A mund të pritet një “Pranverë Ballkanike”, siç paralajmëroi Albin Kurti?

 

“Pranvera Ballkanike” ditë më parë u paralajmërua nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.

Albin Kurti, që njihet për organizmin e protestave në Kosovë, tha se vala e pakënaqësive nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor së shpejti do të mbërrijë edhe në vendin tonë.

“Në Kosovë, sikur edhe në vendet fqinje, mund të pritet një pranverë e ndryshimeve politike”, deklaroi Kurti për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Njerëzit janë të lodhur nga liderët autokratë dhe oligarkët të cilët kontrollojnë dhe dominojnë fatin shoqërisë dhe ekonomisë”, shtoi ai.

Me sloganin “Kundër PANhajnisë, zgjedhje të reja”, Lëvizja Vetëvendosje nisi mobilizimin e qytetarëve nëpër qytetet kryesore të vendit.

Rrugës për mobilizim, në qytetin e Gjakovës, Kurti gjeti përkrahjen e deputetes dhe kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari- Lila.

Por, ai si duket nuk mund të llogarisë në përkrahjen e partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Gjasat e një “Pranvere Ballkanike”?

Analisti kosovar, Artan Muhaxhiri nuk beson në një organizim të përmasave të gjera rajonale që do të nënkuptonte “Pranverën Ballkanike”.

“Pranvera Ballkanike’ nënkupton koordinim të përmasave masive strukturore për të cilin aktualisht nuk ka asnjë indikacion të bazuar se ka mundësi të ndodhë”, thotë ai për Gazeta Jeta në Kosovë.

Ndonëse sipas tij ka arsye për t`u organizuar protesta nëpër vendet e rajonit, ai thotë se gjuha e përbashkët e opozitës mungon.

“Ndonëse qeveritë e katër vendeve të rajonit vazhdimisht identifikohen me veprime uzurpuese, korruptuese dhe keqmenaxhuese, janë çakordimet opozitare ato të cilat ua krijojnë komforin e të qeverisurit”, vlerëson analisti

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi së fundi janë përfshirë në protesta masive me synim rrëzimin e “qeverive të korruptuara”, siç thonë organizatorët e protestave.

Sipas Muhaxhirit, mosbashkëpunimi i dy partive kryesore opozitare në Kosovë është evident, ndërsa në shtetet e rajonit por edhe në Kosovë, reagimi i qytetarëve kundër Qeverive është i mundshëm por mungojnë platformat alternative nga partë opozitare nëpër këto vende.

“Protestat në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi përbashkohen në reagimet qytetare kundër lidershipeve qeveritare, por gjithashtu edhe në mungesën e platformave të fuqishme opozitare që do të mund t’iu ofroheshin qytetarëve si alternativa të mirëfillta”, thotë tutje ai.

Krejt kjo situatë sipas Muhaxhirit është paradoksale, kur ekzekutivët e këtyre vendeve nuk gëzojnë shumicën në Kuvend, ndërkohë partitë opozitare nuk ofrojnë garanci për ndryshime pozitive.

“Te ne vazhdon praktika paradoksale e mosrrëzimit të qeverisë e cila nuk e ka shumicën e thjeshtë në Kuvend. Prandaj, orientimi politik i pakënaqësive të akumuluara qytetare nuk mund të ketë rezultate të efektshme nëse nuk ekzistojnë garanci të besueshme për transformimin e tyre në ndryshime pozitive institucionale”, thotë ai.

Lëvizja Vetëvendosje deklaroi më 4 prill se do të organizojë tubime me qytetarë anembanë Kosovës për t’i mobilizuar ata për protesta. Kjo parti gjithashtu paralajmëroi se mund ta përdorë një mocion mosbesimi në përpjekje për ta rrëzuar qeverinë e Ramush Haradinajt.

Partia opozitare, LDK që nga 15 marsi i këtij viti ka hyrë në një proces zgjedhjesh të brendshme.

Zëdhënësi i saj, Besian Mustafa në një deklarim për Gazeta Jeta në Kosovë thotë se LDK po zhvillon një debat të brendshëm, në kuadër të zgjedhjeve brenda partisë, mbi dështimet e Qeverisë Haradinaj në fushën e krimit e të korrupsionit. Në këtë pikë, sipas zëdhënësit të LDK-së, pajtohen me Vetëvendosjen.

“Ky debat brenda LDK-së, përbën një mobilizim të natyrshëm dhe përmbajtësor të strukturave, votuesve dhe përkrahësve të LDK-së për rrëzimin e këtij koalicioni qeverisës, që është një qëllim i përbashkët me LVV-në. Si gjithnjë, ky debat dhe ky mobilizim i brendshëm në LDK do rezultojnë në vendime dhe veprime të qarta e të fuqishme në rrëzimin e këtij koalicioni qeverisës që kulmojnë në shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme me qëllim themelimin e institucioneve shtetërore me legjitimitetin e plotë të votës së lirë të qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.

Partia që udhëhiqet nga ish- kryeministri Isa Mustafa pret që në të ardhmen, kur do që të vijë koha e një mosbesimi ndaj Qeverisë aktuale, të ketë votën edhe të partive që janë në koalicionin qeverisës.

“Siç jemi deklaruar ditë më parë, ne presim që edhe vet pjesa e partive në pushtet, që nuk dëshiron shkatërrimin e shtetit dhe izolimin ndërkombëtar të Kosovës, të na bashkëngjitet në ruajtjen e shtetit tonë nga rreziqet e shumta që po i kanosen nga ky koalicion qeverisës i papërgjegjshëm. LDK, gjithnjë këto tri dekada që nga themelimi, ka vepruar dhe do të veprojë në mbrojtje të interesave shtetërore demokratike të Republikës së Kosovës”, deklaroi Besian Mustafa nga LDK.

Largimi i qytetarëve si reflektim i gjendjes ekonomike në vend?

Nga viti në vit, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës largohen drejtë vendeve evropiane për të kërkuar mundësi të reja për punë e mirëqenie.

Raportimet e fundit të medieve se një numër i madh i njerëzve po e lëshojnë vendin për partinë e Kryeministrit Haradinaj nuk është diçka e re.

Deputeti i Aleancës për Armërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj thotë për Gazeta Jeta në Kosovë se largimet e kosovareve nga vendi kanë filluar që nga paslufta dhe kjo nuk përbën diçka të pazakontë.

“Nuk ka asnjë situatë të re. Largimi i njerëzve nga Kosova, është një proces që ka filluar shumë kohë me herët. Bile që në vitin 2000 një e treta e popullsisë se Kosovës, ka jetuar në emigrim. Për fat të keq trendi i largimit nga Kosova, ka vazhduar edhe pas vitit 2000, e edhe pas pavarësimit të Kosovës, herë me intensitet më të shtuar e herë më intensitet më të vogël”, thotë Nitaj.

Duke komentuar iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje për organizimin e protestave masive kundër Qeverisë Haradinaj, ai thotë se në një vend demokratik, protestat janë normale.

“Sa i përket protestave të paralajmëruara nga VV, ajo është edhe çështje edhe e drejtë e tyre.

Protestat në botën demokratike janë shprehje dhe e drejtë politike”, deklaroi deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Analisti politik: LDK- LVV, po të bëheshin bashkë do ta rrëzonin Qeverinë aktuale

Analisti Artan Muhaxhiri mendon se një bashkim i forcave në mes dy partive opozitare, LDK-së dhe LVV-së, do të qonte në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Sikur Lëvizja Vetëvendosje! të kishte arritur pajtueshmëri me Lidhjen Demokratike të Kosovës për unifikim konceptual dhe organizativ, masiviteti i protestave do të ishte pakrahasimisht më i madh, gjë që do ta impononte largimin e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme”, vlerëson analisti kosovar.

“Mirëpo, mungesa e projektimit të idesë së “Opozitës së Bashkuar Kosovare” me anë të harmonizimeve ideologjike dhe programore e cenon fuqinë e këtyre protestave, prandaj rrjedhimisht i zvogëlon gjasat për arritjen e synimit madhor – rrëzimin e qeverisë”, shton tutje ai.

Sipas Muhaxhirit, sikur dy partitë aktuale do të harmonizonin qëndrimet bashkërisht, përveç rrëzimit të ekzekutivit aktual, këto parti do të mund të i fitonin zgjedhjet e ardhshme.

“Aktualisht, peizazhi partiak në vendin tonë është i atillë që nëse opozita do ta ndërtonte një platformë të përbashkët antiqeveritare, me siguri do t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme”, vlerëson Muhaxhiri