A do të mundet Komisioni i të Vërtetës për luftën ta arrijë pajtimin në Kosovë?

Përballë shtëpisë së Agron Limanit në Krushë të Vogël të Prizrenit është ende një gropë e madhe që i kthen atij shpesh përfytyrimin në mesditën e 26 marsit të vitit 1999 kur aty babai, vëllezërit dhe axha i tij u vranë së bashku me 109 persona të tjerë.

Aty ku tani është kjo gropë ishte një shtëpi tjetër, por një ekskavator e hoqi me themel derisa i merrte trupat e të vrarëve.

Një pjesë e trupave ishin gjendur më vonë poshtë në lum, por shumica e tyre mungonin.

I vëllai i tij, Luani, në atë kohë 21 vjeçar, u gjet në vitin 2014 në një varrezë masive afër Prizrenit, por tre të tjerët janë ende të zhdukur.

“Nuk mundemi me folë për pajtim me varre hapur, pa u zbardhur krimet, pa u gjendur njerëzit, pa pasur drejtësi”, thotë Agron Limani për BIRN.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka iniciuar vitin e kaluar formimin e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, një mekanizëm që synon të vendosë bazën e dialogut dhe pajtimit mes etnive të ndara gati dy dekada pas luftës së Kosovës.

Thaçi ka thënë se duhet ballafaquar me të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur gjatë luftës dhe njerëzit në Kosovë të mos mbeten të gozhduar në të kaluarën.

“Shoqëria kosovare dhe Ballkani në përgjithësi janë ende peng i këtyre tregimeve të së kaluarës dhe gjeneratat që lindën pas luftës i shohin bashkëmoshatarët e tyre nga komuniteti tjetër si armiq dhe kërcënim, jo si shoqëri për bashkëpunim dhe bashkëjetesë”, ka thënë ai marsin e kaluar në një takim përgatitor për Komisionin.

Denisa Kostovicova, profesoreshë e asociuar në Politikat Globale në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër thotë se ka shumë pak gjasa të ecet përpara nëse trashëgimia e dhunshme nuk trajtohet bazuar në faktet e pranuara reciprokisht që njeh vuajtjen e të gjitha viktimave.

“Testi më i madh për çdo shans suksesi të tij qëndron në aftësinë e tij për ta bindur publikun se nuk është një shembull tjetër i instrumentalizimit politik të drejtësisë pas konfliktit”, tha Kostovicova për BIRN.

Një Ekip Përgatitor për këtë Komision është bërë funksional në maj, por iniciativa ende vazhdon të jetë e paqartë se çfarë synon të arrijë ky mekanizëm duke ngritur pikëpyetje nëse serbët e Kosovës, që kanë një narrativ të ndryshëm nga shqiptarët për luftën, do të përfshihen në këtë proces.

Ndërkohë, politikanët e opozitës në Kosovë thonë se Presidenti Thaçi e plasoi këtë iniciativë për qëllime politike, jo nga një dëshirë e sinqertë për pajtim.

Ardian Arifaj këshilltar i Presidentit Thaçi, që kryeson Ekipin Përgatitor për Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit thotë se po synohet dialogu dhe pajtimi brenda-kosovar në mes të komuniteteve.

“Ky Komision do të merret me shtyllën e parë të përballjes me të kaluarën, me të drejtën për të ditur, jo me shtyllën tjetër, të drejtën për drejtësi”, thotë Arifaj për BIRN.

Ai këmbëngul se përvojat e viktimave të luftës do të jenë në zemër të kësaj nisme.

“Kjo ka synim viktimat, të ofrojë pranim për viktimat dhe njohje të vuajtjeve të tyre”, thotë ai.

Megjithatë, disa nga familjarët e atyre që u zhdukën gjatë luftës, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur thonë se intensifikimi i kërkimit të personave të humbur dhe ndjekja penale e vrasësve të tyre duhet të jetë shqetësimi kryesor i autoriteteve.

Vitet kalojnë, por ndarjet mbeten

Varrezat në Krushë (Arkiv). Foto: Ekrem Fazliu

Mëngjesin e 19 qershorit, Silvana Marinkoviq sapo ka ndezur një qiri në Manastirin e Graçanicës në kujtim të të shoqit të saj, Goranit. Në këtë ditë 19 vjet më parë, Gorani, atëherë 26 vjeçar, u zhduk derisa po udhëtonte prej fshatit të tij për në qytetin lindor të Kosovës, Gjilan, së bashku me dy fqinjët e tij.

Në ditët si kjo, Marinkoviq thotë se ndihet krejt e humbur dhe nuk di çfarë t’u thotë dy vajzave të saj për bashkëshortin e zhdukur. E vogla ishte vetëm ishte 6 muajshe kur ai u zhduk.

“Sot janë bërë 19 vjet dhe pothuajse pak gjëra kanë ndërruar. Një gjeneratë po ikën dhe po lë pas shumë ndarje”, thotë Silvana për BIRN.

Marinkoviq tani drejton një asociacion lokal për personat e zhdukur për regjionin qendror të Kosovës që numëron familjet e 63 personave të zhdukur.

Ajo thotë se nuk beson se politika në Prishtinë apo Beograd bezdiset për disa numra njerëzish më pak, si këta që janë të zhdukur. “Unë nuk besoj që mund të ketë pajtim me komisione apo trupa të tjerë politikë. Ata çështjen të zhdukurve as që po duan ta hapin në dialog”, thotë ajo duke iu referuar dialogut që po ndërmjetsohet nga BE në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ku çështja e personave të zhdukur nuk është ende në tavolinë.

Marinkoviq thotë se shpesh takon familjarët shqiptarë të të zhdukrve që ndajnë të njëjtat shqetësime. “Është e vështirë derisa nuk gjenden njerëzit dhe nëse nuk ka dënime”, thotë ajo.

Në bindjen e saj, viktimat e luftës nuk janë ato që duhet ta mbajnë barrën e rëndë të pajtimit.

“Në mes nesh është gjaku, jetët e humbura që na trazojnë të gjithëve. Unë i rrita me shumë sakrificë dy vajzat e mia: njëra nga të cilat nuk e njohur kurrë të atin. Megjithatë u përpoqa të mos i rris ato me urrejtje”, thotë ajo.

Agron Limani, Krushë e Vogël. Foto: BIRN

Shkëndijat e përleshjeve ndëretnike shpesh janë ndezur në disa pjesë të Kosovës dhe origjina e tyre mbetet gjithmonë akuza për krime të kryera gjatë luftës.

Dy lokalitetet ku më së shumti përsëriten këto skena janë Gjakova dhe fshati Mushtisht i Suharekës, ku vizita e të zhvendosurve serbë priten me protesta, shpesh edhe të dhunshme.

Tentativat e banorëve serbë tyre për t’u kthyer në Krushë të Vogël po ashtu janë përcjellë me kundërshtime të ashpra prej banorëve shqiptarë që besojnë se ata mbështetën vrasjet.

Agroni tregon se banorët e Krushës bën një “pakt” mes vete që askush të mos blejë pronat e mbi 100 e fqinjëve të dikurshëm serbë që deri në vitin 1999 banonin aty.

“Masakra nuk ishte aksidentale. Kemi fakte të mjaftueshme se ata (fqinjët serbë) shumica kanë përkrahur vrasjen, ata nuk janë distancuar prej vrasjeve, nuk kanë tregu keqardhje”, thotë Agroni.

Një banor serb i këtij fshati, Darko Tasiq është arrestuar vitin e kaluar për krime lufte, për plaçkitje dhe djegie të shtëpive. Ai gjithashtu akuzohet se kishte bartur me kamion kufomat dhe i kishte hedhur në lum.

Kritikat e kundërshtarëve të Thaçit

Hashim Thaçi, President i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Bashkimi Evropian po kërkon fuqishëm pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve, si një nga kushtet bazë të vendeve që aspirojnë për anëtarësim në bllokun evropian, duke këmbëngulur që ato të merren me të kaluarën e tyre.

“Të gjitha vendet duhet pa dyshim të zotohen në fjalë dhe veprime, për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës, duke arritur pajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura, sidomos mosmarrëveshjet për kufij, para anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u tha në shkurt në deklaratën e Komisionit Evropian të strategjisë së Ballkanit Perëndimor.

Por, përkundër katër viteve të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE në Bruksel, që rezultuan me disa marrëveshje, pajtimi mbetet një nga çështjet më problematike.

Themelimi i Komisionit është një përpjekje e autoriteteve në Kosovë për të treguar se po e shtyjnë përpara procesin.

Megjithatë, Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike e quan Komisionin “të panevojshëm dhe të dëmshëm” për zhvillimin dhe kohezionin afatgjatë të shoqërisë kosovare.

Hoti argumenton se “e gjithë bota e di të vërtetën” e luftës në Kosovë, dhe insiston se “nuk ka konflikt mes të komuniteteve” aktualisht në Kosovë.

“Nuk ka urrejtje mes komuniteteve në Kosovës. Me gjithë viktimat që kemi pasur, dhe plot prej të cilëve ende nuk janë kthyer në dheun e tyre, jemi të vetëdijshëm se agresori ka qenë shteti serb. Konflikti dhe lufta jonë ka qenë me shtetin e Serbisë dhe ballafaqimi me shtetin e Serbisë vazhdon”, thotë ai për BIRN.

Hoti shton se Thaçi po e synon këtë Komision për “qëllime tjera politike”.

Politikani serb i Kosovës, Nenad Rashiq, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e qeverisë së Kosovës, gjithashtu kritikon iniciativën, duke e quajtur atë një “farsë” të destinuar për “konsum politik”.

“Kjo nuk është një ide e sinqertë dhe vetë projekti është i paqartë. Si e tillë nuk e besoj se mund të zbatohet. Për më tepër, ideja ka ardhur tepër vonë “, thotë për Rashiq, kryetar i Partisë Progresive Demokratike, për BIRN.

Progresi i ngadaltë i ndjekjes së krimeve të luftës

Silvana Marinkoviq, Graçanicë. Foto: BIRN

Krimet e luftës ende rezonojnë fort në raportet e të dy etnive dhe progresi konsiderohet të ketë qenë i ngathët në ndjekjen penale të tyre.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) në Hagë nxori disa vendime dënuese për serbët.

Ndërsa një gjykatë e re me seli në Hagë pritet të gjykojë ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara të luftës dhe të pasluftës.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë ende nuk kanë lëshuar aktakuzat, përderisa spekulohet se politikanë të rangut të lartë mund të akuzohen, përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi, i cili mohon çfarëdo shkelje.

Kritikët kanë vënë në pikëpyetje nëse deklarimet e tij mbi pajtimin dhe vizitat në memorialet e serbëve të vrarë në luftë, që prejse ai u bë president, janë një përpjekje për të ndryshuar imazhin e tij nga ish-udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një paqebërës që kujdeset për të gjitha bashkësitë etnike të vendit.

Denisa Kostovicova thotë se ndikimi që mund të ketë ky Komision mund të bëjë një shenjë të rëndësishme ngase ndjekja penale është e pamjaftueshme për ta përmbushur nevojën për të njohur të vërtetën e një serie ngjarjesh monstruoze.

“Ndikimi i Tribunalit të Hagës në këtë aspekt ka qenë minimal. Prandaj çdo rast i mbajtjes llogaridhënës të dikujt për krimet e së kaluarës përmes një procesi të së vërtetës dhe pajtimit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm”, thotë Kostovicova.

Nëse arrin të jetësohet ky Komision, Kosova do të jetë vendi i parë në ish-Jugosllavinë e shpërbërë nga luftërat e përgjakshme që do të ketë një trup të tillë.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë përpjekjet për ta themeluar një mekanizëm të ngjashëm zgjatën me vite, por nuk patën asnjë sukses. Ndërsa një Komision i ngritur në vitin 2003 nga Federata e Serbisë dhe Malit të Zi pushoi së ekzistuari një vit më vonë.

Ndërkohë, KOMRA, komisioni i propozuar rajonal për të mbledhur fakte për luftërat e viteve 1990 në ish RFJ, përkundër një fushate të gjatë ende nuk ka arritur të themelohet. Fushata e koalicionit për KOMRA paralajmëron se ky trup do të fillojë punën në vitin 2022 dhe Kosova është zotuar të jetë pjesë e saj.

“Nëse Komisioni i Kosovës arrin t’i afrojë serbët dhe shqiptarët përmes nevojës për dhembshuri dhe solidaritet me viktimat e luftës, kjo do të jetë një hap vërtetë i madh”, thotë Ana Marjanoviq Rudan, një aktiviste për të drejtat e njeriut në Serbi dhe anëtare e ekipit të projektit të KOMRA-së.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, një organizatë që punon në hulumtim, dokumentim dhe monitoron gjykimet për krimet e luftës, thotë se për të pasur sukses Komisioni duhet të jetë i pavarur dhe gjithëpërfshirës.

“Ky Komision duhet të jetë i paanshëm dhe i pranuar nga të gjithë. Ky do mund të kontribuonte në sqarimin e së kaluarës dhe të vendosë një raport normal mes dy komuniteteve, por edhe pajtimin”, thotë Blakaj për BIRN.

Ai thotë se ekipi përgatitor duhet ta dizajnojë mandatin e Komisionit në atë mënyrë që të mos e përsërisë punën e shoqërisë civile në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në evidentimin e viktimave që është bërë nga shoqëria civile.

Megjithatë, Blakaj paralajmëroi se Beogradi mund t’i refuzojë gjetjet e Komisionit, gjë që do të kishte një ndikim negativ në perceptimin e saj nga serbët në Kosovë.

“Nëse puna e Komisionit nuk pranohet edhe nga Serbia atëherë është e vështirë të pritet se do të ndodhë procesi i pajtimit”, shton Blakaj.

Ndërsa në Krushë të Vogël, Agron Limani thotë se njerëzit si ai, familjarët e të cilëve u vranë në emër të spastrimit etnik, duan të gjejnë të zhdukurit dhe të shohin vrasësit para drejtësisë.

“Krejt çka duam është t’i gjemë trupat dhe të shohim drejtësi. Nuk po kërkoj hakmarrje”, thotë ai.