A do të votojë Teuta Rugova për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj?

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë nisi një iniciativë, siç tha ai, për rrëzimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt.

Madje, ish-kryeministri kosovar u takua edhe me dy kryetarët e partive tjera opozitare, Albin Kurtin e LVV-së e Shpend Ahmetin e PSD-së.

“Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë”, shkroi kryetari i LDK-së në “Facebook” pas takimit me Albin Kurtin.

Ish-kryetari i Prishtinës njëjtë u shpreh edhe pas takimit me të parin e tanishëm të kryeqytetit, Shpend Ahmetin nga PSD.

Takimet në mes vete opozita i intensifikoi edhe një javë pas. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ndaras takoi Glauk Konjufcën e Vetëvendosjes për të harmonizuar tekstin mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, përfaqësuesit e PSD-së e të Alternativës.

Ndërsa, në një konferencë për media, deputetja Vjosa Osmani dhe Armend Zemaj u shprehën optimistë për grumbullimin e votave për rrëzimin e ekzekutivit aktual të Kosovës.

“Ne i kemi mbledhur 58 nënshkrime deri tani dhe do t’i rikonfirmojë edhe gjatë ditëve në vijim por këto janë vetëm vota të opozitës”, tha deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Sipas deputetes Osmani, 24 deputetët nga LDK, 19 nga Vetëvendosje, 12 të PSD-së e një deputet i pavarur, tashmë kanë dhënë nënshkrimin për rrëzimin e Qeverisë nga koalicioni PANA (PDK-AAK-Nisma-AKR dhe të tjerë).

Sipas rregullores së Kuvendit, mocioni i votëbesimit për Qeverinë pranohet, kur për të voton shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit. E në bazë të kësaj, opozitës i duhen edhe të paktën tre deputetë, që të bëhen 61 vota plus.

Deputetja Osmani nuk përjashtoi që rrëzimi i Qeverisë mund të vijë edhe me votat e Listës Serbe.

“Ne nuk do t’i kërkojmë votat e Listës Serbe, mirëpo ta keni të qartë kur hyjmë në kuvend dhe vendoset mocioni në votim ne nuk mund ta kontrollojmë votën e deputetëve individual”, tha ajo të premten gjatë konferencës për media.

 

Vjosa Osmani dhe Armend Zemaj, deputetë të LDK-së

Vota “enigmë” e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova

Edhe pse kanë filluar iniciativën e po bëhen gati për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Haradinajt, LDK nuk e dinë nëse mund të llogarisë në njërën prej votave të deputetes së saj.

Vajza e ish- Presidentit, Ibrahim Rugova, Teuta në të kaluarën ka ditur të jetë kundër partisë së vet e pro kryeministrit Haradinaj.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të kontaktoj me deputeten për të marr një qëndrim nëse ajo do të votoj pro rrëzimit të Qeverisë, por ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

I paqasshëm në telefon ka qenë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri për Diasporën, Dardan Gashi, i cili është i afërt me familjen Rugova. Madje, ai në një intervistë në KTV kishte deklaruar se përfaqëson votën e vajzës së ish- Presidentit Rugova, Teuta Rugovës.

Raporte të mira me famijën e ish- Presidentit Rugova mban edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Gazeta ka kontaktuar me deputeten e LDK-së, Vjosa Osmani për të pyetur nëse partia e cila ka nisur organizmin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, mund të llogarisë edhe në votën e Teuta Rugovës.

“Të gjithë deputetët e Grupit parlamentar të LDK-së, përfshirë znj.Rugova, kanë nënshkruar para disa muajsh mocionin”, ka thënë deputetja Osmani për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Askush nga 25 deputetët nuk e ka njoftuar grupin parlamentar se e tërheq nënshkrimin, që nënkupton se të gjitha 25 nënshkrimet janë rikonfirmuar”, ka deklaruar ajo.

Edhe deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë shkurt se nuk e di se si do të veproj deputetja Teuta Rugova.

“Unë nuk e di, pyetni Avdullah Hotin, ai është duke u marrë me mocionin”, ka thënë shkurt Zemaj.

Gazeta ka provuar të kontaktoj edhe me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, por ai ka qenë i zënë.

Teuta, vajza e ish- Presidentit Rugova, në zgjedhjet e fundit u rizgjodh deputete e Kuvendit me 10 mijë e 73 vota, me minus 17 mijë e 105 vota më pak se në zgjedhjet paraprake.

Ndryshe, sipas platformës së KDI-së, “Vota ime” nga 113 seanca të Kuvendit të Kosovës, Teuta Rugova mori pjesë vetëm në 63 prej tyre. Ose, vetëm 56 përqind të seancave në përgjithësi. Ajo bën pjesë në listën e deputetëve të “heshtur”.