Burimi Kallxo.com

Artistët bartësit kryesor të problemeve që po karakterizojnë Teatrin Kombëtar

Periudha e vështirë që është duke kaluar Teatri Kombëtar i Kosovës për vite me radhë është pasojë e vetë komunitetit kulturor, sidomos e atyre që janë pjesë e tij.

Këtë përfundim e kanë nxjerrë krijuesit dhe njerëzit e artit skenik në vend.

Me gjithë se fajin kryesorë e bartë Ministria e Kulturës e cila në vazhdimësi ka lënë jashtë vëmendjes këtë teatër, duke lejuar në masë të madhe edhe ndërhyrjet e ndryshme politike, qoftë nga vetë zyrtarë të saj, apo edhe partive politike

Një kontribut të madh në këtë degradim, siç po flitet me të madhe që po kalon TKK-në janë edhe grupet e interesit, qoftë ato që vijnë nga politika apo natyrave tjera, sidomos nga jashtë teatrit të cilat, jo vetëm ndikojë në emërimin e Këshillit Drejtues të TKK-së,  por edhe të menaxherëve të tij, por, kanë gisht edhe në projektet e tij, duke kontribuar kështu me të madhe në dëmtimin e TKK-së.

Faji i artistëve zanatçinj

Regjisori Ben Apolloni, për gjendjen që po kalon Teatri Kombëtar ka bërë fajtorë vet komunitetin artistik. Pasi, siç ka thënë ai, është vet komuniteti ai që ka lënë anash vlerat dhe janë shndërruar në zanatçinj.

Për më keq ka thënë Apolloni, gjendja e rëndë që është në TKK është bërë diçka normale për këtë institucion.

“Sepse më duket që as nuk ka më shpresë se ky institucion do të kthjellet ndonjëherë. Për këtë kanë faj të gjithë por,  më së shumti artistët, për të cilët që një kohë po dyshoj që janë zanatçinj, por jo artistë”, ka thënë ai, duke shtuar se artistët do të duhet të luftonin për teatrin, ndërsa, siç ka vazhduar ai më tej,  ‘zanatçinjtë luftojnë veç për rrogë’.

“Artistët, po të kishte më shumë në Kosovë, nuk do të lejonin që institucioni më i lartë kulturor të ishte në këtë gjendje”, ka pohuar regjisori Apolloni.

Ai ka ripërsëritur se janë artistët dhe vetëm artistët që mbajnë përgjegjësinë për degradimin e TKK-së.

Menaxhmenti koka e problemeve

Ilir Muharremi, kritik dhe dramaturg, ka thënë për Kallxo.com se përgjegjësia  për degradimin dhe situatën ku është futur Teatri Kombëtar bie edhe mbi menaxhmentin e këtij Teatri, Këshillin Drejtues dhe drejtorin.

Drejtorët e teatrove ndër vite, ka thënë ai, janë shkaktarët të këtij kaosi që ka kapluar institucioni kryesor kulturor në vend.

“Teatri është në krizë. Teatri ka një mori problemesh, shumica e të cilave nga keqmenaxhimi që i është bërë ndër vite buxhetit të TKK-së, apo dhe projekteve artistike që nuk kanë pasur një strategji të qartë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se arti skenik po përjeton një krizë dhe është më se emergjent një reformim i këtij sistemi. Por, siç ka thënë ai, për ta bërë këtë duhen njerëz të rinj dhe pa ndikime.

“Shkaktarët e kaosit nuk mund të na shpëtojnë nga kaosi”, ka thënë kritiku dhe dramaturgu, Ilir Muharremi, profesor në UP.

Pasojat e ndikimeve politike

Për shkrimtarin Bujar Meholli, kriza që e ka pllakosë Teatrin Kombëtar dhe  po vazhdon ta mbajë të mbërthyer tash e një kohë të gjatë vjen si pasojë e situatës politike.

“Është për të ardhur keq që, jashtë diktatit politik s’ka arritur të mbes as ky institucion kulturor, brenda së cilit ka favorizime të hapura politike nga struktura udhëheqëse e tutje, që natyrisht, kanë krijuar imazh të keq dhe kanë dëmtuar veç institucionin. Edhe artistët, të cilët në të shumtën e herave mbesin në dorë të fatit, apo ju duhet medoemos të infiltrohen në politikë”, ka thënë Meholli, për Kallxo.com.

Edhe gjendja infrastrukturore, shton ai, vazhdon të mos jetë e qëndrueshme dhe, nga ky kaos më së paku përfitime ka kultura dhe populli.

Prandaj, ka potencuar më tej ai, manipulimet dhe ndikimet partiake duhet të largohen një herë e përgjithmonë, në mënyrë që, TKK-së t’i kthehet nami i dikurshëm dhe të mbetet përfundimisht institucion nacional kulturor.

“Në të kundërtën, nëse vazhdohet me këtë avaz, me këto ndërhyrje dhe emërime politike — mund të ketë pasoja vështirë të riparueshme”, ka thënë për Kallxo.com, krijuesi Buja Meholli.