Selia e AKP-së - Foto: KALLXO.com

Arsyet pse u anulua konkursi i brendshëm për drejtor departamenti në AKP (Dokument)

Agjencia Kosovare e Privatizimit në mënyrë të kundërligjshme i ka ulur kriteret për konkursin e brendshme për pozitën “Drejtor i Departamentit për Komisione Profesionale”.

Ky konstatim është bërë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili ka kërkuar nga AKP-ja që të anulojë këtë konkurs.

Në shpalljen e konkursit, në kriteret kryesore kërkohej që kandidati të ketë së paku 7 vjet përvojë punë profesionale dhe së paku 3 vjet përvojë punë në vende udhëheqëse.

Mirëpo Neni 11, paragrafi 2, nënparagrafi 2.8 i rregullores thotë tjetër gjë.

“2.8. Diplomë universitare dhe së paku shtatë (7) vite përvojë pune, duke përfshire katër (4) vite përvoje pune në vende udhëheqëse”, thuhet në këtë pikë të kësaj rregulloreje.

E AKP e ka shkurtuar njërin prej kritereve kryesore. Nga 4 vjet përvojë punë sa kërkon ligji, kjo Agjenci e ka zbritur në 3 vjet.

“Kolegji konstaton se institucionet e pavarura kanë të drejtë të përcaktojnë kriteret e emërimit në shërbimin civilë për nëpunësit e saj, por në asnjë rast këto kritere nuk mund të jenë nën-minimumin e kritereve të përcaktuara me dispozitat e Rregullores nr. 05/2012”, thuhet në letrën që iu është dërguar AKP-së.

Në dokumentin që e ka siguruar nga Këshilli përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, Këshilli i rekomandon AKP-së ta anulojë konkursin për shkak se është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit për shërbimin civil.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit duhet të anuloj konkursin e ditës 18.04.2018 për pozitën “Drejtor i Departamentit për Komisione Profesionale”, sepse është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat e është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit për shërbimin civil, respektivisht nenit 11 paragrafi 2 nënparagrafin 2.8 të Rregullores Nr. 05/2012 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil si dhe Rregullores Nr.02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil”, thuhet në letrën që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbyesit civil i ka dërguar AKP-së.

Pastaj ky Këshill e ka njoftuar AKP-në se është e obliguar që t’i eliminojë të gjitha shkeljet ligjore dhe procedurale.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka konfirmuar për KALLXO.com se në dy muajt e fundit janë edhe dy ankesa që Këshilli i ka në proces vetëm në AKP.