Amendamentimet Nuk Përfshijnë Parimet për Mosndryshimin e Kufijve

Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Europian Catherine Ashton, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se “sa i përket ndryshimit të kufijve” në Kosovë pozicioni europian është shumë i qartë në atë “s’ka më ndryshime në Ballkan”.

Autoritetet kosovare aktualisht janë duke punuar në nxjerrjen e një numri amendamentesh kushtetuese të cilat do t’i japin fund pavarësisë së mbikëqyrur, e që pritet të miratohen në muajin shtator.
 
Por ndryshimet nuk pritet të përfshijnë edhe paragrafin e tretë të nenit të parë të Kushtetutës që thotë se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.

Christian Palme, zëdhënës i ICO-së, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se në shtator 2012 Kuvendi i Kosovës pritet të nxjerr një pako të amendamenteve të Kushtetutës dhe legjislacionit bazë, duke larguar autoritetin ekzekutiv të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar por duke ruajtur parimet e propozimit gjithëpërfshirës për statusin.

“Pas mbarimit të pavarësisë së mbikëqyrur Kosova do të ruaj parimet e Kushtetutës së saj që nuk lejojnë për bashkim me asnjë shtet tjetër”, tha Palme. “Çdo amendamentim në Kushtetutë duhet të propozohet, konsiderohet dhe miratohet në bazë të procedurave kushtetuese. Kosova gjithashtu do të mbetet e lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare që ajo ka nënshkruar”.

Maja Kocijancic po ashtu tha se BE do të vazhdojë të sigurojë mbështetje dhe rekomandime, kryesisht nëpërmjet Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe EULEX-it.

“Përmirësimi i sundimit të ligjit mbetet prioritet në Kosovë”, tha ajo. “Për këtë arsye EULEX-i do të mbetet atje për të ndihmuar Kosovën në këtë fushë dhe mandati i tij mbështetet nga 27 shtetet anëtare të BE-së”.

Behxhet Shala, analist politik, ka thënë se Kosova do të mbetet nën mbikëqyrjen ndërkombëtare edhe nëse ka mbaruar mbikëqyrja zyrtare.

“Ajo që do të ndodhë është Kosova do të bëhet edhe më e mbikëqyrur nga ndërkombëtarët, por kjo do të jetë më e kamufluar”, ka nënvizuar Shala.

Shala ka shtuar se komuniteti ndërkombëtar kishte eliminuar mundësitë që Kosova të bashkohet me Shqipërinë përmes planit të Martti Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës.

Arsim Bajrami, kryesues i komisionit për ndryshimet kushtetuese, ka thënë për gazetën se komisioni i tij po punon për amendamentimin e Kushtetutës, por ai nuk mund të tregojë se cilat do të jenë amendamentet. “Jemi në një fazë kur unë nuk mund të bëj publike ndryshimet që po bëhen”, tha Bajrami.

BE, KFOR-i dhe ICO kanë refuzuar të komentojnë në atë se çka do të ndalonte Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) të bëhet armatë, nëpërmjet amendamentimeve kushtetuese.