1 vit riorganizim i PSD-së, një këmbë brenda e një jashtë Qeverisë

Një vit më parë, më 9 maj, Partia Socialdemokrate (PSD), përjetoi reformimin e saj më të madh ndonjëherë.

Dymbëdhjetë deputetë të Kuvendit të Kosovës lanë një parti tjetër për t’iu bashkuar njërës prej partive më të vjetra në Kosovë.

Larg syrit të mediave, PSD kishte zgjedhur Shpend Ahmetin kryetar, tezakun e tij, Visar Ymerin zëvendëskryetar dhe Aida Dërgutin sekretare e përgjithshme të partisë.

Si pasardhës i Bajram Kelmendit në krye të partisë së themeluar nga Kaqusha Jashari, në deklaratën e parë Shpend Ahmeti u përçoi një mesazh të rinjve në Kosovë.

“Nuk është vend i keq ky [Kosova], por e shohin që këtu kanë ndodhë gjana të këqija, edhe detyrohen të ikin. Gjenerata e re nuk është që nuk ka ideal, por na nevojitet një konkretizim i këtyre idealeve, e ne socialdemokratët jemi shumicë”, pati thënë Ahmeti në Ditën e Europës, i sapozgjedhur kryetar partie.

Pas gjashtëmbëdhjetë ditëve, partia e Shpend Ahmetit zgjodhi edhe kryesinë e re dhe dy nënkryetarë të rinj.

Një vit pas, rrugëtimi i PSD-së mund të përshkruhet parasegjithash me përplasjet në mes dikur miqve, e tash kundërshtarëve politikë, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe bashkëpunimin e partisë me pushtetin. Në të paktën dy çështje, PSD u tregua e afërt me Qeverinë  Hardinaj, kur votoi buxhetin për vitin 2019 dhe kur u përfshi në delegacionin që formoi ekzekutivi kosovar për dialogun me Serbinë.

Prishja me VV-në për t’u futur në PSD

Gjatë vitit 2017 në Kosovë u mbajtën dy palë zgjedhje, të përgjithshmet dhe ato lokale. Në të parat, Lëvizja Vetëvendosje arriti rezultate pak të pritshme nga kundërshtarët politikë ndërsa në ato lokale, LVV mori nën udhëheqje tri komuna, kryeqytetin, Prizrenin e Kamenicën.

Rezultatet e LVV-së u vlerësuan nga shumë kush si “drita në fund të tunelit”,  por gjërat ndryshuan shpejt. Në fund të vitit 2017 nga Vetëvendosje filluan dorëheqje të njëpasnjëshme të deputetëve e të anëtarësisë.

Nga kjo përçarje e brendshme, Lëvizja Vetëvendosje humbi 12 deputetë e dy komuna.

Derisa komentoi dorëheqjet nga partia, Albin Kurti tha se nuk po dëmtohet VV aq sa po mendohet në opinion.

Sipas analistit Petrit Zogaj, deputetët e dorëhequr nga LVV nuk përfaqësojnë votuesin e zgjedhjeve të vitit 2017.

“Si fillim duhet të themi që është anomali që të garosh e të zgjidhesh nën siglën e një subjekti politik, e menjëherë pastaj të largohesh nga subjekti e të thuash që prezanton një parti tjetër”, vlerëson Zogaj.

“Ta zëmë, nuk besoj që PSD me deputetët që kanë në Kuvend, është duke përfaqësuar votuesin e zgjedhjeve të 2017. Përkundrazi, shoh një tendencë që të largohet nga ai votues, që i bie se aktualisht PSD dhe deputetët e saj mund të bëjnë ç’të duan me mandatet që kanë sepse s’kanë një bazë elektorale që do t’i ndëshkojë pastaj”, thotë ai për Gazeta Jeta në Kosovë.

“Flirti” me Qeverinë e koalicionit PANA

Ndonëse partia e Shpend Ahmetit zyrtarisht nuk është  pjesë e ekzekutivit kosovar, ajo vendosi ta përkrahë Qeverinë  e Ramush Haradinajt duke i dhënë  votën për votimin e buxhetit për vitin 2019.

Në  fund të  vitit 2018, deputeti Dardan Sejdiu prezantoi pesë kushte, që sipas tij janë në  të  mirën e vendit.

Këto 5 “pazare”, siç po i quajnë disa, i kursejnë buxhetin Republikës së Kosovës. Në vend të një vajtimi për impotencë, ne e kemi zgjedhur rrugën e negociatave për të mirën e qytetarëve”, pati deklaruar ai duke arsyetuar votën pro buxhetit për vitin 2019.

Ndonëse, edhe sot kushtet e PSD-së nuk janë plotësuar nga Qeveria e Kosovës.

Sipas analistit kosovar Haki Abazi, PSD ka mashtruar votuesin dhe ka manipuluar me votat e fituara kur ka vendosur të votojë pro buxhetit të  Qeverisë.

“PSD  shënon një  mashtrim klasik dhe manipulim me votën. E gjithë kjo përmblidhet me votimin e buxhetit te Qeverisë  me premtime të  kota dhe absolutisht jo të  rëndësishme të  tipit “po kallet shtëpia, por unë  po e shpëtoj frigoriferin ku është ushqimi im”, deklaron Abazi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas Abazit, veprimet e tilla politike dëmtojnë  besimin e votuesve që kanë për partitë politike.

Ndërsa, sipas Petrit Zogajt, votimi i buxhetit nga PSD më shumë erdhi për t’i shmangur zgjedhjet e mundshme për të  cilat, sipas tij, partia e Shpend Ahmetit nuk është e gatshme.

“PSD nuk ishte e gatshme në asnjë version të shkohej në zgjedhje, e dështimi i shumicës në Kuvend për buxhetin, krijonte situatën që mund edhe të kishim zgjedhje të parakohshme. Prandaj, PSD krijoi disa kushte populiste, si ajo me ministrin e komunitetit serb ne Qeveri dhe përmes tij e arsyetoi voton pro buxhetit”, vlerëson ai.

Sipas analistit, vënia e kushteve nga PSD nuk ishte diçka e re për partitë dhe opinionin kosovar.

“Temat populiste janë arma e vetme e mbetjes në pushtet ose edhe marrjes së pushtetit për partitë politike”, thotë ai.

Votimi i buxhetit për vitin 2019 nuk ishte afërsia e vetme e Partisë Socialdemokrate me Qeverinë e Ramush Haradinajt.

Në  fund të  vitit të  kaluar, Shpend Ahmeti vendosi të bëhej pjesë e një ekipi që formoi Qeveria e Kosovës për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë, kryeministri Haradinaj falënderoi në veçanti të  parin e PSD-së  për bashkëngjitje në ekipin negociator.

Ahmeti, që dikur shihej si shpresë në skenën politike të Kosovës, me veprimet e fundit nuk paramendohet si i tillë më.

Ekipi negociator, mes kritikave dhe lëvdatave për unitet në dialog

“Dialogu është tema tjetër e PSD po aq problematike sa edhe e para”, thotë Petrit Zogaj teksa përshkruan bashkëpunimet e socialdemokatëve me Qeverinë.

“PSD po e ka të vështirë që të etablohet në skenën politike. Por në të njëjtën kohë, e kompleksuar për çfarëdo identifikimi më LV, e ka çuar këtë parti politike deri aty sa të propozojë, draftojë e votojë rezoluta e ligje që kanë si fokus dialogun me Serbinë. Të dyja këto veprime e bëjnë PSD partnere serioze të Qeverisë Haradinaj. As PDK e as NISMA nuk janë më pro Qeverisë Haradinaj sesa PSD”, thotë Zogaj.

Sipas tij, të  dyja veprimet, votimi i buxhetit dhe përfshirja në dialogun Kosovë – Serbi, janë kontroverse nga ana e Partisë së Shpend Ahmetit.

“E kam parë komplet të paarsyeshme që PSD nuk bëri një dakodrim formal për t’u bërë pjesë e qeverisë aktuale”, deklaron tutje analisti.

E këto veprime nga një  parti në opozitë, por që ofron bashkëpunim dhe zgjat jetën e pushtetit aktual, sipas Haki Abazit do t’i kushtojnë në votime PSD-së.

“Mendoj që  PSD do të  jetë fenomen jetëshkurtër dhe e ardhmja e saj do të jetë në ndonjë  listë të përbashkët me ndonjë parti tjetër, por që vetë më assesi nuk do të arrijë të marrë  vota as për të pasë një deputet të vetëm në nivel nacional. Votuesi kosovar mund të mashtrohet, por nuk e fal tradhtinë ”, vlerëson Abazi.

Sipas tij, veprimet e PSD-së  mund të përshkruhen si tradhti e katërfishtë.

“Tradhtia e PSD-së ka qenë e katërfishtë: një ndaj LVV, dy në rastin e bashkëngjitjes së dialogut, tre me aprovimin e buxhetit dhe katër, tadhëtia ndaj kryeqytetit. Kjo assesi as nuk mund të falet e as nuk mund të harrohet”, thotë ai.

1 vit i riorganizimit të PSD-së

Në  një  konferencë  për media, gjatë  ditës së djeshme, deputetja Shqipe Pantina dhe deputeti Dukagjin Gorani treguan sukseset e partisë  dhe ftuan anëtarësinë  dhe qytetarët që të festojnë më 9 maj.

“Riorganizimi i Partisë Socialdemokrate është një përpjekje e një grupi të grave dhe burrave, aktivistë e deputetë, që në kohë të vështira të qeverisjes klanore, të ndasive sociale dhe të grindjeve partiake, të ofrojë një përkufizim funksional të angazhimit shoqëror – për politikëbërjen si ofrim i zgjidhjeve, e jo vetëm si konstatim i problemeve”, tha Dukagjin Gorani.

Ndërsa, në anën tjetër, deputetja Shqipe Pantina prezantoi disa prej, sipas saj, suksesve që PSD arriti përgjatë një viti riorganizim.

“Përveçse kemi aplikuar kuotën gjinore 50-50 në struktura të partisë, në qeverisjen e Prishtinës nga 16 drejtori, 7 nga to udhëhiqen nga gratë apo përkthyer në përqindje 44%; e në Kamenicë, kjo përqindje është 54%, pasi që nga 11 drejtori, 6 drejtohen nga gratë. Krahasuar me komunat tjerat, ku 85% të drejtorive udhëhiqen nga burrat e vetëm 15% nga gratë, qeverisja e PSD-së në këto dy komuna ka dhënë shembullin e kundërt, duke e konsideruar barazinë si pikënisje dhe duke dhënë hapësirën e barabartë për burrat dhe gratë në qeverisje”, potencoi deputetja Pantina.

Por, ndryshe përshkruhet puna e PSD-së  për një vit nga Petrit Zogaj. Sipas tij, ish-anëtarët e Vetëvendosjes më shumë janë parë duke bërë përpjekje për t’u dukur se janë ndryshe nga ish-kolegët e VV-së.

“Më shumë si vit pune, kjo periudhë për PSD është prezantuar si përpjekje për t’u ‘divorcuar’ njëherë e mirë nga VV. Gjatë gjithë kësaj kohe, PSD, duke qenë nën ‘fajin’ e kësaj shkëputjetje nga VV, është munduar që të dëshmojë domosdoshmërinë e ndarjes përmes akuzave ndaj VV-së për mendësi autoritare brenda këtij subjekti dhe mungesë të tolerancës për mendimin e tjetrit. Me gjithë angazhimin në këtë drejtim, nuk besoj të kenë krijuar bindjen në publik se kjo ikja nga VV ka qenë e patejkalueshme”, thotë ai.

Sipas Zogaj, veprimet e tilla të  anëtarëve të  PSD-së kanë lënë të kuptohet se kjo parti është  opozitë ndaj VV-së sesa ndaj pushtetit.

“Mund të themi që PSD, përgjatë kësaj kohe, më shumë është prezantu si opozitë ndaj VV-së, sesa opozitë ndaj pushtetit në Kosovë. Edhe ato pak iniciativa që PSD ka pasur në Kuvend, kanë mbetur nën hijen e akuzave që PSD drejtonte ndaj VV-së ”, vlerëson ai.

Në  anën tjetër, Haki Abazi nuk e sheh PSD-në kundërshtare të qeverisjes aktuale, madje sipas tij, kjo parti tashmë po shërben për të mbajtur gjallë të keqen.

“PSD e tanishme është  elementi që ka tharbësuar skenën pikërisht për faktin që nga një shpresë si pjesë e VV janë bërë pazarxhinjtë më të mëdhenj dhe është mashtrimi i shekullit për votuesin shqiptar në nivel nacional me 12 mandate që janë marrë në platformë kundërshtuese të krimit dhe korrupsionit dhe tani janë bërë shtylla kryesore që e mban krimin dhe korrupsionin gjallë ”, thotë ai.

https://kallxo.com/sondazhi-partia-e-shpend-ahmetit-nuk-e-kalon-pragun/