Policia duke ruajtur derën kryesore të Teatrit Kombëtar gjatë protestës. Foto - Vladimir Karaj - BIRN

15 orë rrethim: Tension, përplasje dhe paradokse në betejën për Teatrin Kombëtar

Rreth orës 10.30 të mëngjesit të së mërkurës, ndërsa kordonët e policisë ruanin portën kryesore të Teatrit Kombëtar, artistë, qytetarë dhe përfaqësuesit e opozitës zbuluan një hyrje të dytë.

Ata hapën një derë anësore prej xhami dhe dhjetra protestues hynë në sallën e shfaqjeve, madje hapën derën kryesore duke i mundësuar kreut të PD-së, Basha dhe disa ish-deputetëve të futeshin përmes saj.  Policia që u duk në këtë moment si personazh i anekdodave me Nastradin, vijoi megjithatë të ruante derën kryesore, prej nga vetëm mund të dilje, por jo të hyje.

Situata që filloi me tension dhe përplasje mëngjesin e të mërkurës, u duk se u qetësua ndërsa palët ranë në një “marrëveshje të heshtur” se qytetarët dhe artistët protestues mund të kalonin nga një derë dhe të dilnin nga tjetra.

Një grup qytetarësh dhe artistësh (kryesisht aktorë e regjisorë të TK), protestojnë prej më shumë se një viti kundër një projekti kontrovers për prishjen e godinave ekzistuese të Teatrit dhe ndërtimin e një teatri të ri, i cili përfshin sipas dokumenteve që BIRN ka siguruar edhe dhënien e një pjesë te hapësirës publike për ndërtim kullash.

Rezistenca që është zhvilluar me protesta të përditshme në sheshin para teatrit u përshkallëzua tre ditët e fundit. Aktori Neritan Liçaj i tha BIRN se ata ishin informuar nga persona të brendshëm se do të fillonte zbrazja e reatrit nga objektet me vlerë, për t’i hapur rrugë prishjes së tij.

“Një veprim skuthash”, tha Liçaj, duke akuzuar qeverinë se tentonte ta prishte teatrin fshehurazi.

Protestuesit në skenën e Teatrit Kombëtar gjatë protestës. Foto: Vladimir Karaj/BIRN

Aktivistët kundër shembjes gdhinë disa netë në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe mëngjesin e të mërkurës dhanë alarmin se ishin rrethuar nga policia dhe se po tentohej të zbrazej teatri. Dhjetra qytetarë iu bashkuan atyre në orët në vijim, përfshi drejtues të lartë të opozitës. Pas disa përplasjeve me policinë gjatë të cilave u lëndua një qytetar, artistët morën nën kontroll sallën e shfaqeve, ndërsa policia u duk se nuk do ndërhynte.

Punëtorë që dukej se kishin hyrë për të nxjerrë materiale nga godina u larguan mes turmës së irrituar, që pretendonte se ata nuk ishin punonjës të teatrit.

Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi kryeministrin se donte të prishte teatrin “vetëm grabitjen dhe pastrimin e parave të bandës” së tij.

Ndërsa Presidenti Ilir Meta eci në këmbë nga zyra e tij deri në zyrat e boshatisura të Gjykatës Kushtetuese, për të dorëzuar një padi kundër ligjit të Kuvendit që mundëson shembjen e teatrit. Meta akuzoi kryeministrin dhe ndërkombëtarët për situatën dhe tha se drejtësia do vepronte “mbi rilindas lokalë e ndërkombëtarë”.

Në padinë e publikuar, Presidenti thotë se ligji bie ndesh me kushtetutën, është diskriminues dhe cënon parimin e sigurisë juridike.

Ndërkohë në teatër situata vijoi e qetë për 1 orë pas hyrjes së artistëve në sallë, por në mesditë, pas deklaratave publike të kryebashkiakut Erjon Veliaj ku lihej të kuptohej se nuk do kishte tërheqje nga projekti, duke akuzuar PD dhe LSI për protestën dhe cilësuar aktivistët si “i njëjti grup” kundër progresit, “PD dhe LSI me mashat”, polica tentoi të merrte në kontroll të gjitha hyrjet.

Protestues, përfshi ish-deputetë të PD e ndaluan këtë përpjekje dhe madje ngritën barrikadë në derën kryesore të teatrit. Shpesh përplasja përshkallëzoi në dhunë, në një rast duke përfshirë rojet e një kompanie private, që nuk u kuptua se pse morën rolin e policisë.

Pas diskutimeve, palët ranë sërish dakord. Barrikada u hoq nga policia, ndërsa protestuesit u lanë të përdorin portën e dytë. Menjëherë pas kësaj policia zgjeroi rrethimin, duke vendosur pengesa në oborrin e jashtëm mes Ministrisë së Brendshme dhe TK dhe bllokuar hyrjet nga pedonalja dhe nga krahu i Bashkisë së Tiranës.

Punonjësit e policisë përballë protestuesve në orët e vona të së mërkurës, 24 korrik 2019. Foto- Fjori Sinoruka

Ndërkohë brenda teatrit gjithçka të jep përshtypjen e një shtëpie të braktisur prej vitesh. Kthinat, llozhat, tualetet dhe shkallët duken sikur askush nuk ka shkelur në to dhe as janë fshirë e as janë larë. Pjesë të tëra të godinës duken si magazina të braktisura ku ishin hedhur pjesë skenografie dhe mobilje.

Në dhoma të braktisura të hedhura në rrëmujë gjenden materiale të përdorura në teatër, përfshi kapakë veprash të diktatorit Enver Hoxha, pushkë druri, helmeta e një mori copëzash të hedhura njëra mbi tjetrën.

Në hyrjen kryesore ndodheshin dhjetra kuti me rekuzita nga shfaqet, përfshi ato të “Romeo dhe Zhuljeta” e “Henri V”, që duket se ishin bërë gati për t’u trasferuar jashtë tij. Megjithatë situata jashtë nuk i ngjan as dramave as komedive të Shekspirit.

Dhjetra policë qëndrojnë kryesisht pa bërë asgjë dhe struken në rrëzë të godinës për t’u ruajtur nga zhegu i mesditës. Herë herë mes tyre ka debate me zë të lartë për ndërrime turnesh.

Ndërsa artistë e protestues ulen brenda ose në sheshpushimin nën pemët rreth teatrit. Palët furnizohen me pica e ushqime për drekën dhe për orë të tëra  situata u duk e qetë. Pati për ca kohë edhe muzikë dhe turistë që u ra rruga, në padijeni për “çka luhej” e shfrytëzuan për të kërcyer, derisa policia vendosi të ndërpresë dritat në njërën prej godinave.

Në mbrëmje gjendja u tensionua sërish. Të tjerë protestues tentuan të hynin në oborrin e teatrit u ndaluan nga policia. Pas përplasjeve, një pjesë e pengesave metalike u shembën, por policia vijoi të mos lejonte kalimin.

Një prej aktivistëve që ndodhej brenda zonës së rrethuar shkroi se pas rrethimit nga policia protestuesit, përfshi të moshuar ishin pa ujë dhe ushqim. Rreth orës 20.00, aktori Gentjan Zenelaj dhe një grup qytetarësh thyen pengesën e policisë, e cila përdori lotsjellës ndaj tyre, dhe futën ujë për personat e rrethuar në teatër.

Gentian Gaba, një prej protestuesve i tha BIRN se megjithë këtë ndihmë, aktivistëve brenda teatrit u duhej ujë. “Nuk kemi ujë dhe drita”, tha Gaba, ndërsa shpjegoi se policia kishte penguar futjen e ujit brenda rrethimit.

Por pak minuta pas kësaj bisede telefonike, policia në mënyrë të papritur braktisi pozicionet që kishte ruajtur aq fort gjatë ditës dhe u largua. Protestues i thanë BIRN se askush nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte.

Qytetarët që ishin jashtë barrikadave u futën në sheshin e teatrit duke thirrur “Poshtë diktatura”, ndërsa punonjësit e policisë u larguan nga sheshi, por edhe nga dera kryesore të cilën e kishin ruajtur gjatë gjithë ditës.

I pyetur nga BIRN, regjisori Robert Budina tha se pasi ishte refuzuar kërkesa për tërheqje të protestuesve, policia u kishte thënë se ua linte atyre në administrim godinën. “Nuk e di çfarë vendimi do marrin, por për sot na e lanë ne në administrim,” tha Budina.

Largimi i beftë i policisë duket se e bëri edhe më paradoksale situatën, e cila që në fillim ishte e tillë; me policë që ruanin një godinë të dënuar nga qeveria me shembje, ndërkohë që protestuesit kundërshtojnë planin për rrënimin e saj.

Kontribuoi në raportim edhe gazetarja Fjori Sinoruka.

Mjediset e brendshme të shkatërruara të Teatrit Kombëtar. Foto – Vladimir Karaj – BIRN
Protestues në skenën e Teatrit Kombëtar gjatë protestës. Foto – Vladimir Karaj – BIRN
Protestues brenda teatrit nga dera e pasme. Foto – Vladimir Karaj – BIRN