Analistët: Deklaratat e Thaçit e Mustafës për dialogun e Brukselit mund të kenë pasoja për Kosovën

Deklaratat e ditëve të fundit nga liderët politikë e institucionalë të Kosovës karshi dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk po shihen si veprime me vend .

Dje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi “të pakuptimë“ dialogun që po zhvillohet në Bruksel “nëse në të nuk përfshihet njohja reciproke”.

Një deklaratë afërsisht të ngjashme ditë më parë e ka dhënë edhe lideri i partisë në pushtet – LDK-së, Isa Mustafa. Ai tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja “po e humb kuptimin”.

Këto ndërrime qëndrimesh karshi dialogut të Brukselit nga liderët institucionalë dhe politikë nga analistët po konsiderohen si mungesë konsistence, të cilat mund të kenë pasoja për Kosovën.

Në anën tjetër vetë Bashkimi Evropian nuk ka dashur të komentojë deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se dialogu në Bruksel nuk ka kuptim nëse nuk përfshin njohjen e Kosovës.

“Ne, nuk i komentojmë deklaratat. Jemi të fokusuar në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do të adresonte të gjitha çështjet mes tyre, dhe duke qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së” ka thënë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë për REL.

“Ndryshimet” e bëjnë Kosovën palë joserioze në dialog

Korrespondenti i gazetës ‘Kohës ditore’ në Bruksel, Augustin Palokaj, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë ndryshimet e deklaratave karshi dialogut dëshmojnë se Kosova nuk ka pasur konsistencë e as unitet, si rezultat i mungesës së një platforme të qartë.

“Ndryshimet e shpeshta e bëjnë Kosovën të jetë e hapur për presione për lëshime të reja në dialog. Në anën tjetër Kosova del edhe si palë joserioze. Besoj se Kosova do të respektohej më shumë sikur të ketë ndonjë qëndrim të prerë, çoftë edhe kundërshtues në ndonjë temë, sesa me luhatje të tilla të qëndrimeve”, ka thënë Palokaj.

Ai ka përmendur qasjen që ka pasur shteti i Serbisë në temat që ata nuk kanë dashur t’i diskutojnë.

“Serbia kur ka vendosur kushte të prera është respektuar dhe mbështetur edhe nga Brukseli kur ka dëshmuar se nuk bën lëshime. Prandaj edhe kemi pasur ndërprerje të dialogut aq gjatë dhe BE-ja për këtë e ka fajësuar vetëm Kosovën për shkak të vendosjes së taksës për importet e mallrave nga Serbia. Pra ata që kanë qëndrime të qarta dhe konsistente respektohen më shumë”, ka theksuar ai.

Edhe për hulumtuesin e politikave në Institutin D4D, Visar Xhambazi, këto deklarata të liderëve kosovarë janë tregues i mungesës së strategjisë dhe konsensusit në Kosovë.

“Kjo dëmton pozicionin negociator të Kosovës për shkak se pala tjetër përfaqësohet në dialog nga një kandidat i cili ka mbështetje të madhe elektorale në Serbi, me mbi 60% të ulëseve në parlament. Në negociata politike, përkrahja elektorale determinonin pozicionin e palëve”, ka thënë Xhambazi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2011 dhe deri më tani janë arritur 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik.

Mungesa e qëndrimeve parimore për dialogun

Sipas hulumtuesit të D4D, Visar Xhambazit, mos konsistenca e presidentit në raport me dialogun e udhëhequr nga Brukseli mund të ketë lidhshmëri edhe me aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj tij.

Xhambazi në prononcimin e tij për KALLXO.com ka përmendur edhe disa raste të tjera në të cilat presidenti ka pasur një qasje destruktive.

“Presidenti i Kosovës nuk është lider i cili shquhet për parime politike. Ai ishte tejet skeptik kur z. Lajçak ishte emëruar emisar i veçantë nga BE për dialogun Kosove-Serbi. Ishte presidenti ai i cili u bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë para Zyrës së BE-se për mosliberalizim të vizave”, ka thënë ai.

“Me gjithë skepticizmin e shfaqur, presidenti tani po e lavdëron dialogun. Kjo qasje destruktive e presidentit shfaq një pasiguri të tij e cila mund të ketë lidhshmëri me aktakuzën e ngritur nga Gjykata Speciale”, ka shtuar ai.

Për korrespodentin Palokaj deklaratat e presidentit Thaçi dhe kreut të LDK-së duket se janë të qëlluara.

“Por problem është tek fakti se nuk i dimë motivet e deklaratave të tilla dhe as nuk mund të jemi të sigurt se një ditë tjetër do të thonë diçka tjetër. Me ndryshimet e tilla në qëndrime Thaçi dhe Mustafa vetëm e kanë hutuar opinionin”, ka thënë Palokaj.

Edhe Palokaj ka përmendur qasjen e palës kosovare karshi të emëruarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Në fillim thuhej se emërimi i tij është i dëmshëm për Kosovën, sepse ai dhe shteti i tij kanë qenë dhe janë kundër pavarësisë së Kosovës, e më vonë e kanë lavdëruar punën e tij dhe kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim. Kam frikë se deklaratat janë më shumë refleksion i hireve personale momentale të Thaçit dhe Mustafës sesa ndonjë shprehje e qëndrimeve parimore”, ka theksuar Palokaj.

Presidenti Thaçi ka ndërruar qëndrimin sa i përket ndërmjetësimit të dialogut Kosovë-Serbi nga BE-ja dhe specifikisht nga emisari Miroslav Lajçak. Përderisa Thaçi kishte kundërshtuar emërimin e Lajçakut dhe ishte shprehur skeptik për suksesin e tij në dialog, ai ditë me parë ka thënë se e mbështet procesin e ndërmjetësuar nga BE dhe të udhëhequr nga Lajçak.