Ilustrimi nga Trembelat

678 ditët e Ramush Haradinajt

BIRN paraqet një përmbledhje të shkurtër të 678 ditëve të qeverisjes së Ramush Haradinajt dhe vendimet që do të kenë efekte serioze në të ardhmen e Kosovës.

Në vitin 2005, mandati 100-ditësh i Ramush Haradinajt si kryeministër i Kosovës u ndërpre pas një aktakuze të ngritur kundër tij për krime të luftës. Zyrtarë nga partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e lavdëruan Haradinajn për “qeverisjen më të suksesshme” që kishte parë Kosova e pasluftës.

Glorifikimi i 100 ditëve të Haradinajt vazhdoi për më shumë se një dekadë, deri kur për të dytën herë, Haradinaj mori detyrën si kryeministër në shtator të vitit 2017, duke e mirëpritur një mundësi tjetër që ta dëshmojë veten si kryeministër i Kosovës, tani në një shtet të pavarur.

Mirëpo detyra e Haradinajt si kryeministër për herë të dytë u ndalua edhe një herë si rezultat i përfshirjes së tij të mëhershme në luftë kur një ftesë tjetër i erdhi nga Haga – këtë herë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Prokuroria Speciale, e njohur ndryshe si ‘Gjykata Speciale’, që do të gjykojë krimet e pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK – duke e ftuar Haradinajn që “të mirret në pyetje” në Holandë.

Gjykata nuk e ka akuzuar Haradinajn për kryerjen e ndonjë krimi. Megjithatë, Haradinaj vendosi të japë dorëheqje me arsyetimin se nuk donte të shkonte në Hagë në cilësinë e një zyrtari të shtetit duke e “turpëruar” në këtë mënyrë Kosovën.

Në krahasim me 100 ditët e tij të para, të tejvlerësuara nga AAK në vitin 2005, puna e tij si kryeministër nga viti 2017 deri në vitin 2019 ishte e mbushur me vendime që, ndonëse nuk e përmirësonin jetën e shumicës së qytetarëve të Kosovës, mund të kenë kenë ndikuar shumë seriozisht si në aspektin ekonomik e po ashtu edhe në aspektin politik të Kosovës.  

Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Si fillim, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, pastaj miratimi e një ligji i cili pothuajse e dyfishonte pagën e tij; nga zgjerimi i mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri tek rritja e taksës në masën 100 për qind për mallrat e Serbisë, i kujtojmë vendimet e diskutabile që kanë formësuar qëndrimin e Haradinajt si kryeministër i Kosovës gjithmonë duke parashtruar pyetjen: A do të jetë kjo hera e fundit e Haradinajt si kryeministër?

Demarkacioni dhe liberalizimi i vizave

Brenda pak muajve pasi erdhi në pushtet, Haradinaj ia doli të bëjë zgjidhjen e një prej ngërçeve me të ndërlikuara ndër vite e cila kishte  rezultuar me rënien e qeverisë paraprake. Në mars të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës, nën qeverisjen e Haradinajt, ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin midis Kosovës dhe Malit të Zi, pavarësisht kundërshtimit të tij këmbëngulës ndaj të njëjtës marrëveshje në vitin 2015.

Kjo çështje e tejzgjatur u komentua nga Bashkimi Evropian si një nga kushtet e fundit që duhej të plotësoheshin për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u lejuar qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtonin pa viza në zonën Shengen, gjë që i shtyri shumë njerëz në Kosovë që ta përshendesin rolin e Haradinajt si më meritori për këtë vendim.

Ndërsa Haradinaj udhëtoi në Holandë të martën për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale, lëvizja e lirë brenda zonës Shengen për kosovarët e zakonshëm ende mbetet një pengesë, dhe udhëtimi po viza ende duket një përspektivë e largët.

“Urime, urime Kosovë”, ishte urimi i Haradinaj në maj të vitit të kaluar, kur Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë në favor të hyrjes së Kosovës në bisedime me institucionet e tjera të BE-së lidhur me lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës.

Më 30 maj 2017, Haradinaj premtoi se me qeverinë e re, qytetarët e Kosovës do të udhëtonin pa viza në zonën Shengen brenda 90 ditëve. Sipas Krypometrit të BIRN, matësi i vërtetësisë së deklaratave publike, ky premtim i Haradinajt është “plotësisht i rremë”.

Trajtimi i pabarabartë i Kosovës në krahasim me vendet e tjera kandidate për anëtarësim në BE është kritikuar, pasi që Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që kërkon viza për të udhëtuar lirshëm. Vetëm një ditë para dorëheqjes së tij, përveç fajit në drejtim të BE, Haradinaj premtoi prapë se lëvizja e lirë e qytetarëve është çështje javësh.

 Një qasje ndryshe me Serbinë

Përderisa marrëdhëniet e Haradinajt me Malin e Zi u konsideruan si miqësore pas ratifikimit të marrëveshjes, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe me Serbinë.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi

 

Kur u pyet në shtator 2017 se çfarë do të ishte qasja e qeverisë së re në dialogun me Serbinë, Haradinaj that se ai “ka detyra t’shtëpisë për t’bâ” në Kosovë dhe nuk pranoi të merrte pjesë në dialogun e Brukselit. “Mendoj se nuk kam kohë për dialogun,” tha ai kur filloi mandatin e tij.

Megjithatë, në verën e vitit 2018, kur Thaçi filloi së qarkulluari me idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë, heshtja e Haradinajt mori fund.

Ashtu siç morën fund edhe negociatat e Kosovës me Serbinë në dialogun e Brukselit. Zyrtarët serbë pastaj e arsyetuan mosvazhdimin e dialogut me vendosjen e taksës prej 100 përqind në muajin nëntor nga Qeveria Kosovës për të gjitha produktet që hynë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Taksa mbetet akoma në fuqi, me premtimin e Haradinajt se kjo taksë  mund të mbetet si e tillë “përgjithmonë”.

Haradinaj vazhdoi me zbatimin e mbajtjes së taksës, pavarësisht se marrëdhëniet me Serbinë po tensionoheshin edhe më tej dhe pavarësisht presionit nga bashkësia ndërkombëtare për ta hequr atë. Është raportuar se gjatë samitit të Berlinit në mars, presidenti francez Emmanuel Macron ishte i zemëruar kur Haradinaj refuzoi të heqte taksën “Ju nuk jeni në pozitë që të kërkoni asgjë,” i tha Macron Haradinajt, duke ngritur zërin e tij gjatë takimit.

Rritja e taksës u prit gjithashtu me kundërshtim nga partneri më i madh i koalicionit i AAK-së, PDK, i cili kërkoi nga Haradinaj heqjen e taksës në mënyrë që të jetë në përputhje me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare. Vendosmëria për mbajtjen e taksës është arsyeja kryesore se marrëdhëniet e AAK me vëllain e saj të madh të  koalicionit filluan të ftoheshin.

Sa i përket marrëdhënieve me jashtë, qeveria e Haradinajt humbi pikë në tavolinë, duke dështuar anëtarësimin e Kosovës në organizata si INTERPOL, UNESCO, Këshillin e Evropës apo për të siguruar një ulëse në Kombet e Bashkuara.

Ilustrim nga Trembelat për BIRN

Për më tepër, Ministria e Punëve të Jashtme e qeverisë Haradinaj, e kryesuar nga ministri Behgjet Pacolli, nuk arriti të siguronte asnjë njohje të shtetit të Kosovës gjatë 678 ditëve të tij në pushtet. Përkundrazi, vendet si Surinami dhe Guinea Bissau njoftuan tërheqjen e njohjeve të tyre, duke dëmtuar një trajektore pozitive drejt legjitimimit formal të Kosovës në skenën ndërkombëtare që nga viti 2008.

Zgjidhja e çështjeve afatgjata

Zgjerimi i mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, në dhjetor 2018 është renditur si një nga punët më të suksesshme të qeverisë së Haradinajt. Ishte një moment i rrallë kur të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe opozitën, mbështetën nismën e Haradinajt për të zgjeruar kompetencat e FSK-së.

Në qershor të vitit 2018, qeveria e Haradinajt vendosi një tjetër çështje afatgjatë, Ligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Ky ligj i miratuar në maj të vitit 2018 rregullon funksionimin e përgjithshëm dhe organizimin e kryeqytetit, i jep Prishtinës më shumë autonomi në nivel komunal si dhe rrit buxhetin e tij. Ligji ka qenë subjekt i një debati diskutabil ndërmjet partive politike gjatë viteve të mëhershme.

Dorëlirë me punësimet

Qeverisja e Haradinajt ka qenë përfituese për shumë partnerë të saj dhe kjo qeveri do të bahet mend për kënaqjen e oreksit të anëtarëve të partisë në të gjithë sektorët e qeverisë. Pas kritikave të bëra për numrin e madh të të punësuarëve në qeveri, edhe vetë Haradinaj kishte deklaruar të mos jetë në dijeni për numrin e saktë të zëvendësministrave në qeverinë e tij.

Takimi i Haradinajt me Zëvendësministrat më 2018

Në dhjetor të vitit 2014, sa ishte pjesë e opozitës, Haradinaj kishte qenë kritik ndaj emërimeve publike në qeverinë e mëparshme, duke insistuar se çdo numër që është tepër se një zëvendësministër për secilën ministri është “i papranueshëm” dhe “abuzim i pushtetit”. Qeveria paraprake kishte 43 zëvendësministra, numër ky që pothuajse u dyfishua kur Haradinaj mori timonin e qeverisë.

Në shtator të vitit 2018, raportohej se qeveria Haradinaj ka 76 zëvendësministra, 33 më shumë se qeveria e mëparshme.

Një ditë para dorëheqjes, kryeministri u kujdes që të caktojë edhe dy zëvendësministra të tjerë. Në një intervistë televizive të hënën në  T7 , Haradinaj deklaroi se ai tashmë e dinte se ishte ftuar nga Gjykata Speciale dhe do të jepte dorëheqjen megjithatë, prapë, ai emëroi këta dy zëvendësministra.

Në mënyrë konstante Qeveria e Haradinajt ka emëruar individë të ndërlidhur me partinë – të lidhur me të gjithë partnerët e koalicionit – në institucionet publike gjatë dy viteve të fundit, nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës  deri te Telekomi i Kosovës, PTK.

Dorëlirë në shpenzime

Buxheti i shtetit i Kosovës ndan katër milion euro në fondin e rezervave emergjente të shtetit, të cilën kryeministri ka fuqinë për të ndarë pa miratimin paraprak nga Kuvendi. Më shumë se dy milionë euro të këtij fondi janë shpenzuar në gjashtë muajt e parë të mandatit të tij, ndërsa Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka tërhequr vërejtjen për planifikim më të mirë të shpenzimeve nga fondi emergjent në mënyrë që të mos shpenzohet për pagesa të gjërave, tashmë të planifikuara, që do të paguhen nga pjesa tjetër e buxhetit.

Ilustrim nga Trembelat

Kur kemi të bëjmë me asfalt, investimet e Haradinajt nuk dallonin nga ndonjë qeveri tjetër paraprake. Gjatë kohës së tij si kryeministër, u përfundua autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, me një kosto prej 800 milionë eurove. Ministri i Transportit Pal Lekaj tha se ndërtimi i një autostrade të dytë asaj të ‘Dukagjinit’ e cila do të fillojë në muajin tetor, do të arrijë koston e një miliard eurove. Akuzat për korrupsion rreth ndërtimeve, si dhe kritikat se ndërtimi i autostradave është bërë një prej prioriteteve kryesore të qeverisë, e kanë karakterizuar qeverinë Haradinajt në vazhdimësi.

Marrëveshja për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr në Kosovë, Kosova e Re, ishte një vendim tjetër enorm nga qeveria e Haradinajt që mund të ketë një ndikim me rëndësi sa i përket mirëqenies ekonomike dhe fizike të qytetarëve të Kosovës. Kostoja do të mbulohet nga qytetarët e Kosovës pasi faturat e energjisë elektrike do të jenë tepër të shtrenjta, thonë kritikët e ndërtimit të këtij termocentrali. Banka Botërore ka tërhequr gjithashtu mbështetjen e saj nga ky projekt për shkak të mungesës së stabilitetit ekonomik.

Të drejtat e punëtorëve?

Në mbledhjen e parë të qeverisë, Haradinaj kishte premtuar “të ndërmarrë veprime konkrete në përmbushjen e kërkesave për të drejtat e punëtorëve në Kosovë”. Megjithatë, kur protestuesit dolën në rrugë duke kërkuar kushte më të mira në punë, qasja e kryeministrit nuk përputhej me premtimet e tij.

Në korrik të vitit 2018, kur zjarrfikësit e Kosovës protestuan para ndërtesës së qeverisë, duke kërkuar kushte më të mira në punë, Haradinaj u përpoq të diskutonte personalisht me protestuesit për këtë çështje. Kur një protestues iu tha zyrtarëve publikë “hajna”, Haradinaj iu përgjigj zjarrfikësit: “Kush osht ai që po m’thotë hajn? Nuk p’e di a ja kam vjedhë nanën apo babën e tij,” një përgjigje kjo e çuditshme e bërë në zemërim e sipër në momentin kur po bëhej gati t’i drejtohej protestuesve.

Aksioni i vendosjes së kravatave para qeverisë

Kjo mënyrë e reagimit të kryeministrit është arsyetuar nga anëtarët e stafit të tij, të tillë si këshilltari politik Halil Matoshi, i cili e konsideronte sjelljen e Haradinajt “të  vërtetë”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve më 1 maj, BSPK-ja i kërkoi qeverisë të rriste pagën minimale nga 135 euro (për moshën nën 35 vjet) ose 170 euro (për moshën mbi 35) në 250 euro në muaj për të gjithë sektorët, duke kërkuar paga të barabarta për punë të barabartë, që të zbatojë Ligjin e Punës, që të rrisë sigurinë në punë dhe të zvogëlojë moshën e pensionit për 10 vjet.

Megjithatë, Kryptometri, matësi i vërtetësisë së deklaratave publike nga BIRN, vërtetoi se asnjë nga pesë mbledhjet qeveritare të mbajtura atë muaj nuk u përdor për të diskutuar kërkesat e sindikalistëve, andaj edhe kërkesat nuk u adresuan asnjëherë.

Ndërhyrja në institucionet e pavarura

Në gusht të vitit 2018, të gjeturat e prokurorit special Elez Blakaj se mijëra veteranë të rremë po marrin pensione të pamerituara rezultuan me përgjigje të ashpra nga Haradinaj, pasi që njërën prej këtyre përgjigjieve e kishte quajtur prokurorin Blakaj një “hajn”.

Në një intervistë televizive, Haradinaj tha se ishte Blakaj ai i cili ishte “një hajn” dhe “një pishpirik që iku në Bllacë [një kamp refugjatësh për kosovarët që u strehuan gjatë Luftës së Kosovës]”.

Listat e fryera të veteranëve japin detaje se më shumë se 40,000 njerëz marrin pensione, me më shumë se 19,000 (sipas padisë së Blakaj) prej këtyre veteranëve si të rremë. Në 2018, më shumë se 70 milionë euro u shpenzuan në skemën e pensioneve të veteranëve të luftës.

Vetëm në rajonin e Dukagjinit, ku Haradinaj ishte komandant i zonës gjatë luftës, më shumë se 30.000 njerëz morën certifikata që i konfirmonin ata si veteranë të luftës.

Vetë Haradinaj deklaroi në vitin 2000 se në rajonin e Dukagjinit nuk kishte më shumë se 3.000 luftëtarë të UÇK-së.

Haradinaj në Kuvend

Haradinaj dhe reagimet e zyrtarëve të tjerë ndaj gjetjeve të Blakaj e detyruan prokurorin special të largohej nga Kosova në drejtim të Shteteve të Bashkuara “për të vazhduar studimet e tij”. Sulmi ndaj Blakajt u dënua nga partitë opozitare dhe komuniteti ndërkombëtar si një ndërhyrje në funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Në ditët e tij të fundit si kryeministër, Haradinaj sulmoi gjithashtu Këshillin Shtetëror të Cilësisë, KShC, mbi vendimin e tyre për t’ua hequr akreditimin institucional për universitetet publike në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë. Megjithëse KShC është një organ i pavarur i mandatuar për të vlerësuar cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë, Haradinaj i quajti “mafia” ekspertët e përfshirë në procesin e vlerësimit.

A do ta marrë Haradinaj postin e kryeministrit për të tretën herë?

Gjatë dorëheqjes së tij, Haradinaj tha se dorëheqja e tij ishte e duhur sepse ai dëshiron të merret në pyetje nga Gjykata Speciale Hagë, në cilësinë e individit, si qytetar i Kosovës. Megjithatë, ai menjëherë konfirmoi se në zgjedhjet e jashtëzakonshme, që ka gjasa të mbahen në muajt e ardhshëm, ai përsëri do të garojë për pozitën e kryeministrit. Nëse ai garon për postin e kryeministrit derisa hetimet janë në vazhdim e sipër, atëherë motivimi për dorëheqjen e tij mund të vihet në pikëpyetje.