Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij qeveritar. Foto: Atdhe Mulla

2 vjet nga votimi i qeverisë Haradinaj: Jeta e shkurtër e qeverisë gjigante

Saktësisht 2 vite më herët, më 9 shtator 2017, Ramush Haradinaj ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës.

Me 61 vota për, 1 abstenim Haradinaj ishte zgjedhur kryeministër i vendit.

Haradinaj, kishte qenë kandidat i koalicionit PDK, AAK dhe Nisma që njihej si PAN. Për të marrë votat e mjaftueshme për kryeministër atij i duhej bashkëpunim me partitë tjera.

Në fund, Haradinaj ishte votuar për kryeministër më votat e Listës Serbe dhe AKR-së. Ndërsa deputeti i Nismës, Zafir Berisha kishte abstenuar.

Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit më 19 korrik të këtij viti pas ftesës nga Gjykata Speciale për të dhënë dëshmi.

Presidenti Thaçi, pas tentativës që të gjejë një mandatar të ri, kishte shpallur zgjedhjet me 6 tetor.

Haradinaj, që edhe tani është në pushtet, ndonëse kryeministër në largim, do të mbahet mend për dyfishimin e pagës së tij dhe kabinetit të tij qeveritar.

Ai gjithashtu do të mbahet mend edhe për vendosjen e taksës prej 100% ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si dhe votimin për transformimin e FSK-së në ushtri gjatë kohës sa ai shërbeu si kryeministër.

Mirëpo Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj do të mbahet mend edhe për deportimin e 6 shtetasve turq në mënyrë misterioze.

Askush deri më sot nuk e di se si ka ndodhur procesi i deportimit të të tyre.

16 muaj më vonë, Inspektorati Policor i Kosovës ka parashtruar kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës në lidhje me këtë rast.

Kjo qeveri do të mbahen mend edhe për 53 milionë eurot shtesë që iu dhanë “Bechtel&Enka” për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.

Gjatë qeverisjes së kryeministrit në largim, një nga debatet më të përfolura ka qenë numri i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sipas të dhënave zyrtare është afër 60 mijë.

Për këtë rast, Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë, ndërsa Prokurori i rastit, Elez Blakaj kishte dhënë dorëheqje dhe ishte larguar nga Kosova për shkak të presioneve që ai kishte pasur. Kjo kishte bërë që kryeministri në largim ta ofendoj ish prokurorin Blakaj, duke e quajtur edhe hajn.

Haradinaj, si kryeministër i kësaj qeverise do të mbahen mend edhe për konsistencën e tij në qëndrimin kundër çdo diskutimi për ndryshim kufijsh, korrigjimin, shkëmbim apo ndarje.

Për gjysmën e mandatit ai do të mbahen mend si kryeministër që kishte ngritur raporte shumë të mira institucionale me presidentin e vendit, ndërsa gjysmën tjetër si një nga kundërshtarët e tij më të mëdhenj.

Në kohën e Haradinajt kryeministër, Kosova u përjashtua nga organizata ndërkombëtare, ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e ka përjashtuar. Kjo kishte ndodhur për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie, e që ishte bërë me kërkesë të Haradinat.

Agjencia Kosovare e Akreditimit Përjashtohet nga Një Organizatë Ndërkombëtare

Haradinaj, ndonëse në kohë fushate kishte deklaruar se ministrat nuk do të kenë më shumë se 1 zëvendës ministër, eventualisht 2, kishte thyer rekord në emërimin e tyre. Ai do të mbahet mend edhe për numrin më të madh të anëtarëve të Qeverisë.

Qeveria numëron mbi 80 zëvendësministra.

Gjatë qeverisjes së Haradinajt Kosova arriti ta largoj nga tavolina njërën nga temat më të gjata në kohën e paspavarësisë. Kuvendi i Kosovës kishte arritur ta kaloj marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Për kalimin e kësaj marrëveshje ishte arritur një “aneks-marrëveshje” e cila nuk është zbatuar deri më tani.

Palët, në këtë rast Kosova dhe Mali i Zi ishin dakorduar që të bëjnë korrigjimet e duhura të vijës kufitare.

Duke i parë dallimet e mëdha mes Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës karshi dialogut me Serbinë, Haradinaj kishte propozuar themelimin e një grupi negociator për bisedime me Serbinë. Ky grup, muaj më vonë pas krijimit, e pak takimeve me zyrtarët e BE-së, ishte shpallur anti-kushtetues.

Gjatë mandatit, tashmë 2 vjeçar, qeveria do të mbahet mend edhe për shpenzimin e rezervës shtetërore.

Haradinaj tani është duke kërkuar besimin e qytetarëve edhe për një mandat. Ai është bërë bashke me Partinë Social Demokrate në një koalicion parazgjedhor.

Garës, Haradinaj i ka hyrë me sloganin 100% shtet.