5,320 euro pagesa të dyshimta, universiteti thotë se auditori keqinterpretoi rregulloren

Auditori i Përgjithshëm ka konstatuar se 19 senatorët e Universitetit të Gjilanit kanë pranuar pagesa përkundër që katër muaj nuk kishin mbajtur asnjë mbledhje të senatit. Auditori kishte konstatuar se këto pagesa janë të kundërligjshme dhe ato duhet të kthehen nga ana e senatorëve.

Këto të dhëna kanë nxjerr mungesën e komunikimit në mes të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Universitetit të Gjilanit, si vartës të tyre. Pas publikimit të të dhënave, Universiteti i Gjilanit që auditohet në kuadër të MASHT-it i kishte kundërshtuar ato duke thënë se ka keqinterpretim të rregullores për pagesat e senatorëve. Por, MASHT ishte pajtuar me këto konstatime të Auditorit dhe ishte zotuar se do të punojë për adresimin e tyre.

Auditori thotë se konstatimet e auditorit dhe rekomandimi i dhënë mbetet meqë Ministria nuk kishte dërguar asnjë koment për të argumentuar të kundërtën.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është pajtuar me këtë të gjetur dhe ne nuk kemi pranuar ndonjë koment lidhur me këtë çështje të ngritur në draft raportin e auditimit nga MAShT respektivisht Universiteti i Gjilanit”, tha Saranda Husaj nga Auditori i Përgjithshëm.

Auditori i Përgjithshëm ka thënë se mbi 5 mijë euro pagesa të bëra ndaj senatorëve nuk ishin dashur të bëhen, ndërsa këtë po e kundërshton universiteti.

Sipas raportit të auditorit, rregullorja e brendshme e universitetit thotë se pagesa për çdo anëtar të senatit do të jetë në shumë lineare prej 70 euro bruto në muaj, nëse marrin pjesë në mbledhje.

“Ne kemi identifikuar se 19 anëtarë të Senatit në Universitetin e Gjilanit të cilët ishin kompensuar për katër (4) mbledhje (janar, shkurt, mars dhe qershor 2018) të cilat nuk ishin mbajtur fare nga Senati. Vlera e kompensimeve është 5,320€ (19*4*70€=5,320€)”, thuhet në raportin e auditorit.

Pagesat e tilla, sipas Auditorit, kanë ndodhur për shkak të dështimit të kontrolleve nga zyrtarët përgjegjës të universitetit.

Ndërkaq kanë rekomanduar që  ministri së bashku me Rektorin duhet të sigurojë se të gjitha pagesat të pa arsyetuara për kompensime ndaj anëtarëve të senatit të kthehen në buxhetin e Kosovës, dhe në të ardhmen, të sigurojë zbatim të rregullores përkatëse.

KALLXO.com ka kontaktuar sekretarin e Universitetit të Gjilanit, Vaxhid Sadriu i cili tha se Rregullorja për pagesat e anëtarëve të Senatit është e keqinterpretuar.

Sipas Sadriut, pagesa për anëtarët e Senatit paguhet për çdo muaj në shumën prej 70.00€, pavarësisht se a ka pasur apo nuk ka pasur mbledhje, apo ka pasur më shumë se një mbledhje.

Sipas tij, në këtë mënyrë funksionojnë edhe universitetet tjera publike.

“Anëtarëve të Senatit nuk u takon kompensimi nëse nuk marrin pjesë në mbledhje. Këtu është fjala në rastet kur universiteti organizon dhe mban mbledhje kurse senatori nuk merr pjesë, atëherë ai nuk paguhet nëse gjatë atij muaji është mbajtur vetëm një mbledhje”, tha Sadriu.

Ai shtoi se anëtari i Senatit i cili mungon nga mbledhja, e cila është mbajtur vetëm një herë në muaj nuk do ta marr kompensimin në vlerë prej 70 euro, nëse mungesa nuk arsyetohet.

Ai tha se ishin munduar t’ia jepnin këtë sqarim auditorit përmes MAShT-it

“Këtë përgjigje u kemi adresuar edhe Auditorit të Jashtëm përmes MAShT-it. Sepse ai nuk ka qenë tek ne por të dhënat i ka kërkuar përmes zyrtarëve të MASHT-it, për këtë edhe ka mund të ketë keqkuptime apo keqinterpretime”, tha Sadriu.

Të pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë fillimisht ka mohuar se kanë marrë komente nga Universiteti i Gjilanit.

“Në lidhje me atë, se çfarë ka thënë universiteti në fjalë, në bazë të informatave nga zyra jonë e auditimit, mund të ju themi se nuk qëndron. Gjithsesi, kjo është një çështje e theksuar, me të cilën do të merren auditorët tanë të brendshëm”, tha Valmir Gashi, këshilltar i Ministrit.

Megjithatë, GJnK ka siguruar emailin që universiteti i kishte dërguar MAShT-it me këto komente.

Pas kësaj, MAShT është përgjigjur duke thënë se komentet ishin dërguar me vonesë. Më saktësisht, ata kanë thënë se Sekretari i MAShT-it kishte dërguar email tek institucionet vartëse të kësaj ministrie duke thënë se komentet për auditorin duhet të dërgohen deri më datën 3 qershor.

Ndërkaq, sekretari i universitetit të UPGj-së i kishte dërguar këto komente më 7 qershor.

Vonesën për kthimin e komenteve e ka arsyetuar sekretari i universitetin duke e fajësuar MAShT-in se nuk i kanë dhënë kohë të mjaftueshme për përgjigje.

“E vërteta qëndron se unë i kam dërguar të dhënat më 7 qershor 2019. Dmth jemi vonuar por asistentja e Sekretarit të Përgjithshëm i ka dërguar rektorit Kosumi më 30 maj 2019 pas orës 16. Pastaj ai mi ka dërguar mua dhe unë me 31 maj e kam vërejtur emalin, por atë ditë i kam pasur dy mbledhje dhe e kam llogaritur se së paku kam kohë me u përgjigje së paku një javë, sepse kur merret draft raporti nga Institucioni kërkohet sipas ligjit me u përgjigje brenda 15 ditëve. E vërteta është se unë nuk e kam vërejtur datën kur duhet kthyer. Por si është e mundur që të kemi kohë  vetëm një ditë”, tha Sadriu.

Çka thotë Rregullorja?

Rregullorja nuk është e publikuar në ueb-faqen e universitetit, por KALLXO.com e ka siguruar përmes sekretarit të Universiteti të Gjilanit. Auditori dhe universiteti i referohen me numra të ndryshëm të referencës. Në përgjigjen e universitetit thuhet se rregullorja ka numrin 05/584 dt, ndërsa në raportin e auditorit nr. 02/1486.

Në zyrën e Auditorit e kanë pranuar se numri i rregullorës është referuar gabimisht në raportin e auditorit dhe se numri i duhur është ai që i referohet Universiteti, pra 05/584.

Rregullorja e miratuar në qershor të vitit 2014 përmban fjalitë e cituara nga të dy institucionet. Në pikën tre thuhet se anëtarëve të Senatit nuk u takon kompensimi prej 70 euro nëse nuk marrin pjesë në mbledhje.

Por, në paragrafin pasues janë dhënë disa shpjegime shtesë.

“Anëtari i Senatit i cili mungon nga mbledhja, e cila është mbajtur vetëm një herë në muaj nuk do ta marr kompensimin në vlerë prej 70.00 €, nëse mungesa nuk arsyetohet”, thuhet në pikën katër të kësaj rregulloreje.

“Kjo është Rregullorja një dhe e vetme, e cila është aprovuar në mbledhjen e XII te KD, e cila është mbajtur më 11.06.2014. Kjo rregullore është në fuqi dhe valide. Numrit të cilit ju i referohuni në rregulloren të cilën e ka cituar auditori për mua është i panjohur”, tha sekretari i Universitetit, Sadriu.