Ceremonia për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael, Foto: KALLXO.com

Ambasada e Kosovës në Jerusalem, shpërfaqen dallimet mes SHBA-së, BE-së dhe Ligës Arabe

Paralajmërimi që Kosova do të hap ambasadën e saj në Jerusalem pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit me 1 shkurt, ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare dhe vendore.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ka qenë pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të ish-presidentit amerikan Donald Trump, më 4 shtator 2020.

“Për keqardhje”, e ka quajtur Bashkimi Evropian vendimin e Kosovës që të hap ambasadën e saj në Jerusalem.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Bashkimit Evropian, për të pyetur se pse BE e cilëson fatkeq vendimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem?; A duhet të ndihet Kosova e kërcënuar nga ky qëndrim?; dhe nëse BE beson në deklarimet e Prishtinës zyrtare, se orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë?.

Zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano, në përgjigjen me shkrim për KALLXO.com ka thënë, se këto tema janë trajtuar në konferencën për media të 2 shkurtit dhe se të gjitha përgjigjet mund të gjenden aty.

Stano, në konferencë për media të mbajtur në Bruksel ka thënë se ky vendim e devijon Kosovën nga pozicioni i BE-së për çështjen e Jerusalemit.

“Në përgjithësi, është gjithnjë e mirëseardhur kur parterët tanë të jashtëm normalizojnë raportet mes tyre. Sidoqoftë, kur është fjala e hapjes së ambasadës në Jerusalem, ky është një vendim për keqardhje i Kosovës sepse e largon Kosovën nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit”, tha ai.

Stano përmendi edhe arsyet për këtë qëndrim të BE-së.

“Të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së, janë në Tel Aviv dhe kjo është në përputhje me rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe vendimet e Këshillit të BE-së. Statusi i Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve është qëndrim i BE-së, i cili nuk ka ndryshuar. Statusi i Jerusalemit duhet të zgjidhet përmes negociatave të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Palestinës” ka thënë Stano.

Sipas BE-së, Kosova e ka identifikuar integrimin në BE si qëllimin strategjik dhe presin që të veprojë në përputhje me këtë angazhim.

Ndërkaq kur u pyet se më cilën të drejtë BE-ja sugjeron Kosovën që të hapë apo jo diku ambasadë, pasi vetë BE nuk e njeh Kosovën dhe kjo e fundit nuk ka delegacion diplomatik në BE, Stano theksoi se në BE nuk ka unitet për statusin e Kosovës, duke përmendur mosnjohjen nga pesë shtetet anëtare si dhe duke thënë se megjithëkëtë BE-ja ka zyrë në Kosovë.

“Ne nuk po kërkojmë nga Kosova që të bëjë apo të mos bëjë diçka, por po themi se nëse pretendoni se keni qëllim strategjik integrimin në BE, atëherë ekziston korniza në bazë të së cilës duhet të veproni. Pra, vetëm themi se ju duhet të veproni në bazë të asaj që vetë keni deklaruar”, ka thënë ai.

I pyetur se cilat mund të jenë pasojat për Kosovën në këtë rast, Stano është shprehur se BE dhe vendet anëtare do të presin që Kosova të përparojë në rrugën e përbashkët me BE-së.

Ndaj deklaratës së BE-së ka reaguar ashpër ish ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e cila ka thënë se BE para se të jap leksione për ambasadën në Jerusalem, duhet të deklarohet për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE-së, duke shkruar mes tjerash se “hipokrizia ka emër”.

“Hipokrizia ka emër. Kosova nuk ka ambasadë në Madrid, Bratislavë, Athinë, Bukuresht, Nikozia. Qe besa, Kosova nuk ka ambasadë as pranë BE. Kish qenë mirë Brukseli, para se të na japë leksione për ambasadën në Jerusalem, të deklarohet pak për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE. Pastaj, a nuk është BE “neutrale” karshi statusit të Kosovës a?! Nejse…Për viza nuk po foli ma mirë”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në Facebook.

Paraprakisht, të hënën edhe kur u vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, zyrtarët qeveritarë të Kosovës, u pyetën nëse presin reagimin e BE-së për hapjen e ambasadës në Jerusalem.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka deklaruar se orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë.

“Sa i përket Bashkimit Evropian, orientimi jonë euroatlantik është i pastër dhe i qartë dhe nuk kemi alternativë tjetër. Jemi të angazhuar në kapacitete të plota drejt këtij orientimi dhe kështu do të mbetet gjithmonë”, tha ajo në konferencë për media.

Kurse, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti shtoi se Kosova ka nevojë për njohje, duke thënë se me Izraelin do të shkëmbejnë vizita për çështjen e hapjes së ambasadës në Jerusalem.

Qëndrimi i DASh-it

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh) e ka përgëzuar zyrtarizmin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, duke e cilësuar si një ditë historike.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Izraelin dhe Kosovën për zyrtarizmin e marrëdhënieve diplomatike. Dje ishte një ditë historike. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në të dy vendet”, thuhet në deklaratën e tyre.

DASh ka theksuar se kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme.

“SHBA-të do të qëndrojnë përkrahë Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Qëndrimi i Ligës Arabe

Në anën tjetër, edhe Liga Arabe e ka dënuar vendimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem.

Parlamenti arab, që është organi legjislativ i Ligës Arabe, ka dënuar “njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga Kosova”. Liga Arabe po ashtu ka dënuar vendimin që Kosova të vendosë ambasadën në Jerusalem, raporton agjencia shtetërore e lajmeve të Jordanit, Petra, transmetoi Radio Evropa e Lirë.

Kjo Ligë i bëri thirrje Kosovës që të heqë dorë nga vendimi i saj “kundërthënës që shkel ligjin ndërkombëtar” dhe kërkoi nga Prishtina zyrtare që t’i përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.

Kryetari i Parlamentit arab, Adel Assomi ka theksuar se vendimi i Kosovës për ta njohur Jerusalemin, nuk ka ndikim ligjor në kuptimin se nuk do ta ndryshojë status quo-n historike të qytetit, duke shtuar se fati i Jerusalemit mund të përcaktohet vetëm përmes negociatave dhe jo përmes vendimeve të njëanshme, që sipas tij, shkelin ligjin ndërkombëtar.