Analizë e ’The Economist’: Pse Kabuli ra aq lehtë në duart e talebanëve?

Plani Marshall i SHBA funksionoi mirë për rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore me vetëm 204.66 miliardë dollarë sipas vlerës në paratë e sotme. Pas 11 shtatorit, Uashingtoni shpenzoi më shumë se 2 trilionë dollarë për luftën në Afganistan në dy dekada kohë.

Rreth 83 miliardë dollarë nga ato para shkuan për ndërtimin dhe armatosjen e ushtrisë afgane. Me fjalë të tjera, SHBA shpenzoi 300 milionë dollarë në ditë. Megjithatë nuk funksionoi. Me gjithë rezistencën heroike, shumë ushtarë dhe komandantë afganë u larguan para se qytetet të fillonin të binin njëri pas tjetrit. Më në fund, më 15 gusht 2021, Presidenti afgan, Ashraf Ghani, së bashku me zyrtarë të lartë u larguan nga vendi ndërkohë që talebanët hynë në kryeqytetin Kabul, fitues dhe krejt qetësisht, duke mos shtënë asnjë plumb të vetëm. Si mund të ndodhte një gjë e tillë kaq lehtë dhe kaq shpejt?

Gazeta e përjavshme prestigjioze britanike, The Economist, jep pesë elementë që, sipas saj, mund të ndihmojnë në shpjegimin se pse ndodhi një gjë e tillë.

Talebanët e mishëruar në betejë dhe islamizmi

Disa afganë anti-talebanë do të argumentonin se luftëtarët fundamentalist talebanë eksportohen nga Pakistani dhe nuk janë të ngulitur thellë në Afganistan. Jo aq e vërtetë. Feja dhe Islamizmi janë të rrënjosura thellë në Afganistan. Talibanët kanë korrur frytet e tyre në një shoqëri në të cilën 60% e 37 milionë banorëve të saj janë analfabetë dhe 74% jetojnë në zonat rurale. Ky grup ka një bazë të fortë mes atyre si dhe mes personelit të ushtrisë dhe policisë të cilët do t’i kishin parë luftëtarët talebanë si ‘besimtarët dhe myslimanët e vërtetë’, duke shmangur kështu pushkatimin e tyre dhe madje edhe bashkëpunimin me ta.

Para se talibanët të rimerrnin pushtetin në vitin 2021, shumë prej tyre kishin luftuar së pari me Ushtrinë e Kuqe Sovjetike, pastaj kundër Muxhahedinëve të tjerë gjatë luftës civile deri në momentin kur e morën pushtetin në  Afganistan në vitin 1996. Emirati i tyre islamik u shpërbë në vitin 2001 me pushtimin amerikan të Afganistanit pas sulmeve të 11 shtatorit dhe duke refuzuar dorëzimin e Osama bin Ladenit në SHBA. Ata vazhduan të luftojnë kundër Shteteve të Bashkuara, i detyruan ata të ulën në tavolinën e bisedimeve në Katar dhe më në fund dolën fitues pas “luftës së qyteteve”.

Morali, besimi dhe një palë çizme të ushtrisë amerikane

Më shumë se 300,000 ushtarë afganë ishin të pajisur me armë të avancuara amerikane, por jo me moral. Prej vitesh ata janë goditur nga korrupsioni dhe shpagimet dhe mbi të gjitha një ndjenjë tradhtie nga qeveria dhe zyrtarët, shumica e të cilëve ishin të korruptuar dhe kujdeseshin për xhepat dhe klanet e tyre dhe jo për vendin e tyre. Rreth 13 vjet më parë, një mik imi afgan, më dhuroi një palë çizme të ushtrisë amerikane të blera nga një burrë i moshës së mesme para bazës ajrore Bagram, me sa duket në këmbim të hashashit afgan dhe drejtpërdrejt nga një ushtar amerikan ose nga një zyrtar i ushtrisë afgane.

Një ushtar i injoruar nuk do të luftojë nën një komandant apo nën një udhëheqje të korruptuar. Qeveria afgane nuk ishte kurrë një qeveri e unifikuar. Fuqia në kryeqytetin Kabul u nda midis klaneve Ghani dhe Abdullah Abdullah. Në të kundërt, talebanët u bashkuan në emër të ‘Islamit fundamental’ për të cilin ata kishin luftuar për 40 vjet dhe po jepnin jetën e tyre në emër të atij islami përmes misioneve vetëvrasëse.

Qindra njerëz mblidhen pranë një aeroplani transporti C -17 të Forcave Ajrore të SHBA përgjatë perimetrit në aeroportin ndërkombëtar në Kabul, Afganistan – 16 gusht 2021, Shekib Rahmani/AP 

Një lojë bixhozi Trump-Biden 

Donald Trump e filloi keq lojën, Joe Biden e luajti atë në mënyrën më të keqe të mundshme. Trump i dha talebanëve njohje politike duke negociuar drejtpërdrejt me ta, duke e anashkaluar dhe duke e detyruar qeverinë afgane të lirojë më shumë se 5000 luftëtarë talebanë nga burgjet. Biden e nguli gozhdën e fundit në arkivolin e qeverisë dhe ushtrisë afgane nga e ashtuquajtura “tërheqje e rregullt” e forcave amerikane. Me sa duket, SHBA ka besuar se talebanët: nuk do të shkojnë kundër interesave të SHBA, nuk do të lejojë që toka afgane të përdoret kundër amerikanëve, nuk do të strehojë al-Kaedën dhe do të jetë “më e butë” sesa në vitet ’90 – kur ata po qeverisnin vendin – mbi gratë dhe të drejtat e njeriut. Me shumë mundësi, pas dyerve të mbyllura të të ashtuquajturave negociata paqeje në Katar, ka pasur më shumë “jep dhe merr” midis Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve, të cilat mbesin ende për t’u zbuluar dhe deklasifikuar.

Klanet mbizotërojnë mbi atdheun

Takimi im i parë me afganët nuk ishte me një nga 3.5 milionë refugjatët afganë në Iran, në atdheun tim, por në Indi ku isha student. Unë vërejta burrat të zgjuar, të cilët më vonë u arritën të behën zyrtarë të rinj të rangut të lartë në Kabul pothuajse brenda natës, se të gjithë kishin një gjë të përbashkët: besnikëria e tyre nuk ishte në radhë të parë ndaj ‘shtetit-komb’, por ndaj përkatësive të tyre etnike, klanore ose gjuhësore. Besnikëri të fortë ndaj grupeve etnike të Pashtunëve, Taxhikanëve, Hazareve, Uzbekistëve, etj., Plus rajonalizmi dhe klanizmi janë dobësia kryesore e Afganëve.

Vladimir Putin flet gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Angela Merkel në Kremlin në Moskë, Rusi, të Premten, 20 Gusht 2021. Bisedimet pritet të kanë si fokus Afganistanin, AP Photo

Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Interesi i Shteteve të Bashkuara ishte i qartë: t’i jepte fund luftës së saj më të gjatë dhe t’i “kthente djemtë në shtëpi” me çdo kusht, përfshirë edhe marrëveshjen me talebanët. Pakistani, nga ana tjetër, dhe për një kohë të gjatë ka luajtur kartat e “talebanëve” dhe “luftimit të ekstremizmit” për hir të përfitimeve financiare të SHBA. Islamabadi e ka përcaktuar prej kohësh doktrinën e saj në Afganistan për të kundërpeshuar armikun e saj të përbetuar, Indinë, nga ndikimi dhe të pasurit një gjurmë në Afganistan. Islamabadi do të miratonte përkrahje të mëtejshme të talebanëve nëse do të ishte e nevojshme. Kjo është arsyeja pse paqja në Afganistan varet nga pajtimi midis dy fqinjëve bërthamorë, Pakistanit dhe Indisë.

Nga ana tjetër, Rusia, Kina dhe Irani e shijuan shfaqjen e ndikimit në rënie të SHBA në rajon duke u bërë nikoqirë të disa prej udhëheqësve të  talebanëve në Moskë, Pekin dhe Teheran. Me zvogëlimin e ndikimit amerikan dhe tërheqjen e forcave perëndimore nga Afganistani, si dhe dobësimin e qeverisë në Kabul, të tre aleatët panë një mundësi me talebanët. Në të vërtetë, aleanca anti-amerikane e Moskë-Pekin-Teheran kontribuoi në rrëzimin e Kabulit me miratimin e nënkuptuar të talebanëve. Ambasadat e të tri vendeve janë funksionale tani në Kabul ndërkohë që shumë ambasada të vendeve tjera tashmë e kanë evakuuar stafin e tyre.

A do ta njihnin të tria këto vende plus disa vende të tjera, të tilla si Arabia Saudite dhe njëkohësisht, do të bënin biznes me ‘talebanët e rinj’? Me shumë mundësi po, nëse talebanët vendosin një shkallë stabiliteti, ligji dhe rendi. Bashkimi Evropian, megjithatë, do të mbetet skeptik ndaj ‘radikalëve pragmatikë’ të cilët po përpiqen të sigurojnë Perëndimin se ata janë një ‘Taleban i ri’ që respektojnë të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të grave afgane.

Një mësuese shkolle e zhvendosur brenda Afganistanit e veshur me burka flet gjatë një interviste me AP mbi frikën e saj për të dalë jashtë në një shoqëri të udhwhequr nga talebanët, AP Photo

Dhe, për fund:

A është shpresa e vetme e një fraksioni anti-taleban e fshehur në malet veriore?

Zyrtarët kryesorë të qeverisë afgane kanë ikur nga Afganistani. Ish-Presidenti Ghani është në Emiratet e Bashkuara Arabe, Abdul Rachid Dostum është në Uzbekistan dhe disa të tjerë janë strehuar në Turqi. Disa prej tyre kanë zgjedhur të qëndrojnë brenda Afganistanit; përkatësisht Amrullah Saleh, ish-shef i Inteligjencës dhe ish-nënpresident, dhe Ahmad Massoud, i biri i komandantit legjendar Ahmad Shah Massoud. Ata janë strehuar në luginën Panjshir, me shpresën se malet e saj të larta në veri të Afganistanit do t’i mbrojnë ata dhe ‘Frontin e Rezistencës’, malet që dikur e mbronin Komandantin Massoud dhe Aleancën Veriore nga Ushtria e Kuqe dhe më vonë edhe nga talebanët. Lugina Panjshir nuk ka rënë kurrë dhe mbetet rajoni i vetëm deri më tani që nuk është nën sundimin e talebanëve.

Megjithatë, shpresa për një rezistencë është e zbehtë. Afganët e rraskapitur nga konflikti 40 vjeçar nuk duan të jenë pjesë e një lufte tjetër civile dhe aktualisht, asnjë fuqi botërore apo rajonale nuk është e gatshme të japë mbështetje ushtarake dhe financiare për Frontin e Rezistencës për hir të ‘një Afganistani të lirë’ apo edhe në emër të “luftimit të fundamentalizmit”. Duket se i vetmi faktor që mund të ndryshojë skenarin aktual në favor të fraksionit anti-taleban do të ishte mënyra e sjelljes së talebanëve në Kabul, do me thënë nëse ata ndërmarrin masa ekstreme kundër të drejtave themelore të njeriut të afganëve, duke i detyruar Kombet e Bashkuara dhe komunitetin botëror në ndonjë intervenim potencial.

Përkthimi: Nuhi Shala