Analistët e shohin të pamundur idenë e VV-së për rotacion të pushtetit me LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tash e disa kohë janë duke diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje parazgjedhore për të hyrë në zgjedhje më një listë të vetme.

Mirëpo, një dallim i madh mes tyre po e pengon këtë marrëveshje. Asnjëra palë nuk po lëshon pe për pozitën e kandidatit për kryeministër.

Ditëve të fundit, zyrtarë të Vetëvendosjen kanë deklaruar se që nga tetori i vitit të kaluar i kanë dorëzuar LDK-së një model të marrëveshjes.

Sipas tyre, marrëveshja do të ishte e gjatë, ku dy partitë do të merreshin vesh për të qeverisur së bashku për dy mandate me pozita e kryeministrit të jepet me rotacion. Fillimisht kryeministri do të vinte nga radhët e Vetëvendosjes, ndërsa në mandatin tjetër, kryeministri të jetë nga LDK-ja.

Gjithmonë sipas VV-së, LDK nuk ka kthyer asnjëherë përgjigje për propozimin.

Të hënën, LDK e nxori Vjosa Osmanin si kandidate të saj për kryeministre të vendit.

Analistët nuk po e shohin si propozim të sinqertë idenë e Vetëvendosjes për një rotacion të tillë të pushtetit me LDK-në.

Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Ramush Tahiri në një bisedë për KALLXO.com thotë se kjo ide nuk është politikisht e drejtë dhe as e sinqertë

“Një ide e tillë nuk është e sinqertë dhe nuk është politikisht e drejtë. Nuk bëhet marrëveshje 4 herë unë kryeministër, 4 herë ti kryeministër, me idenë se do të fitohen zgjedhjet. Çdo koalicion e ka periudhën e caktuar, i ka synimet dhe interesat e caktuara”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Pothuajse njëjtë mendon edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Imer Mushkolaj.

Ai në një prononcim të dhënë për KALLXO.com thotë se edhe nëse mund të ketë marrëveshje për koalicion, një e tillë nuk mund të respektohet deri në fund.

“Nuk i besoj si propozim, nuk besoj që është efektiv. Pavarësisht ndonjë marrëveshje që mund të arrihet, nuk besoj që njëra apo tjetra palë do të mund të respektojë marrëveshjen deri në fund. Kjo është veç një përpjekje e VV-së që të bindë LDK-në të hyjë në koalicion me ta. Mirëpo, duke i parë rrethanat kjo çështje nuk pritet të ndodhë”, tha në mes tjerash Mushkolaj.

Sipas tij, ideja e rotacionit nuk është serioze sepse LDK dhe VV kanë dallime të mëdha mes vete, dhe mbijetesa bashkë për dy mandate është vështirë e përballueshme.

“Ideja e rotacionit për mua nuk është serioze, aq ma pak duke pasë parasysh që po kërkohet në mes të dy subjekteve që janë diametralisht të kundërta, qoftë në aspektin ideologjik, qoftë se qysh ato funksionojnë”, tha tutje Mushkolakj për KALXLO.com.

Në anën tjetër, Ramush Tahiri thotë se nëse VV dhe LDK mendojnë të bashkëpunojnë për më shume së një mandat mes vete, atëherë sipas tij, duhet të unifikohen në një parti politike.

“VV dhe LDK ose s’po kanë përvojë, ose s’po dinë çka po dëshirojnë, ose i kanë veç për opinion. Nëse këto mendojnë se munden me bashkëpunu strategjikisht për 8 vjet apo 15 vjet, atëherë duhet të unifikohen dhe të bëjnë një parti të përbashkët, me ia ndërru emrin, qoftë në lidhje apo në lëvizje dhe me funksionu si fraksione të lehta në mes vete”, tha tutje Tahiri për KALLXO.com.

LDK dhe VV ndonëse janë duke diskutuar tash e disa kohë intensivisht për arritjen e një marrëveshje, ende nuk janë dakorduar.

Këto dy parti kanë kohë deri të premten në ora 00:00 për të vendosur nëse dëshirojnë të hyjnë në një listë, pasi që në këtë datë, KQZ e mbyll afatin e aplikimit të koalicioneve parazgjedhore.

Në legjislaturën që u shpërnda para disa ditëve, LDK kishte 25 deputetë, ndërsa Vetëvendosje 19 deputetë.

Nga zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje kishte pasur grupin më të madh të deputetëve, 32 deputetë, mirëpo pas përplasjeve të brendshme në këtë parti, 13 deputetë lëshuan partinë. 12 deputetët kaluan në Partinë Socialdemokrate, ndërsa Donika Kadaj Bujupi ishte rikthyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme për kuvendin e Kosovës do të mbahen me 6 tetor.