Arsyet e gjykatës për rihapjen e gjykimit të vrasjes së Agonis Tetajt

Gjykata Themelore e Pejës sot ka marrë vendim për rihapje të shqyrtimit gjyqësor ndaj Shaban Gogajt, i cili po gjykohet për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetajt.

Kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova në kohën e paraparë për shpallje të aktgjykimit njoftoi se procedura do të rihapet ashtu që shpallet procedurë e papërfunduar.

Gjykata po ashtu ka revokuar vendimin me të cilin e kishte pranuar pranimin e fajësisë nga Shaban Gogaj.

I akuzuari Gogaj me vendim të Gjykatës do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

Gjykatësja Husaj- Rugova tha se kjo gjykatë ka pranuar parashtresë për rihapje të procedurës nga përfaqësuesi i palës se dëmtuar, Berat Tmava.

Po ashtu në të njëjtën ditë gjykata ka pranuar kërkesën për përjashtimin e këtij trupi gjykues, kërkesë kjo e parashtruar nga Isuf Tetaj, babi i të ndjerit Agonis Tetaj. Kjo kërkesë ishte refuzuar.

“Me datë 18.03.2021 kemi pranuar një kërkesë nga kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit Arben Kadriu për shtyrjen e seancës gjyqësore në kohë të pacaktuar dhe rihapjen e shqyrtimit gjyqësor me pretendimin se kërkojnë që edhe njëherë të shqyrtojnë dhe të paraqesin prova të reja” tha gjykatësja.

Gjykatësja deklaroi se trupi gjykues ka mbajtur seancën për këshillim dhe votim dhe ka shqyrtuar të gjitha shkresat, po ashtu ka vlerësuar me hollësi dhe përpikëri të gjitha shkresat e lëndës, provat e administruara në raport me elementet e veprës penale të rikualifikuar.

“Andaj unanimisht dhe sipas detyrës zyrtare ka marrë aktvendim për rihapje ashtu që shpallet e papërfunduar procedura penale në këtë çështje meqenëse është e nevojshme që të plotësohet procedura penale në këtë çështje” tha kryetarja e trupit gjykues.

Njeherit është obliguar prokurori i rastit që deri me 7 prill të paraqes provat e reja. Ndërsa seanca e radhës mbahet më 21 prill duke filluar nga ora 11:00.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast penal që nga momenti i ngritjes së aktakuzës.

Aktakuza fillestare ndaj Shaban Gogajt ishte ngritur për vrasje të rëndë nga prokurorja Sahide Gashi. Kjo prokurore ishte përjashtuar nga kjo lëndë me vendim të Gjykatës së Apelit  dhe rasti kaloi në Prokurorinë e Gjilanit, përkatësisht te prokurori Agron Uka.

Në fjalën përfundimtare prokurori Agron Uka e ka ricilësuar si vrasje nga pakujdesia.

Ky veprim i prokurorit ngjalli reagime te familjarët e viktimës.

Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj, përmes një emaili ka alarmuar opinionin publik lidhur me dyshimet e tij se prokurori i cili përfaqëson akuzën në rastin për vrasjen e djalit të tij, Agonis Tetaj – prokurori Agron Uka ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasja e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Letra e Isuf Tetaj ishte drejtuar për mediat, shoqërinë civile, ambasadat e huaja në vend dhe bashkangjitur ka edhe videon e momentit të vrasjes së djalit të tij.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe  Besnik Berisha avokati mbrojtës i të akuzuarit në këtë rast, Shaban Gogajt u përfshinë në një situatë kontraverse ditëve të fundit, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Kjo shkaktoi reagime të mëdha, sidomos nga familja e të ndjerit, Agonis Tetaj.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka marrë lëndën e vrasjes së Tetajt nga prokurori Agron Uka për t’ia ndarë dikujt tjetër. Prokurori i ri i rastit është caktuar Isuf Kadriu.

Rihapet rasti lidhur me vrasjen e Agonis Tetajt