Analistët: Për shkak të qëndrimeve, kancelarja Merkel refuzon Thaçin, por takon Haradinajn

Kryeministri Ramush Haradinaj pritet që nesër (e enjte) të zhvillojë një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel si dhe me përfaqësuesit tjerë të lartë të shtetit gjerman.

Këto takime do të mbahen rreth 1 muaj para se Kosova dhe Serbia të takohen në samitin e Parisit, që është paraparë të mbahet në fillimit të muajit korrik.

Ndonëse para nisjes për në Berlin, Haradinaj nuk e përmendi se për çfarë saktësisht do të diskutojë me kancelaren Merkel dhe të tjerët, KALLXO.com nga burime qeveritare merr vesh se tema kryesore pritet të jetë dialogu Kosovë-Serbi dhe përgatitjet për samitin e Parisit.

Javën e shkuar, në Kosovë qëndroi një delegacion gjermano-francez, të cilët zhvilluan takime me përfaqësuesit më të lartë të shtetit, mirëpo deri më tani vetëm Haradinaj u ftua në Berlin.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me këshilltarin e presidentit, Ardian Arifaj, i cili nuk ka treguar për ndonjë takim të presidentit me Merkelin.

Derisa Haradinaj po merrte rrugë për në Berlin, presidenti Hashim Thaçi i cili nuk i ka qëndrimet e njëjta me  të Haradinajt për procesin e dialogut , po mbante një fjalim në njërin nga sheshet e kryeqytetit për sportistët dhe ambientin.

Këtë “injorim” të presidentit nga kancelarja Angela Merkel, analistët në Kosovë e arsyetojnë me ndërrimin e qëndrimeve që Thaçi ka pasur kohëve të fundit.

Për analistin Albinot Maloku, në tavolinën e takimit mes kancelares Merkel dhe kryeministrit Haradinaj pashmangshëm do të shtrohet edhe çështja e tarifës 100 për qind për produktet serbe.

Ai shpjegon se arsyeja se pse Merkel ka vendosur ta diskutojë këtë çështje me Haradinajn është fakti se ai këtë qëndrim e ka mbajtur qysh nga fillimi.

“Për taksën është i vetmi kryeministri Haradinaj që ka pasur qëndrim të pandryshuar për dallim nga presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli që brenda një periudhe të shkurtër kanë ndryshuar shumë qëndrime në raport me taksën. Për pasojë edhe nuk mund të merren si serioz në bisedime”, tha analisti Maloku për KALLXO.com.

Pothuajse të njëjtat arsye i jep edhe Artan Murati nga KDI. Sipas tij, ndryshimet në qëndrime të presidentit Hashim Thaçi nuk mirëpriten nga Gjermania.

“Arsyeja e takimit me Haradinajn dhe jo me Thaçin ka të bëjë me konsistencën politike dhe qëndrimet e përafërta të Haradinajt me Gjermaninë, sidomos te ideja e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve. Të gjitha idetë që po propozohen nga z. Thaçi, nuk janë në linjë më qëndrimin gjerman. As çështja e korrigjimit të kufijve e as bashkimi kombëtar. Thaçi, shumicën e rasteve nuk e di se çfarë flet dhe kjo nuk është një qasje që mirëpritet nga Germania”, tha Murati për KALLXO.com

Murati vlerëson se kancelarja Merkel do të synojë të bindë Haradinajn për pezullim të tarifës, meqë është duke e penguar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai këtë takim e sheh edhe si përgatitje për samitin e Parisit.

“Takimi mund të jetë takim përgatitor për samitin e Parisit sepse ka deklarata të fuqishme nga ana e Serbisë: “Se mund të bisedohet vetëm për motin dhe për boks”, sepse faktikisht nuk ka ndonjë lëvizje nga pozicioni i Kosovës për heqje të taksës, dhe rrjedhimisht ky mund të jetë një sesion informues se çka mund të pritet prej takimit dhe se cili do të ishte pozicioni i Kosovës karshi Serbisë dhe karshi të gjithë procesit”, tha tutje Murati për KALLXO.com.

Ndërsa edhe analisti Albinot Maloku thotë se ky takim mund të shërbejë për një njoftim më të përafërt të asaj se si Haradinaj e sheh samitin e Parisit.

“Kancelarja Merkel me siguri do të kërkojë një shpjegim se si e sheh këtë kryeministri Haradinaj dhe çfarë ideje kreative mund të këtë ai në lidhje me pozicionin e Kosovës në takimin e Parisit, i paralajmëruar të mbahet me 1 korrik”, theksoi Maloku për KALLXO.com

Ai thotë se kërkesa për pezullim të taksës nga ana e Kosovës do t’i prezantohet Haradinajt në takim, mirëpo ai beson se pezullimi nuk do të ndodhë.

“Dua të besoj që kryeministri Haradinaj nuk duhet assesi të heq dorë nga kjo tarifë pa u plotësuar kushtet e vëna nga Kosova. Veç kësaj, është kryeministri Haradinaj që mban një qëndrim të ngjashëm me atë gjerman sa i përket broçkullave të presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh mes Kosovës e Serbisë”, tha Maloku në mes tjerash.

Ai shpjegon se arsyeja se pse Merkel ka vendosur ta diskutoj këtë çështje me Haradinajn, është fakti se ai këtë qëndrim e ka mbajtur qysh nga fillimi.

“Për taksën është i vetmi kryeministri Haradinaj që ka pasur qëndrim të pandryshuar për dallim nga presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli që brenda një periudhe të shkurtër kanë ndryshuar shumë qëndrime në raport me taksën. Për pasojë edhe nuk mund të merren si serioz në bisedime”, tha analisti Maloku për KALLXO.com.

Presidenti Hashim Thaçi deri para takimit të samitit të Berlinit në fund të muajit prill, kishte pasur një qëndrim krejt të kundër për taksën ndaj produkteve serbe, sa sa pas kthimit nga samiti.

Kohëve të fundit, Presidenti Hashim Thaçi, ka lënë në hije diskutimin për korrigjim të kufirit me Serbinë, duke nxjerrë në dritë një temë tjetër, atë të bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë.

‘Korrigjimi’ i ri i Hashim Thaçit

www.kallxo.com