Ilustrimi: Trembelat

1.8 mil. euro pagesa me vendime gjyqësore nga komuna e Prishtinës

Thesari i komunës së Prishtinës ka ekzekutuar pagesa në vlerë prej 1,875,280€ nga buxheti i komunës direkt në llogari të Operatorit Ekonomik (OE).

Nga testimet, Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin për vitin 2017 ka vërejtur se për 28 pagesa të ekzekutuara sipas urdhëresave të përmbaruesve privat në vlerë 867,397€, komuna kishte paguar shpenzime shtesë në vlerë 36,755€, për përmbaruesit.

“Edhe pse nuk kemi marrë përgjigjen e kërkuar me shkrim, ekzekutimi i pagesave nga Thesari rrjedh si rezultat i hyrjes në obligime pa zotim paraprak të mjeteve, në mungesë buxheti, nga pranimi i shërbimeve me kontrata të skaduara”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, format e pagesës përmes vendimeve gjyqësore rrezikojnë realizimin e projekteve të planifikuara kapitale nga ku janë marrë mjetet për pagesë, si dhe duke shkaktuar dëmtim shtesë të buxhetit për shkak të shpenzimeve përmbarimore.

“Poashtu kjo formë e pagesës rritë rrezikun që operatori qëllimisht të mos i sjellë faturat në mënyrë që të përfitojnë palët e përfshira”, vazhdon raporti.

Auditori ka rekomanduar që kryetari duhet të marrë veprimet e duhura në mënyrë që të ndërpresë praktikat e krijuara të pagesave me vendime gjyqësore ose pagesave direkte nga thesari.

“Shmangia e tyre duhet të bëhet duke respektuar me përpikëri rregullat e prokurimit publik (menaxhim i mirë të kontratave nga planifikimi, ekzekutimi e deri të raportimi i tyre), si dhe rregullat e thesarit lidhur me zotimin e mjeteve me kohë si dhe hapave tjerë deri në ekzekutimin e pagesave”, thuhet në raport.

Poashtu, Auditori ka vërejtur se vlera e borxhit potencial të komunës i shpalosur në Pasqyrat Vjetore Financiare (PFV) ishte 6,180,290€ dhe i njëjti është rritur për 1,283,225€ nga viti paraprak.

Detyrimet kontingjente të komunës kishin të bëjnë me çështje të ndryshme si pronësore, administrative, banesore penale, kompensim dëmi, etj. të ngritura nga palët paditëse të pakënaqura.

“Rritja e tyre dhe humbja e rasteve në gjykata (përmbarues) mund të afektoj buxhetin i cili është planifikuar të shpenzohet në projekte tjera”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, niveli i lartë i detyrimeve kontigjente (borxhit potencial) mund të përkeqësojë gjendjen financiare të komunës nëse vendimet përfundimtare të gjykatës do të jenë në favor të palëve paditëse.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që kryetari komunës duhet të inicojë një vlerësim të ndikimit financiar që mund të kenë pretendimet dhe paditë, ndaj buxhetit të komunës, dhe të analizojë mundësitë për gjendjen aktuale në lidhje me detyrimet kontigjente.