Arjeta Miftari: Skulptura, profesioni që më bën të ndihem krenare

Skulptorja pejane Arjeta Miftari ka vite që ekspozon skulpturat e saja nëpër ekspozita të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.

Emri i saj tashmë i ka kaluar kufijtë e shtetit duke e renditur ndër artistët tanë më reprezentativ.

Fondi i saj krijues numëron krijime të shumta në forma dhe materiale të ndryshme, por koleksioni i skulpturave “Hyjneshat” i krijuar dhe prezantuar gjatë këtij viti edhe me rastin e shënimeve të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, lanë shenjë në krijimtarinë e saj, sidomos me rrugëtim që patën në ekspozita brenda dhe jashtë vendit.

Ekspozita e saj “Hyjneshat” mbajtur gjatë këtij viti në Berlin dhe Paris, i dha edhe një shtytje promovimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës,

Për punën e saj ajo është vlerësuar jo vetëm nga kritika por edhe nga institucionet kulturore. Po gjatë këtij viti ajo mori në Tiranë çmimin pegasian “Skulptorja e vitit 2018”.

Në këtë intervistë për Kallxo.com, skulptorja Arjeta Miftari flet për punën e saj krijuese, për hyjneshat e saj të cilat patën një rrugëtim të gjatë duke prezantuar trashëgiminë kulturore të vendit, sfidat me të cilat ballafaqohen sot artistë tanë, kushtt, mbështetja institucionale,  e të tjera.

Kallxo.com: Gjatë muajit dhjetor në Paris,(në Ambasadën e Kosovës) në kudër të bashkëpunimit të ambasadës sonë në Paris dhe asaj të Francës në Prishtinë, në 10 vjetorin e Kosovës, ju hapët ekspozitën “Hyjneshat”, cilat janë impresionet tuja nga kjo ngjarje?

Arjeta Miftari: Suksesi i ekspozitës në Paris i takon të gjithë atyre që rrugëtuan me mua dhe medieve të Kosovës. Të gjitha skulpturat janë shitur dhe të gjitha mjetet e mbledhura nga kjo shitje do të shkojnë për familjet që kanë nevojë. Kjo në fakt ka qenë edhe ideja që t’i bëjmë edhe të tjerët të buzëqeshin përmes artit.

Kallxo.com: “Hyjneshat” ka pasur edhe më herët prezantime të tilla, çfarë kishte të veçantë ky prezantim nga ato të mëhershmet?

Arjeta Miftari: Në ketë ekspozitë të veçantë qëllimi ka qenë prezantimi i trashëgimisë kulturore përmes hyjneshave dhe një lloj lobimi për në UNESCO, përmes kësaj ekspozite.

Frymëzimi nga trashëgimia

Kallxo.com: Pse keni zgjedhur hyjneshat për t’ i ekspozuar jashtë vendit, pavarësisht se keni një fond të madhe të veprave artistike që edhe ato do të mund të ishin pjesë e ekspozitës?

Arjeta Miftari: Meqë ky rrugëtim është ndërlidhur me trashëgiminë ishte ideja që pikërisht kjo më së miri mund të behet përmes hyjneshave, pra që ato të jenë të ekspozuara për publikun e huaj.

Kallxo.com: Çfarë e bënë më të veçantë në punën tuaj si skulptore, koleksioni i skulpturave hyjneshat?

Arjeta Miftari: Në koleksionin tim kam vepra te ndryshme me tema dhe materiale të ndryshme, por ajo që e bënë më të veçantë koleksionin e hyjneshave është se më ndërlidh me punën e trashëgimisë kulturore, që për mua është frymëzim.

Kallxo.com: Jeni ndër të pakta gra- skulptore, sa është sfidues ky profesion për  gratë?

Arjeta Miftari: Profesioni i skulpturës është shumë sfidues. Është pikërisht kjo arsyeja që unë  kam këtë profesion që sfidoj veten në një profesion që të bën shumë krenar.

Kallxo.com: Artistët sot përballen më shumë probleme, sidomos mungesën e kushteve për punë, hapësirën për ekspozim dhe të ardhurat e pa mjaftueshme nga puna e tyre, sa është i leverdisshëm ky profesion për juve dhe sa mund t’ i plotësojë nevojat e artistëve për të plotësuar nevojat jetësore, apo u duhet edhe një punë shtesë?

Arjeta Miftari: Fillimisht e dimë gjendjen në Kosovë, sa është e vështirë të merresh me art, sidomos skulpturë, pasi ka disa specifika që nganjëherë mund të biesh në dilemë për zgjedhjen e bërë. Por unë besoj se jam një shembull i mirë për artistët në Kosovë, sepse unë jetoj nga arti, edhe falë një menaxhimi të mirë të punës sime.

Kallxo.com: Sa çmohet sot arti në Kosovë, konkretisht sa sipas jush janë ta sakta pohimet se institucione e kanë pak vëmendje për artin dhe artistët?

Arjeta Miftari: Mendoj se puna e krijuesve ka filluar të shihet ndryshme, nisur edhe nga dëshirat dhe kërkesat e njerëzve për të pasur sa më shumë vepra në ambient dhe hapësira të ndryshme. Nuk mendoj që nuk ka shumë vëmendje për artin dhe artistët nga institucionet, pasi ato në vazhdimësi mbështetin artistët, andaj unë i falënderoj.

Problemi me hapësirat

Kallxo.com: Çfarë i duhet vendit për të plotësuar nevojat e artistëve tanë, konkretisht atyre pamor?

Arjeta Miftari: Duke parë faktin dhe realitetin që ne jetojmë, mendoj se artistët kanë më shumë nevojë për mbështetje sidomos për hapësira që të kenë mundësi për të prezantuar punën e tyre.

Kallxo.com: Shumë artistë ndjehen të zhgënjyer me zgjedhjen e profesionit të tyre, po ju a keni menduar ndonjëherë se  keni gabuar që jeni bërë skulptore?

Arjeta Miftari: Asnjëherë deri më sot nuk jam zhgënjyer dhe nuk kam ra pishman pse e kam përzgjedhë këtë profesion. Fillimisht secili nga ne e dimë që nuk është e lehtë të rrugëtojmë në një rrugë me shumë sfida duke pasur parasysh vendin e vogël që ne jetojmë dhe mundësitë e pakta, por gjitha këtë më kanë dhënë kurajo që të vazhdoj edhe më shumë.