Albin Kurti dhe Isa Mustafa Foto: Haki Abazi FB

Afrimi i Mustafës e Kurtit, përpjekja e opozitës për faktorizim karshi dialogut

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilluan një takim të martën, por tek një ditë më vonë shpalosën arsyen e mbajtjes së tij.

Përfshirja e presidentit të vendit, Hashim Thaçi në procesin e dialogut me Serbinë dhe opsioni që ai po e mbron tash e sa muaj për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ka nxitur reagimin e liderëve të  partive më të mëdha opozitare në Kosovë.

Me një deklaratë të përbashkët, Kurti e Mustafa në 5 pika shprehën qëndrimet e tyre kryesisht për negociatat për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Duke pasë parasysh krizën politike për shkak të iniciativave të papërgjegjshme, jolegjitime dhe jotransparente të Presidentit të Kosovës, dy kryetarët e partive opozitare që njëkohësisht janë edhe dy partitë më të mëdha në Republikën e Kosovës, vlerësojnë se: Negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë politik”, thuhet ndër të tjerash në letrën e politikanëve kosovarë.

Dy partitë kanë një histori të gjatë animozitetesh në kohën kur Mustafa drejtonte qeverinë e vendit ndërsa Vetëvendosja, bashkë me dy partitë e atëhershme në opozitë, AAK e NISMA, e sfidonin me protesta në rrugë e gaz lotsjellës brenda Kuvendit kundër rezultateve të dialogut me Serbinë dhe marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi.

Tash, afrimiteti mes LDK-së dhe LVV-së, për njohës të zhvillimeve politike në vend, po shihet si nismë aq sa e zakonshme, po ashtu edhe e domosdoshme marr parasysh gjendjen politike, veçanërisht për shkak të fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Gazetari Agron Halitaj si njohës i çështjeve politike në vend, vlerëson se afria mes Albin Kurtit e Isa Mustafës nuk përbën diçka të re pasi, sipas tij, edhe në të kaluarën këta dy liderë politikë kanë bërë koalicione në kundërvënie të Hashim Thaçit dhe PDK-së.

“Nëse ka diçka për t’u habitur është vetëm fakti se si Kurti ka krijuar sërish mirëbesim tek Mustafa, kur dihet botërisht se e ka një përvojë të hidhur nga partneriteti me të. Por siç shihet, lideri i VV-së vazhdon ta ndjek konceptin makiavelist që ‘qëllimi e arsyeton mjetin’,  e qëllimi i tij është që me çdo kusht ta ndaloj presidentin Thaçi të bëjë ndonjë marrëveshje në Bruksel që prek kufijtë aktual të Kosovës”, thotë Halitaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, Kurti po fton për një ‘pranverë shqiptare’.

“Ai është i vetëdijshëm se LDK-ja ndjek një qasje më të butë të reagimit kundrejt presidentit  dhe qeverisë, megjithatë, tendencat e tij janë që të krijoj një pakt sado të përkohshëm me këtë parti. Meqë tash është vetëm hapi i parë që e kanë ndërmarrë, duhen pritur se si po hapërojnë së bashku”, theksoi Halitaj për Gazetën JnK.

Ndërkaq, analisti politik Artan Muhaxhiri tha për Gazetën Jeta në Kosovë se Isa Mustafa dhe Albin Kurti domosdoshmërisht duhet të (vetë) faktorizohen në fazën e epilogut të dialogut.

“Veçantitë e periudhave të këtilla historike imponojnë anashkalim të animoziteteve tipike mes partive politike, gjë që do të ishte tejet e dobishme të ndodhte edhe tash. Etapa e fundit e dialogut në Bruksel do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme për ardhmërinë e shtetit dhe popullit të Kosovës, prandaj mospërfshirja eventuale e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të rezultojë me dëmtim të kualitetit institucional përfaqësues”, theksoi ai.

Sipas Muhaxhirit, dy subjektet e mëdha parlamentare mund ta kushtëzojnë dhe negociojnë formën e përfshirjes së tyre në këtë proces.

“Për ç’gjë sigurisht do ta kenë edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, natyrisht brenda realizimit politik dhe logjikës së raporteve të pushteteve”, shtoi ai.

Agron Halitaj rikujton se, LDK-ja dhe LVV-ja nuk e kanë fuqinë e numrave në Kuvend për ta penguar çfarëdo marrëveshje që është e pranueshme për partnerët e koalicionit qeverisës- përfshirë PSD-në.

“Gjasat më të mëdha janë që LDK në një fazë më të nxehtë, në emër të ‘interesit të vendit’ të lëshojë pe dhe të bëhet pjesë e një koalicioni më të gjerë qeverisës”, thotë ai.

Kurse, Artan Muhaxhiri potencon se pesha politike, partiake dhe elektorale e LVV-së dhe LDK-së, ka potencial të kontribuojë në maksimalizimin e legjitimitetit të vendimmarrjes së përbashkuar kosovare.

“Harmonizimi gradual i qëndrimeve mund t’i hapë udhë një platforme të përbashkët parazgjedhore mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila do të kishte gjasa të mëdha të triumfonte në zgjedhjet e ardhshme, ndonëse përvojat e kaluara kanë dëshmuar se pozicionimet e partive mund të ndryshojnë drastikisht në raport me afrimin e kohës së mbajtjes së zgjedhjeve”, përfundoi ai për Gazetën JnK.

LDK-ja dhe LVV-ja po kundërshtojnë ashpër formimin e ekipit negociator, platformën dhe projektligjin për dialogun, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti.