëse pihet duhani aty ku është ai, probabliliteti që të krijiohet astma te ai është 94 përqind. Është diskriminim i madh për fëmijët të konsumohet duhani në prani të tyre”,  thotë ai për KALLXO.com.

Por, ai thotë se 10 vitet e fundit ka vërejtur një vetëdijësim të madh te popullata si pasojë e propagandës pozitive shëndetësore dhe ligjit për kontrollin e duhanit.

Megjithatë, Lamir Thaçi nga AUV ka thënë se ka një ndryshim kulturor në zbatim të ligjit për kontrollin e duhanit ku në disa fusha kanë përparim e në disa ngecje.

“Kemi një ngecje në mos zbatim të ligjit te subjektet e kafe-bareve nga të cilët edhe pse kemi shqiptuar gjoba prapë nuk po ndryshon qasja ndaj vetëdijesimit për zbatim të këtij ligji”, thotë Thaçi. 

Gjetjet e hulumtimit të Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) të publikuar në vitin 2020 kanë vërtetuar se ekspozimi i qytetarëve ndaj tymit të duhanit është shumë i madh (81.4%) në bare, kafene dhe restorante. Derisa në vendin e punës ekspozimi ndaj tymit të duhanit është më i ulët (27%) dhe në shtëpi mbi 30%. 

Rezultatet e hulumtimit kanë treguar një nivel të lartë të përkrahjes së popullatës për masat e kontrollit të duhanit ku 84.7 përëind e tyre janë shprehur në favor të ndalimit të pirjes së duhanit në bare, kafene dhe restorante dhe 98.5 përqind në favor të ndalimit të pirjes së duhanit në institucionet publike.

Por sipas Thaçit, ky ndryshim duhet të vijë nga njerëzit më përgjegjës duke u nisur nga drejtuesit e lartë të shtetit e deri te qytetari dhe të vihen në zbatim të këtij ligji gjithë mekanizmat shtetërorë, angazhimin e institucioneve për ngritjen e vetëdijes shoqërore, nivelin e edukimit shëndetësor nga profesionistët shëndetësorë.

Thaçi ka thënë se moszbatimi i këtij ligji është si pasojë e numrit të vogël të inspektorëve sanitarë në komuna dhe në nivelin qendror.

Megjithë, neni 11 ti Kushtetutës së Kosovës me qëllim mbrojtjen nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit ndalon pirjen e duhanit në hapësirë publike, hapësirë të punës, mjetet e transportit publik, në ndërtesat me banesa shumëkatëshe, në hapësirë të përbashkët të ndërtesës, në hapësirë të hapur, në administrim të institucioneve edukative-arsimore, në afërsi të hyrjeve/daljeve të hapësirave publike, hyrjeve/daljeve të hapësirës së punës dhe në hyrjeve/daljeve të institucioneve shëndetësore, në vendet e lojërave për fëmijë, stadium, arenë, apo hapësirë për çfarëdo shfaqje. 

“Mbikëqyrja e zbatimit të ligjit të duhanit nuk është mandat vetëm i Inspektoratit sanitar, por i të gjitha inspektorateve për fushat e kontrollit që mbulojnë. Ndërsa nga këto Inspektorate nuk kemi pasur fare mbështetje apo inkuadrim lidhur me kompetencat e tyre në institucionet përkatëse dhe kjo e zbehë punën tonë në zbatimin apo pasqyrën e përgjithshme të zbatimit të këtij ligji”, thotë Thaçi.

Komuna e Drenasit është e vetmja komunë e cila që nga viti 2017 ka marrë masa ndëshkuese ndaj shkelësve të Ligjit për kontrollin e duhanit duke lënë prapa 36 komunat tjera.

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në komunën e Drenasit, Milaim Hajdari thotë se gjatë viteve 2020 dhe 2021 nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë për shkelje të këtij ligji.

“E kemi një inspektor sanitar dhe gjatë periudhës 2020/21 i gjithë aktiviteti ka qenë në inspektimin dhe monitorimin e situatës nga pandemia COVID- 19, në inspektimin e respektimit të masave mbrojtëse si dhe përcjelljen e aktvendimeve për izolim dhe anulim për persona të prekur nga COVID-19”, ka thënë Hajdari për KALLXO.com.

Ndërsa drejtori i Inspekcionit në Komunën e Gjakovës, Fazli Hoxha, thotë se gjatë vitit 2020, inspektorët sanitarë kanë shqiptuar 21 gjoba për mos respektim të ligjit për kontrollin e duhanit, dhe kanë paraqitur pesë kërkesa për fillim të procedurës për kundërvajtje në Gjykatë.

Por ka komuna te të cilat ka një vit që nuk shqiptohen gjoba për shkeljen e ligjit për kontrollin e duhanit.

“Tash e një vit në bazë të vendimeve të Qeverisë të gjitha kapacitet e Inspeksionit Komunal, edhe ashtu të pakët, në bashkëpunim me AUV i kemi të drejtuara në luftën për parandalimin e COVID-19”, tha Drejtori i Inspeksionit në Gjilan, Nevzad Rushiti.

Sidoqoftë, sipas të dhënave nga zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, gjatë vitit 2019 janë importuar 3028 tonë cigare, ndërsa në vitin 2020 janë importuar 2808 tonë cigare.

Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2013.