Foto: BIRN

Akuzat e ofendimet, në vend të shpalosjes së programeve në fushatë

“Komunistë”, “mashtrues”, “të rrezikshëm”, “ekstremistë”, janë vetëm disa nga termet që disa prej partive politike i kanë përdorur për anëtarët e njëra-tjetrës, gjatë fushatës elektorale që po zhvillohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Ndonëse kohë pandemie, partitë politike po mbajnë tubime me një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish, aktivitete në të cilat, pak flitet për programe e më shumë bëhen akuza e ofendime.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, vlerësojnë se subjektet politike duhet të përmbahen nga një gjuhë e tillë dhe të koncentrohen në programet qeverisëse.

“Akuza të ndërsjella mbi baza partiake dhe elemente të gjuhës së urrejtjes në baza politike”, janë evidentuar në 15 për qind të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në gjashtë ditë fushatë, sipas Koalicionit të organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV).

DnV ka bërë të ditur se kjo është vënë re në katër aktivitete zgjedhore të LDK-së, katër të PDK-së, në dy aktivitete të AAK-së, dy të Nisma-s, si dhe dy të LVV-së.

Florent Spahija nga DnV, thotë për KALLXO.com se për këto raste kanë dërguar ankesa ndaj subjekteve politike.

“Subjektet politike fillimisht me spotet publicitare, kanë paraqitur gjuhë të urrejtjes që normalisht është e dënueshme sipas ligjeve dhe për këtë DnV ka dërguar dhe ankesa ndaj subjekteve politike. Në anën tjetër edhe partitë politike edhe gjatë fushatës kanë përdorur gjuhë të urrejtjes. Kemi evidentuar raste kur kanë përdorur këtë gjuhë kundër kandidatëve për deputetë të subjekteve tjera politike”, shprehet ai.

Ai thotë se gjuha e urrejtjes nuk duhet të jetë normë e fushatës.

“Subjektet politike duhet të fokusohen në programin e tyre, e jo të merren me këto, aq më tepër duke përdorur gjuhën e urrejtjes qoftë në bazë të përkatësisë etnike, qoftë në bazë të përkatësisë politike, në bazë të vendimeve të tyre ose përkatësisë gjinore”, theksoi ai për KALLXO.com.

Kurse, drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes “Fol” Mexhide Demolli-Nimani, thotë për KALLXO.com se kur nuk ka diskutim të mirëfilltë mbi programet e subjekteve politike, debati kalon në nivel personal.

“Duke etiketuar njëri-tjetrin me: mashtrues, tradhtar etj. Pra fillon me këto etiketime dhe vazhdojnë deri në linçime siç edhe kemi parë raste në rrjetet sociale”, theksoi ajo.

Demolli-Nimani shton se ftojnë partitë politike të përmbahen nga gjuha e tillë.

“Dhe diskutimet të bëhen për programet dhe ofertën që ata kanë për qytetarët në rast se fitojnë zgjedhjet”, u shpreh ajo.