Aktorët pa rroga, bllokohet Teatri 'Bekim Fehmiu' i Prizrenit

Aktorët e Teatrit “Bekim Fehmiu” të Qytetit të Prizrenit hyjnë sot në ditën e 100 pa marrë rroga e tyre. Pa rroga ata pritet të mbesin edhe për disa javë të tjera. Po kaq ditë ky teatër ka pa dhënë shfaqje.

Krejt kjo situatë është krijuar pasi Komuna e Prizrenit nuk u ka vazhduar në fillim të 2019 kontratat 10 aktorëve rezidentë të këtij teatri, duke mos u paguar edhe pagat e tyre. Kjo i ka shtyrë aktorët e teatri që të mos dalin në skenë pa kontrata dhe pa marrë rrogat.

Financimi i Teatrit “Bekim Fehmiu” nga komuna bëhet përmes donacioneve, konkretisht  përmes projektit “Politikat zhvillimore për kulturë, rini dhe sport”, nga buxheti i ndarë për investimet kapitale ku përfshihen edhe rrogat e aktorëve të teatrit.

Lënia pa rroga dhe pa kontrata e aktorëve të Teatrit “Bekim Fehmiu” nga ana e Komunës së Prizrenit është kritikuar nga ana e komunitetit skenik në vend dhe shoqërisë civile.

Përplasja komunë -teatër

Fetah Paçarizi, drejtor i Teatrit ‘Bekim Fehmiu” të Prizrenit ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se qysh në janar të këtij viti Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit, i ka kërkuar që të mos e përcaktojë projekt -repertorin për vitin 2019, pasi atë do ta përcaktojë këshilli i ri i teatrit i cili është formuar më se një muaj më pas.

Po në fillim të janari, Paçarizi ka thënë se ka pasur një takim me aktorët e teatri të cilit i kanë komunikuar atij, se ata nuk do të dalin në skenë pa rroga dhe kontrata.

“Në mbledhjen që unë kanë mbajtur me aktorët, të gjithë, me përjashtim të dy a tre aktorëve që kanë munguar në mbledhje, janë deklaruar se nëse vonohen pagat për vitin 2019, apo me saktë nuk u nënshkruhen kontratat nuk do të zhvillojnë asnjë reprize të shfaqjeve dhe nuk do të marrim pjesë në projekte teatrore që do të realizohen”, ka thënë Paçarizi.

Për këtë ai tha se është informuar edhe DKRS, nga i cili kanë marrë konfirmimin se shumë shpejt do të fillojnë procedurat projektit “Politikat zhvillimore për kulturë”, nga edhe financohet teatri.

Drejtori Paçarizi ka thënë më tej se edhe në 2018 ka pasur vonesa deri në katër muaj sa i pagesës së rrogave të aktorëve nga komuna.

Ndërsa, Lis Dorambari zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Prizrenit, në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se punëtorët e Teatrit “Bekim Fehmiu” janë paguar nga kontrata “Politikat zhvillimore për kulturë, rini dhe sport”, dhe sipas tij njëjtë do të financohet edhe këtë vit.

Ai ka thënë se kjo situatë ka ardhur me që fillimisht është menduar se teatri mund të merret në menaxhim nga Ministria e Kulturës, por kur kjo është parë se është e pamundur, atëherë, sipas tij, është vendosur për formimin e një Këshill Drejtues për Teatrin, dhe pas rekomandimit të këshillit kanë filluan procedurat e tenderimit të projekt prej nga financohet teatri.

“Tashmë komuna është në procedurat e prokurimit që do të zgjasin deri më 24.04.2019 dhe me propozim të Këshillit Drejtues duhet të nënshkruhen kontratat e përkohshme me aktorë të Teatrit”, ka thënë ai.

Po sipas tij, ka thënë më tej se për shkak të situatës së padefinuar, punëtorët e Teatrit nuk kanë asnjë ditë pune që nga fillimi i këtij viti.

“Pas përfundimit të procedurave të prokurimit, do të bëhet vlerësimi se këta aktorë a duhet të paguhen për ditët që nuk kanë punuar apo pagat duhet t’i marrin sipas projekteve që i realizojnë gjatë vitit 2019”, ka thënë Lis Dorambari.

Reagimet e komunitetit

Megjithëse për kryetarin e Këshillit Drejtues të Teatrin “Bekim Fehmiu”, Afrim Kasapolli, situata e krijuar është për keqardhje.

“Këtu kemi të bëjmë me neglizhencës të Drejtorisë për Kulturës.  Nuk ka asnjë arsye që komuna të mos paguajë rrogat aktorëve të teatri”, ka thënë Kasapolli.

Ndërsa,  Alban Çela, aktor rezident i teatri “Bekim Fehmiu” ka thënë për Kallxo.com se situata në të cilin është kapluar teatri, ansamblit të aktorëve të Teatrit “Bekim Fehmiu” po ua venitë shpresat.

“Mbesim me shpresë se dikush do të marrë forcë dhe guxim, që njëherë e përgjithmonë, të zgjidhet statusi jonë dhe teatrot në gjithë Kosovën”, ka thënë Çela.

Kurse regjisori prizrenas, Mahir Musliu, ka thënë për Kallxo.com, se ‘fajtori’ kryesor për situatën e krijuar në  ‘Bekim Fehmiu”, është Ligji për Teatrot.

Ai ka thënë se një situatë e tillë i ka përcjellë teatrot profesioniste të komunave që nga pas lufta.

“Ligji i vitit 2011 për teatrot e njeh vetëm Teatrin Kombëtar, kurse teatrot tjera i konsideron si diçka periferike e nën mëshirën e kryetarëve dhe Kuvendeve Komunale. Me një fjalë nuk ka krijuar një klauzolë ligjore e cila i trajton barabarsisht dhe obligativisht si në staf ashtu edhe në buxhet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se asociacioni që mbledhë teatrot e qyteteve të Kosovës, të reagojë dhe të këmbëngulë në kërkesat për rregullim permanent të financimit dhe kompletimit të ansamblit të këtyre teatrove.

Një reagim rreth situatës së krijuar në teatrit të Prizrenit është bërë edhe nga Asociacioni i Teatrove të Qyteteve të Kosovës.

Përmes një deklarate të lëshuar ditë më parë, ATQK pohon se u ka kërkuar komunave përkatëse, që të bëjnë kërkesë në Komisionin e Granteve në Ministrinë e Financave,  që të planifikohet dhe ndahet buxheti për futjen në kontrata të rregullta të aktorëve të trupave rezidente dhe punëtorëve tjerë të teatrove, si dhe të ndahet buxheti për prodhimin e shfaqjeve.

Me një situatë pak a shumë të ngjashme sikurse teatri “Bekim Fehmiu”, po përballen edhe teatrot tjera publike të qyteteve. Ku përveç çështjes së buxheti, disa kanë mbetur pa këshilla drejtuese, apo edhe nuk kanë asnjë aktor rezident.

Ligji aktual për teatrot, i cili përfshin edhe teatrot e qyteteve shihet si ‘fajtori’ kryesor për situatën e keqe që po përballen këto teatro.  MKRS së bashku me ATQK ka nisur draftimin e këtij ligji, përmes synohet të rregullohet njëherë e mirë çështja e financimit  teatrove publike të qyteteve të Kosovës, të cila që nga 2011 janë në kompetencë të komunave përkatëse.